Fatmir Seferi, babai i futbollistit të mirënjohur shqiptar, Taulant Seferi, është shprehur tejet i lumtur që djali i tij po shkëlqen te skuadra e FC Winterthur dhe Kombëtarja U21 e Shqipërisë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Lajm”, Fatmiri thotë se është krenar që ka një djal si Taulanti, emri i të cilit po brohoritet në tribuna të stadiumeve të futbollit anembanë Zvicrës.

Fatmiri, i njohur me nofkën “Vukas”, gjithmonë e ka mbështetur djalin e tij dhe vazhdon të përkrahë, prandaj edhe kësaj radhe ka udhëtuar në Zvicër për ndjek nga afër djalin e tij, të cilin e do pa fund.

 

“Po, kam ardhur special me ndjek ndeshjen Sheffhausen-Winterthur që ishte derbi në Ligën e dytë të Zvicrës, e cila përfundoi 2-2. Taulanti shënoi gol me kokë, duke barazuar rezultatin në 1-1. Taulanti luajti shumë bukur dhe ishte mjaftë emocionuese kur publiku vendës duartrokiste djalin tim, ndërsa edhe më shumë kënaqësi kur publiku i Winterthur brohoriste emrin e djalin tim. Ishte përjetim i vecantë”,  e nis rrëfimin e tij Fatmir Seferi, babai i Taulantit.

“Të mërkurën luajnë për kupë të Zvicrës, Winterthur dhe Basel. Erdha për të ndjek edhe këtë ndeshje. Kam dëshirë të shoh përballjen e dy shqiponjave, të shoh duelin e dy Taulantëve, Seferi dhe Xhaka (qeshet)”, vazhdon Seferi, babai i yllit shqiptar.

“Unë jam shumë i dashuruar pas futbollit. Dikur shkoja në Beograd në stadiumin JNA të Partizanit për ta parë Fadil Vokrrin, të cilin e kam admiruar shumë, kurse tash për djalin tim nisem edhe në këmbë për në Zvicër”, shprehet i emocionuar Fatmiri.

“Me Taualantin jam shumë krenar që po luan edhe për Kombëtaren, edhe aty po jep maksimumin, pasi ngjyrat kuqezi i kemi në zemër. Me Zotin përpara shpresojmë që shumë shpejt të luaj edhe për Kombëtaren e parë. Kjo është ëndërr e jona”, përfundoi Fatmir Seferi, babai i talentit të madh shqiptar, Taulant Seferi.

Loading...