Sa është larg demokracia nga Maqedonia?

Shteti nuk duhet të lihet në duar të hajdutëve. Është kjo maksima sipas të cilës po veprojnë qindra mijëra protestues rrugëve të Rumunisë, pas tentimit të pushtetit që që nëpërmes një dekreti të legalizojë keqpërdorimin e pushtetit. Dalja e madhe e qytetarëve në rrugë, bashkëngjitja e presidentit rumun Klaus Johannis në protesta, dorëheqja e ministrit të Tregtisë- Florian Jianu dhe tërheqja e dekretit nga ana e Qeverisë vërtetuan një fitore bindëse të qytetarëve.

Një fotografi dhe leksion nga Maqedonia që nuk u pa në Maqedoni edhe pas publikimit të a.q “bomba” ku flitej për keqpërdorimet e pushtetit. Dhe kjo parashtron çështjen, sa vend demokratik është Maqedonia?!

Aktivisti dhe njohësi i rrethanave politike Petrit Saraçini vlerëson se Rumunia është “shkollë” për demokraci në Ballkan, që me përmbysjen e regjimit të Çausheskut.

Ai vë në theks se politikanët në Rumuni, që atëherë, e dinë se me atë popull kur del në rrugë nuk guxojnë të luajnë lojëra.

“Është një mësim i mirë për sovranitetin e qytetarëve, për të gjithë popujt e fqinj, por edhe më gjërë”, deklaroi për gazetën Lajm Saraçini.

Sipas tij, në Maqedoni, për fat të keq, mungon një solidaritet i tillë mes qytetarëve.

“Mungon vetëdija për të mirën e përbashkët. Po e shohim se më tepër se një muaj në shumë qytete po thithim ajër të helmuar, e askush nuk lëviz. Ndryshimet ndodhin kur ka presion prej qytetarëve, por jo presion afatshkurtër, por të qëndrueshëm. Qytetarët në Rumani ishin të gatshëm të mos lëvizin vendit pa u përmbushur kërkesat e tyre. Kur do të vimë në Maqedoni deri në atë stadium të vendosmërisë, atëherë do të kemi demokraci dhe do të ecim përpara”, përfundoi Saraçini.

Kujtojmë shembullin e ministrit rumun të Tregtisë Florian Jianu. Ai tha dorëheqje të enjten e kaluar. “Kështu po më thotë ndërgjegjja”, shkroi Jiani në Facebook. Dhe shtoi se po largohej nga qeveria në mënyrë që një ditë të mos i thotë fëmijës së tij se “babai yt ishte një burracak që pranoi gjëra me të cilat nuk pajtohej”. Jianu përbën një përjashtim në qeverinë rumune. Anëtarët e tjerë të kabinetit, përfshirë kryeministrin Sorin Grindeanu, nuk treguan ndershmëri të tillë.

Në Maqedoni shteti është pasuri që duhet të grabitet

Analisti politik, Albert Hani mendon se rumunët e ndjejnë shtetin si shtet të tyre, ndërsa këtu shteti është pasuri që duhet të grabitet.

“Ndjesia për pronësi të shtetit besoj se është ngushtë e lidhur me vlerat e lojalitetit dhe përgjegjësisë sociale. Nga njëra, anë shteti që të ndjen si të huaj dhe të bën presion nuk të len ta duash. Ndërsa nga ana tjetër, në kulturë ku kultivohet koncepti i shteti si element huaj, i cili duhet të vidhet dhe përdhunohet për mirëqenie personale, nuk mund të pritet përgjegjësi sociale nga individ. Kështu, nuk mund të presim që individët ta marrin guximin për ndryshime pozitive, por do presim që ata idnividë të mësohen se si ta manipulojnë sistemin që të pasurohen sa më shpejtë”, tha për gazëtën Lajm Hani.

Sipas tij, Rumania ka eksperiencë pozitive me luftën kundër hajnave të pasurisë publike, te ne ende ska nis lufta kundër korrupsionit. “Atje, Prokurorja Speciale arriti që t’ia kthejë shtetit pasurinë e vjedhur nga funksionarët politik. Futi në burg politikan të korruptuar. Tani në Rumuni Pasuria publike është pasuri e çdo shtetasi rumun. Te ne, për fat të keq, shteti nuk na mbron si individë, kështu nuk mund të pres nga ne ta mbrojmë pasurinë dhe trashëgiminë e shtetit”, deklaroi Hani.

