Analizë Almakos

Mediat raportojnë për formimin e ‘brigadave popullore’ dhe për grumbullimin e vullnetarëve ‘patriotë’ maqedonas, që janë të gatshëm ta mbrojnë Maqedoninë. Por pa treguar se cili është armiku që e kërcënon shtetin? Apo mbase bëhet fjalë për diçka që edhe nënkuptohet në këtë Maqedoni, ku jo tani, po prej moti, çdo gjë është vënë në mbrojtje të shtetit nga “rreziku shqiptar”. Pra, për diçka që e din të gjithë dhe që nuk kanë nevojë ta thonë mediat: se këto grupe vullnetarësh dhe patriotësh maqedonas, janë vënë në mbrojtje të shtetit nga “Platforma e Tiranës”!?

Thuhet se në Maqedoni veprojnë legalisht rreth 20 grupe të ashtuquajtura patriotike, e të cilat pohojnë se kanë për qëllim mbrojtjen e Maqedonisë. Gjë që të nxit ta ripërsëritësh pyetjen: nga kush duhet ta mbrojnë vendin dhe vallë ky shtet ka apo nuk ka ushtri dhe polici legale, që duhet t’i mbrojnë qytetarët dhe pronën e tyre!?

Dhe përderisa shtrohet numri i patriotëve maqedonase që hapur e shprehin gatishmërinë për ta dhënë jetën në mbrojtje të vendit nga “rreziku shqiptarë” që u vjen nga Tirana, pra përderisa antishqiptaria në këtë shtet vazhdon të jetë legale, ligjore dhe e shpërblyeshme, shqiptarët vazhdojnë të jenë aty ku i solli BDI’ja gjatë dhjetë viteve t fundit, sa ndershëm dhe besnikërisht i shërbeu po kësaj VMRO-DPMNE-je që sot e mbron shtetin nga ‘Platforma e Tiranës’: në margjina të ngjarjeve dhe të përbuzur. Kuptohet edhe duke pritur se kur deputet e DPMNE’së me ligj, do ua ndalojnë parlamentarëve shqiptarë që ta vizitojnë mëmëdhe Shqipërinë dhe atje të takohen me burrështetasit shqiptarë!?

Në Maqedoni pra shtohet numri i grupeve patriotike që bëhen gati ta mbrojnë shterin nga ‘Platforma e Tiranës’, të cilën – në mungesë të guximit të partive shqiptare – janë duke e kontrabanduar ‘sorosoidët’!? E në ndërkohë, gjithë shtiren që nuk e dinë se pas këtyre grupeve ‘spontanisht’ të organizuar, qëndrojnë hajdutët dhe kriminelët e regjimit të deridjeshëm DPMNE-BDI, e të cilët, si shumë herë më parë, plehun e vet politik, si dhe krimet e bëra, duan t’i shpërlajnë me gjakun shqiptarë!

Po pra, maqedonasit spontanisht organizohen që ta mbrojnë shtetin, e politikanët shqiptarë edhe më spontanisht betohen se ata nuk janë fajtor për situatën e krijuar në shtet. E në ndërkohë, bëhet gjithnjë e më e qartë ajo që thotë analisti Xhevdet Pozhari në kolumnën e tij: deputet e VMRO-DPMNE sa nuk kanë thënë se zgjidhje e krizës politike është që shqiptarët ta braktisin Maqedoninë?! Dhe si mos ta thonë këtë, kur deputetëve shqiptarë, s’ka burrë mamaje që mund t’ua mbush mendjen e t’i bind se, ka ardhur koha kur ata duhet të dalin në foltore e të thonë: Ne do e braktisim këtë kuvend, që t’u lejojmë pa teklif ta organizoni mbrojtjen e shtetit nga ne shqiptarët!? Ku ta dish, ndoshta edhe nuk ka nevojë të thonë çka do qoftë, ngaqë edhe ashtu askujt nuk ia turbullojnë ujin.

Po, mediat vendore dhe të huaja, raportojnë për ‘brigadat popullore’ dhe grupet ‘patriotike’ maqedonase, që bëhen gati të vihen në mbrojte të Maqedonisë. Dhe gjithë shprehen të shqetësuar për atë se çka mund të sjell e nesërmja e këtij shteti. Por siç duket, vetëm shqiptarë asgjë nuk i shqetëson dhe flenë të qetë. Dhe mbase mirë bëjnë, ngaqë një gjë shihet qartë: sa më shumë shtohet numri i ‘patriotëve’ mbrojtës të shtetit, aq më shumë Maqedonia rrënohet!/Almakos.com

Loading...