Sa më shumë gabime, aq më shumë Llajka (Likes)

Daut Dauti
E kam një ‘friend’ në Facebook, të cilin saktësisht nuk e dij se kush është por e dij që jeton në një vend evropian. Sa herë që hyj në Facabook, i shoh dhe i lexoj postimet e tija. Ai, çdo ditë, tri herë në ditë, bënë postime me gabime serioze gramatikore ose drejtshkrimore dhe gjithmonë i shoqëron me fotografinë e tij të rastit. Zakonisht lajmërohet nga restorantet kur pinë kafe ose hanë diçka.
Çdo mëngjes ai i poston, përafërsisht, këto fjalë:’Shoqëria ime e nderuar, ju dëshiroj një ditë të mirë’.
Në mesditë:’Shoqëria ime, ju dëshiroj drekë të mirë’.
Dhe, ai nuk harron ta bëjë postimin e tretë, zakonisht të fundit ditor, ku përafërsisht, thotë:’Ju dëshiroj një natë të mirë dhe gjumë të ëmbël’.
Gjithmonë i ka fjalët e njejta, të cilat, nëse redaktohen, kurrë nuk dalin më shumë se dy fjali. Pasi që ai nuk shkruan më shumë, kurrë nuk kam arritur ta marr vesh se nga është. Dhe, a dini çka? Këto ‘postime’ të tija tërheqin deri në 700 ‘like’. Pra, ia brenda ditës arrinë deri në 2000 ‘like’, minimum. Të mos flasim për fundjavë kur ai na dëshiron ‘një uikend të ëmbël’ kur ‘like’-t e një postimi kulmojnë në jo më pak se 900.
Ky fakt mua më habitë shumë. Unë për vete, prej që jam në Facebook, me të gjitha postimet që i kam bërë deri sot, nuk besoj se kam arrijtë shumën e tij të një postimi mëngjesor.
Nejse.
Pra, shoqëria ime e nderuar, përzemërsisht ju uroj një pasdite të këndshme, të hareshme dhe të lumtur. Paçi fat me tërë familjen dhe qofshi me bekimin e Zotit.

Loading...