Pas publikimit se shteti ka marrë hua 32,5 milionë euro që ta kthejë borxhin me vlerën e njëjtë, borxhi publik arriti 47,2% të BPV. Nga Ministria e financave thonë se kjo përqindje nuk është edhe aq drastike sepse qeveria ka strategji se si ta ulë borxhin.

“Bëjmë përpjekje në të gjitha institucionet, u bëjmë presion që t’i realizojnë investimet kapitale, andaj në periudhën në vijim, bëmë disa analiza, nëse ka nevojë do të bëhet rebalancë të buxhetit që t’i shpërndajmë atje ku mendojmë se ka nevojë. Ne jemi në fazë të përgatitjes së ligjit të ri për buxhet në të cilin do të parashihen disa masa më konkrete, dhe ndoshta do të kemi edhe këshill fiskal”, u shpreh Shiret Elezi, zëvendës ministër i financave.

Ish ministri i financave, Xhevdet Hajredini, tha se pushteti bën propagandë me shifra. Sipas tij, nuk paraqet problem lartësia e borxhit, por mënyra e shpenzimit të parave. Hapat që i ndërmerr qeveria këtë vit janë dëshpëruese, tha Hajredini.

“Në Maqedoni asnjëherë nuk ka arritur as 50%. Çështja është se ku harxhohen paratë që merren nga bota e jashtme? Në qoftë se harxhohen atje ku shpin në rritje të prodhimit shoqëror, atëherë nuk ka problem të jetë edhe 60%, kështu që qeverisë aktuale nuk i duhen këto metoda të propagandës partiake dhe qeveritare, njësoj siç e bënte partia që ishte në pushtet”, tha Xhevdet Hajredini, ish ministër i financave.

Deri në vitin 2016, borxhi publik ishte 48.5% i BPV-së, ose 4,7 miliardë euro. Për këtë vit parashihet rritje e BPV-së prej 3,2%, por në tremujorin e parë të vitit 2018, ekonomia u rrit për vetëm 0,1%.

Loading...