Murat Jashari, vëllau i Ismet Jasharit, i cili kishte qenë komandant i Komanovës, është duke qëndruar në burg pas plagosjes së avokatit Azem Vllasi.

Jashari është pjesëtar i organizatës, Lëvizja  “Syri i popullit”, organizatë kjo që sipas Jasharit është formuar për vrasjen e tradhtarëve të kombit, në mënyrë që populli të mos vuajë më siç ka vuajtur që nga viti 1991.

Cak i kësaj organizate ishte edhe avokati Azem Vllasi, të cilin Jashari e kishte plagosur në zyrën e tij.

Jashari  ka rrëfyer ekskluzivisht  për gazetën “Bota sot” se si ka shkuar për të kryer plagosjen e Vllasit, përmes 54 letrave të dërguara në redaksinë tonë.

Ai kishte marrë përsipër plagosjen e avokatit Azem Vllasi, pasi sipas tij në vitet e 80-ta, Vllasi i kishte sjellë shumë dëme popullit shqiptar, prandaj është lajmëruar vullnetar për plagosjen e tij.

Sipas Jasharit, qëllimi ishte vetëm plagosja, sepse nëse do ta kishte vrarë do të shpëtonte nga dhimbjet, por me plagosje do të kishte frikë gjatë tërë jetës.

“Për vitet e 80-ta personi më shumë që i ka sjellë dëm popullit shqiptar në Kosovë, ishte kush tjetër pos regjimi, korrieristi i përbetuar deri më vdekje i politikës antishqiptare, i … Tito dhe tradhtari i popullit Azem Vllasi. Vullnetar u lajmërova për pikën e parë. Ta plagosi tradhtarin e popullit. Me e vrarë e  shpëtoj nga dhimbjet. Me plagosje ka dhimbje dhe frikë tërë jetën! Po edhe të tjerët si ky! Siç kanë pasur dhimbje të gjithë prindërit që i kanë pasur më të dashurit e tyre, bijat dhe bijtë nëpër burgjet serbo- Jugosllave”, ka shkruar Jashari në letrat dërguar “Bota sot”.

Jashari ka rrëfyer se kishte qenë dy herë në zyrën e avokatit Vllasi për përfundimin e “misoninit” të tij.

“Të shtunën, 11 Mars 2017 (6), ora: 09:06. Shtypa butonin e ziles së “Avokatit” Az. Vllasi. Nuk po e hap askush derën. Pas dy minutave, përsëri shtypa butonin e zilës. Askush nuk po e hap derën. Edhe një herë, pas dy minutve shtypa butonin e zyrës. Nuk ka njeri të gjallë te zyra e tradhtarit të popullit! Orar; 09:16 (7) u largova prej aty. Vendosa, që të hënën ( 13.03.2017 ), paradite të jem përsëri te ajo derë- zyrë!”, ka treguar Jashari.

Ai gjersa e ka quajtur avokatin Vllasi tradhtar të krisur, ka treguar edhe tipin e pistoletës që ka përdorur për plagosjen e tij.

“ Dola prej lokalit dhe u nisa drejt zyrës së tradhtarit të popullit! E shtypa butonin e zyrës. Nuk vonoi dhe derën e hapi nja 50 cm, si çiçan, i krusur gati deri te rrezja e derës. “Avokati” më pyeti. Ai: Kush jeni? Unë: Avnia Ai: Çka doni? Unë: Kam një kontekst civil dhe dua t’ju marrë për avokat. Ai: Nuk merrem me këto punë. Unë: Më jep ndonjë numër të ndonjë kolegu t’juaj. Ai: Mirë. Prit pak dhe e mbylli derën. Unë: Lëshova fasikllën në tokë që e kisha në dorën e majtë. Nxora pistoletën, në hotel fshehur ia pata shtyp me cevë dhe ia pata vërë frenin. Ia hoqa frenin dhe shtriva dorën poshtë të këmbës së djathtë, nuk vonoi shumë, doli në të njëjtën pozitë dhe dera e hapur 50 cm. Kur pa pistoletën se po ia afroi trupit të tij, në kraharorin e majtë, hapi shurdhuesen dhe po manovron me të, herë në bark, herë në zemër. Grumbullova forcë dhe me të dy duart shtytën e shurdhueses e vura në kraharorin e majtë. Shkrepa një herë! Lëshoi tytën e shurdhueses dhe ra, duke bërtit shumë në patozë”, ka vazhduar rrëfimin e tij Jashari.

Ai ka treguar se pas plagosjes së Vllasit, kishte ndjerë kënaqësi të madhe shpirtërore dhe se është liruar në shpirt. “Në atë moment kur bërtiti dhe ra në patozë, kam ndjerë një kënaqësi të madhe shpirtërore! U kënaqa! U lirova në shpirt! Plot 36 vjet kam pasur këtë ngushtim të shpirtit!”, ka rrëfyer Jashari.

Loading...