Mjeku nga Malisheva, Ramadan Sopaj, po akuzohet për ngacmim seksual të një 15-vjeçareje. Ai, sipas deklaratave të vajzës së mitur, gjatë ditës së enjte që e lamë pas e kishte prekur atë në vende intime. Vajza kishte shkuar për një kontroll, ngase kishte dhembje barku. Rastin familja e 15-vjeçares e ka paraqitur në polici. Mjeku është arrestuar si dhe është suspenduar nga puna për gjashtë muaj nga ana e QKMF’së , Shpëtim Robaj’ në Malishevë. Express ju sjell rrëfimin e familjes së 15-vjeçares

Kishte pasur disa dhembje barku. 15-vjeçarja nga një fshat i komunës së Malishevës (emër i njohur për redaksinë), e vetme nga shtëpia gjatë ditës së enjte që e lamë pas, kishte marrë rrugë për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, për t’iu nënshtruar një kontrolli mjekësor.

Ajo në QKMF’në, ‘Shpetim Robaj’, të Malishevës u prit nga mjeku familjar Ramadan Sopaj. Gjatë kontrollit mjekësor ia kishte shpjeguar dhembjet në bark që i kishte pasur.
Por, sipas saj, mjeku Sopaj, e kishte ngacmuar atë seksualisht duke prekur në vende intime.

Gazeta Express ka qëndruar në familjen e 15-vjeçares. Ata kanë shpjeguar rreth asaj se si ka ndodhur rasti.

“Ka shku çika te mjeku, ka hy, qashtu qysh hyjnë krejt pacientët. Mjeku e ka pyet se ku po i dhembë. Çika i ka tregu se ku po i dhëmbë. Ai doktori ka nisë me e zbulua lartë vajzën, e duke e prekë lartë e tu e puthë qysh ka dashtë”, tregon nëna e vajzës, e cila po e akuzon mjekun Ramadan Sopaj, për ngacmim seksual.

Por familja e viktimës, deklarojnë se mjeku Sopaj, vajzën ua ka prekur edhe në pjesët intime. Për këtë punë, ata thonë se i kanë vërtetuar edhe kontrollet gjinekologjike të bëra në QKUK.

“Ai i ka thanë vajzës, zhvishu më poshtë, vajza i ka thanë po këtej nuk po më dhembë edhe ka dashtë me u qu.  Ai ia ka vu cikës duart edhe i ka thanë ‘unë jam mjek, nuk bënë me u çu’. Edhe ia ka nisë me e zhveshë vajzën poshtë dhe ka nisë me e prekë. Cika ka bërtite. Aty dikush e ka qelë derën, por ai i paska thanë atij personi mbylle derën se jam me pacientë. Cika ka bërtitur edhe tu qajtë ka dal prej aty. E ka taku në rrugë një vajzë që s’po e njohim, prej telefonit të saj, vajza më ka thirrë mu. Vajzën  policia e kanë çu në gjinekologji në QKUK. aty mjekët e kanë kontrollua edhe shihen shenjat që ai e ka grithë vajzën”, ka shpjeguar për gjithë rastin nëna e vajzës 15-vjeçare.

Rastin kjo familje nga një fshat i Malishevës e ka paraqitur në Polici. Të nesërmen, policia rajonale në rajonin e Gjakovës, ka shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë si dhe e ka arrestuar doktorin Ramadan Sopajn.

Rreth këtij rasti, kanë folur për Express nga policia e Gjakovës. Lirije Podrimaj, zëdhënëse e Policisë në Gjakovë ka deklaruar se rasti po cilësohet si ‘ngacmim seksual’.

“Të nderuar, Me datë 29.11.2018 në ora 08;15 në stacionin policor të Malishevës viktima femër e mitur së bashku me prindin e saj ka raportuar rastin “Ngacmim seksual” që i kishte ndodhur në QKMF- Malishevë. I dyshuar në këtë rast është një mjek i kësaj qendre, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është arrestuar nga policia dhe i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e policisë së Gjakovës për këtë rast.

E zyrtarët e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Malishevës, “Dr. Shpëtim Robaj”, kanë deklaruar se doktori, Ramadan Sopaj është suspenduar nga puna.

Për këtë çështje, për Gazetën Express, të martën ka folur drejtori i kësaj QKMF’je, Nuhi Morina.

“Ditën se kur është arrestu doktori, Ramadan Sopa unë nuk kam qenë në QKMF. Më kanë thirrë nga policia dhe më kanë tregu se po e arrestojnë. Pas arrestimit të tij, ne e kemi suspendua mjekun Sopaj pozita e punës për gjashtë muaj si dhe me 50% të pagës”, ka deklaruar për Express drejtori i Morina.

Ai ka thënë se si mjek Sopaj, detyrën e tij për vite e ka kryer me shumë përgjegjësi.
“Si mjek, Sopa ka qenë pa asnjë vërejtje. Këtu tek ne si mjek ka 16 vite që punon.  Ka ushtruar funksionin e mjekut familjarë. Doktori, ka qenë me pacientë në ditën kur ka ardhur policia”, ka thënë tutje drejtori i QKMF’së ‘ Shpëtim Robaj’, Nuhi Morina.
Por familja e 15-vjeçares, e cila po konsiderohet si viktimë e këtij rasti shprehen të vendosur që këtë punë ta çojnë deri në fund.

“Unë lëndën ko me e çu deri në fund. I besojë vajzës sime fjalë për fjalë. Deri në fund do ta ndjekë këtë rast. Nëse kjo punë nuk më zgjidhet në Gjakovë unë do të shkojë deri në fund e ta ndjekë. Rasti ka ndodhë të enjten”, ka rrëfyer prindi i 15-vjeçares duke thënë se pas rastit gjendja psikologjike e vajzës së tij është e rënduar.

E mjeku në fjalë, Ramadan Sopaj, është i njohur për institucionet e drejtësisë kosovare. Ai dyshohet se para një viti ka shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme për vete ose për fëmijët e tij.

Loading...