prizrenNë zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prizrenit, të martën është rrënuar Hani i familjes Mullafazliu, pasi që pronarët e objektit paraprakisht janë pajisur me pëlqime e leje përkatëse për rrënimin e objektit.

Ato ua ka dhënë Komuna e Prizrenit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, respektivisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një ekskavator ka mjaftuar për të rrënuar strukturën e vjetër, të ndërtuar nga drunjtë dhe materiali i kohës, në shekullin XIX, shkruan sot Koha Ditore.

Në lidhje me këtë rast pasditen e së martës kanë reaguar aktivistët e organizatës joqeveritare të “EC Ma Ndryshe”. Përmes një komunikate të nënshkruar nga Valon Xhabali, kjo organizatë ka vlerësuar se “trashëgimia kulturore e arkitektonike, si dhe kujtesa kolektive e qytetit të Prizrenit kanë pësuar dëm të konsiderueshëm me rrënimin e këtij objekti”.

“Prandaj edhe një herë u bëjmë thirrje institucioneve të të gjitha niveleve që të shtojnë nivelin e përgjegjësisë së tyre dhe angazhimet në drejtim të ruajtjes, konservimit dhe promovimit të vlerave të rralla të trashëgimisë së qytetit të Prizrenit”, ka bërë të ditur Xhabali.

Ai ka shpjeguar se në bazë të shkresave del se Komuna, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës janë pajtuar për rrënimin e këtij objekti.

Loading...