Rrezikun për ndarjen e Kosovës e paralajmërova para 19 viteve

Viteve të fundit gradualisht janë shfaqur zëra për mundësinë e ndarjes së Kosovës respektivisht për tendencën që pjesa veriore të kalojë në pronësi të Serbisë. Këto mendime serbët i kanë servuar me një strategji të veçantë. Tema në fjalë tashmë fatkeqësisht ka dominuar opinionin shqiptar dhe me të drejtë është shndërruar në temë numër një.
Duke u nisur nga fatmirësia që Republika e Kosovës i ka të gjitha institucionet shtetërore të cilat posedojnë potencial meritor për të analizuar dhe vepruar në interes të vendit (kjo është detyrë parësore e tyre) për asnjë çast nuk e kamë parë të arsyeshme që nga këtu (Tetova) të mbajë ders për atë se çka është më e mirë për Kosovën.
Shitjen mend nga jashtë gjithmonë e kamë vlerësuar si megalomani, të panevojshme, nënçmuese për potencialin shkencor, profesional e intelektual të shtetit përkatës në këtë rast të Republikës së Kosovës. Por, debatet e kohëve të fundit ku për temën në fjalë fatkeqësisht po prononcohen edhe shtetarët më të lartë të Kosovës dhe zyrtarë shtetërorë të niveleve të ndryshme më nxit të hedh në letër disa pikëpamje të cilat nuk mendoj se do të ndihmojnë për qartësimin e temës sepse zyrtarët e presidencës, qeverisë, parlamentit, ministrisë së jashtme janë një brigadë shumë e madhe profesionistësh që disponojnë si me informata ashtu edhe me të dhëna përkatëse për çdo segment të çështjes në fjalë.
Megjithatë, e ndjejë si një obligim profesional që t’i bashkangjitem varganit të gjatë të atyre që flasin e shkruajnë për këtë çështje sepse të drejtën për deklarim për këtë temë e kamë siguruan që me kohë – para 19 viteve.
Duke përcjellur me kujdes dhe duke u përpjekur të deshifrojë reagimet e ndryshme të diplomacisë botërore, posaçërisht të asaj ruse, në kohën kur bombardimet e forcave të NATO-s (fundi i prillit, fillim i majit 1999) sistematikisht i shkatërronin objektet vitale dhe infrastrukturën e forcave mbrojtëse të Sebisë, në gazetat e Maqedonisë në gjuhën shqipe dhe maqedonase, në tri vazhdime (rreth 9 faqe tekst) e publikova tekstin me titull: NDARJA E KOSOVËS – RREZIKON RAJONIN.
Teksti në fjalë është përfshirë në librin tim: Vorbullime shqiptare të botuar nga shtëpia botuese „Vatra” Shkup në vitin 2005.
Në vazhdim po prezantoj theks nga ai tekst.
Ka kohë që në disa qarqe po mendohet dhe flitet për variantin më fatkeq të zgjidhjes së krizës kosovare. Bëhet fjalë për një projekt të cilin me të gjitha instrumentet dhe mekanizmat e mundshëm të ndikimit po tenton ta imponojë diplomacia ruse si mundësi të vetme që edhe ajo të bëhet një pjesëmarrës shumë aktiv në shthurjen e kësaj krize. Kjo ish forcë e madhe ushtarake e diplomatike, si mbështetës e zëdhënës tradicional i Serbisë po i bën përpjekjet e fundit për ta ruajtur renomenë dhe prestigjin e dikurshëm të shtetit me ndikim, pa pëlqimin e të cilit nuk mund të zgjidhen çështje me interes global pavarësisht se problemi mund të jetë edhe i karakterit lokal a rajonal.
(….)
Megjithatë, problemi i Kosovës nuk është aq i thjeshtë dhe nuk mund të zgjidhet me një shkop magjik për të cilën gjë është e vetëdijshme mbarë bota dhe tashmë e ka të njohur çdokush që ka sadopak interesim për këtë çështje. Prandaj, propozimet dhe meditimet joreale, të njëtrajtshme, të cilat nisen nga strategjia për dominim tradicional në një rajon të caktuar janë të vjetruara, nuk janë të pranueshme dhe nuk kanë kurrfarë perspektive.
Tentimi për përcaktimin e trupave ndërkombëtare në të cilat do bëjnë pjesë edhe ushtarët rusë dhe të ngjashëm, të cilët do stacionohen në pjesë të caktuara të Kosovës, që janë të banuara me „popullatë shumicë serbe”, paraqet hap të rrezikshëm dhe shprehin tentim të hapur për ndarjen e Kosovës. Këto janë qëllime të Millosheviqit me realizimin e të cilave, ai pak a shumë do të mund të arsyetohet para popullit të vet se Kosova megjithatë nuk është e humbur.