Ai kujton se në Rumuni protestat u organizuan nga shoqëria civile dhe jo nga partitë politike opozitare. “Atje edhe policët kënduan himnin bashkë me protestuesit, nga se edhe ata besonin se duhet ta mbrojnë pasurinë publike. Fëmijët loznin, këndonin, vizatonin, por dhe e dinin se atje dikush po jua vjedh ardhmërinë”, përfundoi Hani.

Presidenti Klaus Johannis ishte një nga kritikët më të fortë të dekretit. Ai e quajti “ditë zie” momentin e njoftimit të projektligjit, e tha se deri në ditën e fundit në detyrë do të luftojë për rivendosjen e shtetit ligjor. Presidenti rumun, i cili mori pjesë edhe në protesta është kërcënuar disa herë me shkarkim nga posti prej krerëve të Partisë populiste Socialdemokrate dhe aleatëve të saj liberalë në koalicionin qeverisës.

“Uroj shumë që kjo qeveri të bjerë. Kjo nuk është ajo që ne duam, sepse janë zero në çdo gjë. Nuk ka asnjë lloj respekti për ne dhe nuk ka asnjë grimë dinjitet”, tha një protestues.

Aktivitetet koordinohen në shtabe partiake

Të rinjtë në Maqedoni veçojnë militantizmin partiak si një pengesë për qytetarinë aktive. Sipas tyre, në një shoqëri ku edhe studentët, mësimdhënësit dhe klerikët fetarë janë partizuar, nuk mund të presim asgjë pa urdhërin e partisë.

Faton Curri aktivist cilëson se shoqëria jonë është ngopur me militant, derisa kemi nevojë si asnjëherë tjetër për intelektualë.

“Militanti nuk brengoset pse i ndalin fjalën, por pse i ndalin pagën; intelektuali nuk brengoset pse i ndalin pagën, por pse i ndalin fjalën. Militantët janë për ‘shprehjen e fjalës së lirë, kurse intelektualët për ‘lirinë e shprehjes së fjalës’. Intelektuali është për një qytet (polis) politik, ndërsa militanti për një partizim të tij. Prandaj militanti vepron vetëm në shtabe partiake e në fushata parazgjedhore, derisa intelektuali vepron para e pas fushatave, jashtë shtabeve. Intelektuali reagon kur rrezikohet populli, ndërsa militanti kur rrezikohet partia. Këto janë pasojat e shoqërisë së partizuar. Militanti del në aktivitete qytetare vetëm nëse partia e tij e organizon, sulmon çdo aktivitet qytetar nëse partia tjetër e organizon. Në një shoqëri ku edhe studentët, mësimdhënësit dhe klerikët fetarë janë partizuar, nuk mund të presim asgjë pa urdhërin e partisë”, tha Curri për gazetën Lajm.

Në një shtet hibrid siç është Maqedonia, me një demokraci të dëshiruar të fjalës si dhe me probleme të trashëguara nga e kaluara, qytetaria aktive do të ishtë një katalizator i vërtetë i ndryshimeve në këtë vend, tha Kastriot Osmani, student.

“Kapja e çdo poreje të jetës nga pushteti tash e sa kohë autokratik, pamundëson zhvillimin e demokracisë aktive ku qytetari do të ishte qendra e vëmendjes si dhe mbrojtësi më i ndjeshëm i funksionimit të demokracisë. Ngjarjet në rajon e më gjërë na bëjnë për të reflektuar se jemi vonë në shtetndërtim, ku krimi dhe korrupsioni është mishëruar dhe është sinonim i pushtetmbajtësve”, potencoi për gazetën Lajm Osmani.

Nga këndvështrimi i tij shoqërisë medoemos i nevojiten institucione të shëndosha edukativo/arsimore, politika ekonomike zhvillimore si dhe drejtësi për të gjithë etnikumet që gjërat të vihen në binarë.

“Fatkeqësisht rinia është e stërlodhur dhe në vend se t’i mbushin sheshet me protestues, ata/o po marrin rrugën e emigrimit gjë që padyshim se zbehë luftën kundrejt kësaj të keqeje”, përfundoi ai.

Loading...