Shaban Murati
Një arsye shumë e fortë duhet ta ketë shtyrë ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov, të ndërmarrë në 21 shtator vizitën në Sarajevë dhe në Banja-Luka të Bosnjë-Hercegovinës, duke bërë një devijim të zhurmshëm nga norma diplomatike, sipas së cilës diplomacia nuk zhvillon vizita të nivelit të lartë në një shtet, që ndodhet në fushatë elektorale. Dy javë para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 7 tetorit në Bosnjë-Hercegovinë shefi i diplomacisë ruse shkon atje në kulmin e fushatës elektorale në një akt ndërhyrje të hapur në procesin elektoral të Bosnjë-Hercegovinës, sepse është e njohur ndërkombëtarisht që Moska është palë me entitetin dhe udhëheqësin separatist të “Serpska republikës”.
Moska po manifeston një padurim të madh për ambicien e beniaminit të saj Milorad Dodik që të fitojë postin e përfaqësuesit presidencial serb në presidencën trepalëshe, që drejton shtetin e Bosnjë Hercegovinës. Nëse Dodik do të bëhet anëtar i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, kjo do të përbënte një fitore të diplomacisë dhe të influencës ruse në shkallë shteti, sepse bllokimi i funksionimit të shtetit unik do të arrinte shkallën më të lartë, gjë që është objektiv i Rusisë.

Institucionet dhe shërbimet ruse po punojnë me kapacitet të plotë për ta kryer fitoren e Dodikut në postin e anëtarit të presidencës së shtetit. Në funksion të kësaj ministri i jashtëm rus bëri vizitë të posaçme pompoze në Banja-Luka, kryeqendra e “serpska republikës”. Si në një miting elektoral Lavrovi i thuri elozhe publike udhëheqjes së Dodikut dhe kontributit të tij të posaçëm në marrëdhëniet e posaçme midis Rusisë dhe “srpska republikës”, madje formatoi fjalimin sikur ishte në shtetin e pavarur të “serpska republikës”. Në fjalën e mbajtur në konferencën shtypit në Banja-Luka bashkë me Dodikun, Lavrov evokoi “nyjet e miqësisë dhe rrënjët historike e shpirtërore që lidhin dy popujt tanë”, duke sanksionuar statusin e një marrëdhënie midis dy shteteve të pavarura.
Në funksion elektoral e filorus ishte lënë qëllimisht që Lavrovi të vendoste gurin e themelit të ndërtimit në qendër të Banja-Lukës të katedrales së madhe ortodokse ruse, e cila do të drejtohet nga priftërinj rusë dhe do të jetë boshti i Qendrës së re të kulturës ruse në Banja-Luka. Në funksion elektoral Moska dërgoi para Lavrovit në Banja-Luka për të mbështetur udhëheqësin separatist serb Dodik presidenten e Këshillit të Federatës Ruse, Valentina Matvijenko, dhe governatorin e Shën Petërsburgut dhe një nga njerëzit më të afërt të presidentit rus, Georgij Polltavçenko. Dhe si për për t’i venë kapakun mbështetjes ruse, pas vizitës së Lavrovit Banja-Luka njoftoi se vetë presidenti Vladimir Putin do të presë Dodikun në Soçi pak ditë para zgjedhjeve.
Kjo mbështetje kaq e hapur diplomatike, politike, financiare dhe e shërbimeve sekrete, që Moska po i jep udhëheqësit radikal nacionalist të serbëve të Bosnjës është mbështetje për kursin separatist të tij dhe lidhet me rolin destabilizues, që rusët i kanë caktuar atij për të luajtur kartën destruktive brenda shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, por edhe më gjerë në rajonin e Ballkanit. Kjo shpjegon paradoksin diplomatik që presidenti rus Vladimir Putin e ka takuar tetë herë udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Dodik, që në fund të fundit është drejtues i një entiteti lokal në një shtet të vogël ballkanik, që është shumë larg kufijve rusë.
Moska ka interes strategjik që “serpska republika” të shkëputet nga Bosnjë-Hercegovina. Milorad Dodik i ka ofruar zyrtarisht Moskës që të vendosë një bazë ushtarake ruse në territorin e “serpska republikës”. Jo rastësisht në konferencën e përbashkët me Lavrovin, Dodik u ankua që në Ballkan ka ushtarë perëndimorë, por nuk ka ushtarë rusë. Burime diplomatike bëjnë të ditur se aktualisht po zhvillohen bisedime të fshehta midis Moskës dhe Banja-Lukës për të ndërtuar në “serpska republika” një të ashtuquajtur bazë humanitare ruse si ajo e Nishit në Serbi.
Rëndësinë e veçantë, që Moska po i jep presidentit të “serpska republikës”, e shpjegon qartë gazeta e mirënjohur ruse “Komersant”, e cila në artikullin e saj të datës 22 shtator, kushtuar vizitës së Lavrovit në Banja-Luka, shkruan: “Hyrja e M.Dodikut në presidencën e Bosnjë-Hercegovinës i vjen për shtat Moskës. Zgjedhja e tij faktikisht e bllokon procesin e mëtejshëm të bashkimit të Bosnjë-Hercegovinës me BE dhe me NATO-n”. Gazeta ruse shpjegon pra thelbin e ofensivës diplomatike të Moskës në Banja-Luka. Moska po kalon në një fazë të re të revanshit të saj diplomatik dhe politik në Ballkan për të aktivizuar më fort ushtarët e saj në fushën e shahut gjeopolitik ballkanik dhe ku aktualisht ka mbetur vetëm me dy ushtarë: Banja-Luka dhe Beogradi.