(…)
Po të nisemi nga supozimi, dëshira dhe tentimi për ndarjen e Kosovës në dy pjesë, pa mëdyshje bëhet i imponueshëm konstatimi dhe deklarimi i hapur dhe decid se, nëse dëshirojmë zgjidhje fatlume, ky variant vetvetiu bëhet i përjashtueshëm meqë sido që të merret nuk përmbush asnjë kriter real e të pranueshëm i cili do të ishte pikënisje për trajtim më serioz e meritor. Ndër shkaqet e disfavorshme të variantit për ndarje paraqitet nevoja e prezantimit dhe elaborimit të pasojave dhe efekteve negative që do të dilnin si rezultat i zgjidhjes së tillë të problemit sepse ndarja;
1.Do të paraqesë krizë të re në Kosovë,
2.Do të paraqesë krizë të re në rajon dhe,
3.Do t’i rrënojë prirjet dhe përcaktimet themelore të disa dokumenteve me rëndësi ndërkombëtare.
Rrethanat e njohura objektive, praktike me forcën e argumenteve forcojnë bindjen se ndarja e Kosovës, ashtu siç mendohet, në pjesën shqiptare dhe pjesën serbe, detyrimisht dhe në mënyrë të pashmangshme do të krijonte një realitet të ri, ku bota do të kishte një pasqyrë të shtrembëruar, të kundërshtueshëm në parim e që do t’i shtonte antagonizmat ndëretnike.
Nga ajo që e dinë të gjithë, por që paraqet edhe veçanti të Kosovës konkludohet lehtë se pjesa serbe do të ishte e pasur me pasuri të ndryshme tokësore dhe nëntokësore. Shqiptarët historikisht kanë paraqitur pakënaqësi me mënyrën e eksploatimit dhe shfrytëzimit pikërisht të këtyre pasurive (është i njohur slogani – Trepça punon, Beogradi ndërton) dhe atë gjithmonë e kanë vlerësuar eksploatim të pashpirt, dhe e kanë shfrytëzuar si element themelor dhe shumë të fuqishëm në hartimin e propagandës politike për të arsyetuar nevojën për republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë dhe për të zbutur arsyet për mungesën e duhur të zhvillimit ekonomik.
(…)
Kështu, nëse merret parasysh fakti se Kosova me siguri për një kohë të gjatë do të jetë nën administrimin dhe përkujdesjen e forcave dhe strukturave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara bëhet imanente shpjegimi i shkakut që i shtynë serbët, edhe pse nën juridiksionin e OKB-së, të jetojnë ndaras nga shqiptarët. Logjika e gjërave çon pashmangshëm në konstatimin e ekzistimit ose krijimit të një strategjie të re e cila mban llogari për rrethanat që do të paraqiten një ditë dhe pozicionin që do të kenë me atë rast serbët e kësaj pjese. Qëllimi përfundimtar dhe strategjia afatgjatë serbe gjithsesi e mbështetur nga rusët mban llogari për veprimin në moment të caktuar, (koha kur para organeve të Kombeve të Bashkuara për zgjidhje do të shtrohet çështja e Kosovës,
(…)
Me atë rast, serbët, duke refuzuar bashkëjetesën, e bashkëqeverisjen me shqiptarët dhe duke krijuar një realitet të ri në një pjesë të caktuar të territorit, do të insistonin që pjesa e tyre, nëse kërkohet deklarimi i popullit respektivisht, nëse organizohet referendum, të vendosë në mënyrë të pavarur, ose rezultatet e kësaj pjese të fitojnë peshë relevante gjatë vendosjes për statusin e kësaj pjese. Alternativa tjetër është edhe krijimi i kushteve reale për kantonizim eventual të Kosovës me ç‘rast ky territor do të paraqesë një tërësi.
(…)
Pikërisht këtu, në përpjekjet për zgjidhjen e krizës kosovare hapet një kaptinë krejtësisht e re, me shumë të panjohura si për vetë popujt e këtij rajoni, ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi. Hapet një kaptinë e ngjalljes së orekseve të vjetra për zgjerim territoresh, për kthim në vendime të ndryshme historike si të Kongresit të Berlinit, të paqes së Shën Stefanit ose marrëveshjes së Bukureshtit. Pra, mund të ndeshemi me një situatë e cila mund të rrënojë strategjinë globale që po promovohet si intencë e organizmave ndërkombëtarë për formimin e strukturave rajonale që ndërmjet vete do të bashkëpunojnë e nuk do të konfrontohen. Kjo situatë tepër delikate dhe serioze gjithësesi kërkon qasje më komplekse meqë gjërat mund të komplikohen aq shumë saqë të shkaktohet krizë e përgjithshme e madhe territoriale në rajon.
