Në Portin e Durrësit u zhvillua sot një ceremoni për të shënuar fundin e një projekti të përbashkët mes prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Ministrisë së Mbrojtjes për shkatërrimin e kimikateve të rrezikshme ushtarake.

Të pranishëm qenë Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe përfaqësues të trupit diplomatik, shtetet e të cilëve kanë financuar këtë projekt.

Në fazën e fundin të projektit, do të dërgohen për shkatërrim në Francë rreth 160 tonë napalm, që ndodhen tani të paketuara në mënyrë të sigurt në portin e Durrësit, gati për t’u transportuar.

Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur procesin e çmilitarizimit në Shqipëri që prej vitit 2008, kur filloi shkatërrimi i municioneve të tepërta dhe lëndëve kimike të rrezikshme. Në maj 2015, Prezenca ndihmoi në shkatërrimin 116 tonëve kimikatesh të rrezikshme. Më parë, ajo kishte ndihmuar në shkatërrimin e 60 tonëve melanzh – një përbërës toksik i karburantit të raketave – dhe të 120 tonëve diklorometan. Po ashtu, Prezenca ka ofruar pajisje për shkatërrimin e municioneve të tepërta.

Në fjalën e tij të sotme, ambasadori Bernd Borchardt falënderoi Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së që e kanë mbështetur financiarisht procesin e çmilitarizimit, duke veçuar Austrinë, Republikën Çeke, Gjermaninë, Norvegjinë dhe Turqinë. Ai përgëzoi edhe pjesëtarët e Njësisë Kimike të Forcave të Armatosura Shqiptare për punën e tyre të shkëlqyer në vite.

“Teksa vlerësojmë punën që po bëhet nga shumë aktorë në rajon për asgjësimin e sigurt të municioneve të vjetra ushtarake, gjithashtu nxisim që modeli i çmilitarizimit i Shqipërisë të shtrihet edhe në rajon, jo vetëm për ta bërë rajonin më të sigurt, por edhe për të shfrytëzuar sa më mirë infrastrukturën ekzistuese dhe përvojën e fuqisë punëtore.”

Duke cituar fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së Lambertro Zannier gjatë një ceremonie të ngjashme, në maj 2015, në Qafë-Mollë, Borchardt tha se projekti nxori në pah praninë e besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimin efikas ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Prezencës së OSBE-së.

Loading...