Kaq i dobët është pozicioni diplomatik i Moskës në Ballkan, sa që ministri i jashtëm rus nuk po ruan as etiketat formale të marrëdhënieve ndërshtetërore, por thirri për bisedime në Banja-Luka në 21 shtator edhe zëvëndëskryeministrin dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Lavrovi e kishte thirrur Daçiçin për bisedime në Rusi edhe në datën 28 qershor 2018, edhe në datë 21 gusht 2018. Ç’janë këto bisedime urgjente në Banja-Luka në datën 21 shtator, në territorin e një shteti tjetër dhe në një entitet artificial, i cili rivendikon bashkimin me Serbinë? Në gjuhën e taktikës kjo mund të quhet mobilizim diplomatik i politikanëve dhe i forcave proruse në terrenin ballkanik.
Moska po kërkon hapur t’i kundërvihet Bashkimit Europian dhe Perëndimit dhe po ngre me forcë të re pretendimin për sferën e saj të influencës në Ballkan. Dhe po shpall sanksionimin e sferës së saj të influencës në dy entitetet serbe: “Serpska republika” dhe Serbia. Është një lëvizje diplomatike ruse, e cila kërcet. Siç kërciti në Banja-Luka pretendimi i hapur i ministrit të jashtëm rus, i cili iu drejtua BE me kërkesën publike që t’i hapë vend Rusisë për pjesën e saj të influencës në Ballkan.
Në një intonim të pashembullt antidiplomatik, Lavrov sulmoi në Banja-Luka shefen e politikës së jashtme të BE, Federika Mogherini, sepse sipas tij në fillim të muajit shtator ajo ka deklaruar se Ballkani është territor i Bashkimit Europian. Federika Mogherini nuk ka bërë asnjë gabim, por ka pohuar një realitet, një të vërtetë diplomatike, historike dhe juridike, sepse të gjitha shtetet e Ballkanit pa përjashtim janë anëtarë ose kanë kërkuar të bëhen anëtarë të BE. Madje edhe Serbia, që është aleate strategjike e Rusisë, është shtet kandidat i BE dhe ka hapur bisedimet e pranimit me BE.
Edhe Bosnjë-Hercegovina, me konsensusin edhe të “serpska republikës”, ka kerkuar të bëhet anëtare e BE. Ndaj sulmi diplomatik i Lavrovit kundër BE në fakt i kundërvihet vijës zyrtare të të gjitha shteteve të rajonit, të cilat e shohin të ardhmen e tyre me BE-në. Shqetësimi real i diplomacisë ruse është që BE dhe SHBA të pranojnë Rusinë në fushën ballkanike dhe t’ njohin asaj të drejtën e pjesës së sferës së influencës. Nuk është e rastit që diplomacia ruse po e shoqëron këtë ofensivë edhe me disa nisma e lëvizje të reja. Një nga këto është propozimi i ri i Moskës, që e bëri të ditur anëtari serb i presidencës trepalëshe boshnjake pas takimit me Lavrovin në 21 shtator, se Rusia ka propozuar që të organizohet një format i katër shteteve: Rusi, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Turqi, për të diskutuar çështjet e Bosnjë-Hercegovinës.
Është një nismë që synon të legalizojë rolin e posaçëm të Rusisë në Bosnjë dhe të drejtën e ndërhyrjes ruse atje. Sipas të njëjtit burim, kërkesën e Rusisë nuk e ka pranuar Bakir Izetbegoviç, anëtari i presidencës trepalëshe, i cili përfaqëson popullin boshnjak, që është populli më i madh i shtetit.
Në të njëjtën kohë Moska po lëviz të përfitojë nga situata inkandeshente midis Serbisë dhe Kosovës në prag të arritjes së një marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. Moska po kërkon të rifitojë rol në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, duke përdorur udhëheqjen e Beogradit, e cila po ngulmon që të jetë edhe Rusia në tratativat midis Serbisë dhe Kosovës. Pas takimit me Lavrovin ministri i jashtëm serb deklaroi se pa Rusinë nuk mund të ketë marrëveshje me Kosovën. E habitshme është që në favor të një rifutje të Rusisë po shfaqen disa qëndrime dhe teza disfatiste nga Prishtina, sipas të cilave Serbinë nuk mund ta detyrojë të njohë Kosovën as SHBA, as BE dhe as NATO, ndaj duhet ftuar edhe Rusia. Këto janë qëndrime që vijnë erë ruse dhe serbe.
Rusia, duke parë që Ballkani po i rrëshqet nga influenca, sidomos pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe hapjes së perspektivës së shpejtë atlantike të Maqedonisë me marrëveshjen për emrin me Greqinë, po nxiton të riorganizojë forcat dhe mundësitë, që i kanë mbetur në shahun gjeopolitik ballkanik. I kanë mbetur dy ushtarë në fushë: Beogradi dhe Banja-Luka, të cilët po i aktivizon jo për të fituar Ballkanin, por për të turbulluar lojën, rregullat dhe Ballkanin.
(BalkanËeb)

Loading...