(…)
Aktualisht vendosmëria e fuqishme e NATO-s që me aq ashpërsi të vërsulet ndaj Jugosllavisë për asnjë moment nuk lë përshtypje se synohet ndarja e Kosovës dhe hapja e krizave të reja, krijimi i mosmarrëveshjeve dhe komplikimeve të tjera me përmasa edhe më të mëdha. Qëndrimi i NATO-s qartazi është i drejtuar nga mbrojtja e konceptit për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës në kufijtë ekzistues pavarësisht nga statusi përfundimtar që do asaj t’i përcaktohet. Por aspak s’duhet hequr nga mendja edhe veprimin tepër perfid e të pabesë (kjo është dëshmuar jo njëherë) të Rusisë dhe vënia në lëvizje e të gjitha marifetllëqeve që mund t’i pështjellojë diplomacia ruse dhe serbe. Prandaj, ndaj kësaj çështjeje nuk duhet ndenjur indiferentë, nuk duhet fjetur mendjen se çdo gjë është e programuar por duhet kushtuar kujdes meritor.
(…)
Nga këto arsye, por edhe skenare të mundshme, variante dhe nënvariante më së miri do të jetë nëse shqiptarët e dëbuar nga Kosova të kthehen në vatrat e tyre, ku do të krijohen parakushte politike dhe kushtetuese për jetesë të të gjitha bashkësive etnike që edhe deri më tani kanë jetuar në Kosovë. Kjo do të bëhet një realitet vetëm nëse plotësohen pretendimet dhe kërkesat e shqiptarëve e jo dëshirat dhe ëndrrat e regjimit të Millosheviqit dhe të hegjemonizmit serb për të dominuar në Ballkan.
Nëse synohet që të kalohet në zgjidhjen e krizës kosovare me ndarjen e Kosovës, të ikurit dhe të dëbuarit (refugjatët) nga territoret që do të ishin nën ndikimin serb në asnjë mënyrë nuk do të kthehen në vatrat e veta. Të gjitha shtetet të cilat do të këmbëngulin që t’i kthejnë ata, këtë gjë do të duhet ta bëjnë me deportimin e tyre për çka me siguri do të akuzohen ashpër nga opinioni i gjerë.
Atëkohë, nuk ishin të pakët shqiptarët (në veçanti ato që për shkak të represionit të vrazhdë serb kohësisht qëndronin në Maqedoni) duke përfshirë edhe intelektual me pedigre që nën ndikim të emocioneve mendimet e mia të shfaqura publikisht i vlerësonin si një fantazi të çuditshme.
Njësoj mendonin edhe për shkrimet e mia të botuara në korrik të vitit 1998 ku kisha shfaqur mendimin se në rrugëtimin drejt pavarësisë së plotë Kosovës duhet t’i caktohet një protektorat ndërkombëtar për një afat jo më të gjatë se 15 vite.
Në tekstin e para 19 viteve janë theksuar edhe pasojat që do të shkaktonte ndarja e Kosovës duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës, posaçërisht Maqedoninë dhe përpjasjet që mund të ndodhnin në Greqi – Çamëri, Bosnjë etj. etj.
Me këtë rast nuk i jap vetes të drejtë me asnjë fjalë të dal para organeve kompetente të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, e ndjej të nevojshme që në funksion të ndërtimit të ardhmërisë, të ballafaqimit me sfidat e vështira të kohës që i presin pasardhësit tanë, të bëhemi më të përgjegjshëm dhe të mos gatuajmë brume të padëshirueshme, t’ua ndërpresim ushqimin me përmbajtjet helmuese e përçarëse në „patriotë” e „tradhtarë”.
Tashmë thuajse po bëhet rreth një shekull që Ahmet Zogun e quajmë shitës të territorit për shkak të një manastiri në Ohër. Enver Hoxhën e akuzojmë se e shiti Kosovën edhe pse ai formalisht dhe juridikisht atë nuk e dispononte.
Udhëheqja e Kosovës – kryetari Hashim Thaçi – Kosovën e shpalli Shtet të Pavarur dhe Sovran në mbarë territorin e saj. Këtë pavarësi e sovranitet e kanë njohur 113 shtete të botës. Pse ajo duhet të reduktojë territorin e vet. Këmbimi i territoreve në asnjë mënyrë nuk do të mund të mbulonte humbjen e madhe që Kosovës do t’i shkaktohej me shkëputjen e veriut të vendit. Dhe në fund.
Udhëheqësit e UÇK-së që krenohen me çlirimin e Kosovës duhet të vetëdijesohen se në rast të ndarjes ata historia nuk do t’i njoh si çlirimtarë të vendit por si shitës të territorit ndërkombëtarisht të njohur. T’i kursejmë gjeneratat e reja nga përmbajtje të këtilla.
Në librin tim më të ri „Shqiptarët e Maqedonisë dhe ardhmëria e shtetit” që shumë shpejt do të gjendet në duar të lexuesve janë elaboruar edhe përkëpamje lidhur me mundësinë e një konfigurimi të ri të jetesës së shqiptarëve në këto hapsira.
Mahi Nesimi
Autori është, politolog, publicist dhe ish ambasador.

Loading...