Rusia dhe kufijtë e pushtetit

George Friedman “Geopolitical Futures”

Qeveria e Bjellorusisë, ka njoftuar se nuk do të lejojë më shumë se dy baza ushtarake të huaja në territorin e saj. Aktualisht, në këtë vend ekzistojnë dy baza ushtarake ruse, dhe nuk ka gjasa që ndonjë vend tjetër të ketë sugjeruar vendosjen e bazave të reja ushtarake atje.

Prandaj është e arsyeshme të supozohet, se rusët i kanë kërkuar Bjellorusisë lehtësira ushtarake shtesë, dhe Minsku e ka refuzuar këtë kërkesë. Arsyeja kryesore e interesit rus në Bjellorusi është e qartë. Balltikët janë pjesë e NATO-s, Ukraina ka një qeveri pro-perëndimore, dhe Bjellorusia është pjesa e fundit e zonës tampon, që nuk është haptazi anti-ruse.

Nëse Bjellorusia do të ndryshonte qëndrimin e saj, dhe do të kthehej kundër Rusisë, e gjithë zona tampon do të zhdukej, dhe bashkë me të edhe thellësia strategjike, mbi të cilën është mbështetur për shumë kohë Rusia.

Natyrisht, më shumë baza do të forconin pozicionin e Rusisë në Bjellorusi.
Aftësia për të mbështetur forca më të mëdha dhe më të rëndësishme në Bjellorusi, do t’i jepte Moskës më shumë aftësi sulmuese. Kufiri verior i Ukrainës do të qe i cënueshëm, dhe aftësia e Rusisë për të projektuar forca
në perëndim gjithashtu do të rritej.

Rusët nuk kanë gjasa të fillojnë një sulm ndaj Bjellorusisë, pasi lufta është gjithmonë e rrezikshme:rezultati është i panjohur, dhe kostoja e humbjes mund të jetë destabilizuese për Rusinë. Por aftësia për ta bërë këtë, mund të vendosë rajonin nën presion.

Refuzimi i Bjellorusisë ndaj idesë së ndërtimit të më shumë bazave ushtarake në vend, dëshmon se Rusia po mbërrin tek kufijtë e fuqisë së saj, ose me fjalë të tjera, po ndeshet me problematikën që ndeshet me zgjerimin e pushtetit, pikërisht për shkak se ajo ka pak opsione.

Rusët po përpiqen të rrisin perceptimin e fuqisë së tyre, qëkur perëndimi u kthye kundër tyre pas krizës në Ukrainë të vitit 2014. Në një masë të madhe, Rusia i ka bindur vendet e tjera se është një fuqi në rritje. Por, duke qenë një fuqi në rritje, nxit gjithmonë rezistencë nga ata që i frikësohen rritjes së saj.

Kjo e detyron gjithashtu Rusinë të shqetësohet për ngjarjet që janë në zonën e saj të interesit, duke e detyruar atë të shpërndajë vëmendjen dhe fuqinë e saj. Fakti që ka një dëshirë për të bindur vendet e tjera, se Rusia është një fuqi në rritje, është tregues i kufijve të fuqisë së saj.

Zgjerimet në rajon

Rusia po shqyrton mundësitë e saj në Ballkan, dhe në veçanti po qëndron pranë serbëve, të cilët janë të pakënaqur me ngritjen e fuqisë shqiptare në Kosovë në veçanti, dhe rajon në përgjithësi. Vendimi fillestar i Maqedonisë për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare, u mor për të menaxhuar realitetet e saj të brendshme, dhe gjithashtu për të qetësuar Shqipërinë.

Futja e gjuhës së dytë, u mbështet nga kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili u ngjit në pushtetin me mbështetjen e partnerëve shqiptarë. Ai dëshiron ta ruajë këtë mbështetje, për të përfshirë shqiptarët në zgjidhjen e çështjes maqedonase, dhe për të përshpejtuar pranimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Edhe pse presidenti maqedonas Gjorge Ivanov vuri veton ndaj këtij vendimi një javë më vonë, prirja e përgjithshme e mbështetjes së Shqipërisë mbetet. Normalisht kjo çështje nuk do t’i interesonte rusëve.

Megjithatë, Serbia është jashtëzakonisht e alarmuar prej zhvillimeve të fundit, dhe për këtë arsye rusët u detyruan të reagonin duke dënuar vendimin e fundit të parlamentit maqedonas. Përpjekja e Rusisë për t’u paraqitur si një fuqi e madhe, çoi në përfshirjen e saj me Serbinë, duke u ngatërruar kësisoj me interesat serbe.

Një situatë e ngjashme ekziston në Turqi. Rusët ndërhynë në Siri për të ruajtur regjimin e presidentit Bashar Al-Asad. Kjo nuk ishte me një rëndësi strategjike mbizotëruese për ta, por duket se qe një rrugë me rrezik të ulët për të treguar fuqinë e tyre.

Evolucioni i ngjarjeve në Siri, i ka çuar turqit në prag të ndërhyrjes kundër kurdëve. Rusia dëshiron marrëdhënie të mira me Turqinë, pavarësisht armiqësisë së Turqisë ndaj regjimit të Asadit, por nuk ka një rol të madh në të ardhmen e kurdëve (përveç rastit kur armiqësia turke ndaj përpjekjes së Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur kurdët, duhet të kënaqë rusët).

Qeveria siriane, ka kërcënuar se do të qëllojë avionët ushtarakë turq që flurutojnë mbi Siri, gjë që e komplikon strategjinë e Turqisë për t’u marrë me kurdët, duke bërë që kreu i inteligjencës turke të shkojë urgjentisht në Moskë, për të biseduar me rusët lidhur me këtë çështje.

Kjo i vendos rusët në një pozicion të vështirë, përderisa turqit do t’i mbajnë ata përgjegjës për gjithçka që mund të ndodhë. Të gjitha këto çështje – bazat ushtarake bjelloruse, ligji mbi përdorimin e gjuhëve në Maqedoni dhe hapësira ajrore siriane – nuk qenë të rëndësishme për Rusinë para vitit 2014.

Tani rusët, duhet të ndjehen siç ndjehen amerikanët thuajse gjithmonë, duke u përpjekur të zgjidhin një problem që nuk është në të vërtetë shqetësimi i tyre, për të mbrojtur një interes të politikës së jashtme që është real, por tre apo katër nyje poshtë vijës.

Fuqia ruse, është ndoshta më e mirë-menaxhuar në këtë moment, sesa ajo amerikane, por nuk është as për së afërmi aq e thellë. Dhe Rusia po e ngatërron veten me çështje mbi të cilat ka pak fuqi, ose që çojnë drejt një situate të papërshtatshme.

Rreziqet e ngatërrimit të huaj, rrisin fuqinë më pak themelore që ka një komb. Rusia, ashtu si Shtetet e Bashkuara, po përjeton kufijtë e asaj fuqie, një kufi që është gjithnjë e më problematik, për shkak të asaj që rusët kanë nevojë të dëshmojnë, se ata kanë më shumë pushtet nga sa kanë në të vërtetë.

Përktheu: Alket Goce

Loading...