Një tjetër javë futbollistike sapo kemi lënë pas në Europë, ndërsa përgatitemi për emocionet që do të na dhurojë “Champions League” dhe “Europa League”. Duke filluar nga ky moment, një rubrikë e re do të fillojë për “Shqiperia.ch”,teksa në fundin e çdo jave të kampionatit (e hënë), apo të kompeticioneve europiane(e premte), do të rendisim formacionin ideal të shqiptarëve.

Këtu do të përfshihen shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë,  ashtu siç edhe jemi, në një të vetëm, pavarësisht disa ndarjeve të pësuara në vitet e fundit, të detyruara, por që nuk na pengojnë për të ardhmen e përbashkët.

Sipas formacionit të ideuar nga “Shqiperia.ch”, skema e zgjedhur është ajo (4-2-4-0), e jo më kot kjo mënyrë paraqitje e formacionit e pazakontë, për të pasqyruar sa më mirë gjendjen e Kombëtares, që vuan për gjetjen e golit. Ndërkohë, kjo vendosje nuk është ajo sesi lojtarët janë zgjedhur në klubin e tyre, por si kanë luajtur më parë te Shqipëria apo Kosova.

Formacioni i plotë

Strakosha- Vlerësohet mbi mesatare edhe kur është “i papunë”. Nuk ka konkurrencë këtë javë me portierët e tjerë shqiptarë.

Hysaj- Në krahun e majtë luan me Napolin këto kohë dhe shkëlqen më shumë se në krahun e djathtë. Mbrojtësi shkodran është i veçantë në llojin e tij.

Mavraj- Ndër futbollistë e paktë që u shpëtojnë kritikave për humbjen në derbi. Një lojë e performancës së lartë zhvillohet në takimin Aris-Paok, e së njëjtës lartësi është edhe përgjigja në fushë e Mavrajt.

Rrahmani- Dinamo Zagrebi vazhdon dhe i rikthehet avazit në Kroaci duke e dominuar kampionatin, ndërsa prapavija është e sigurt me Rrahmanin. Vetëm 1 gol pëson në këtë javë Zagrebi, që më tepër është një nder për statistikën e kundërshtarit, pasi gjigantët kroatë kanë realizuar 4 të tillë.

Kololli– I dëmtuar e la Kosovën, por Kololli i përgjigjet në mënyrën më të mirë tempit të lojës ndaj kryesuesëve të Zvicrës. Realizon nga pika e bardhë dhe gjendet në fushë për 87 minuta, duke qenë rrezik konstant për kundërshtarin.

Xhaka- Qendërmbrojtës, mbrojtës krahu, mesfushor, mesfushor-sulmues. Vetëm portieri i ka ngelur pa bërë Taulant Xhakës te Bazeli. Kur do e shohim edhe aty?

Shala- “Hero” Shala po i rikthehet ritmeve më të larta. Deçiziv me Kosovën, e po aq me skuadrën e tij. Arrin të shënojë pas një skeme të bukur të intepretuar me tiki-taka.

Uzuni- Mjaft më! E ka tepruar. Nuk mund të shënosh dhe të japësh asist në çdo ndeshje në kampionatin kroat. Uzuni, merre pak më qetë!

Valon Berisha– “Qeni i mesfushës”! Kështu e quajtën tifozët e Lacios pas ndeshjes me Parmën. Padyshim futbollisti shqiptar që la më shumë gjurmë këtë javë në Itali, emri i tij ishte më i përmenduri.

Memushaj- Ndryshe nga performancat e dobëta me Kombëtaren, Peskara kryeson kampionatin në Serinë B  falë Memushajt. Vendimtar në çdo moment me pasimet dhe topat e dhuruara për shokët e skuadrës, ndërsa edhe këta javë dhuron një asist.

Seferi- Nuk e ndalin as flakët këtë njeri! Nëse do të dëshironim ta përshkruanim me një fjalë këtë lojtar, do të thonim vetëm: “FANTASTIK”. Një ndertesë pranë stadium digjej, ndërsa Seferi në mendjen e tij ka vetëm të gjejë rrjetën dhe këtë e bën sërish, si gjithmonë në kohët e fundit.

(Sulmues)————————————————-Pikërisht, sulmuesi. Këtu vuan Shqipëria, tek një njeri që gjen rrjetën dhe është pykë e mirfilltë, pasi me karakter të tillë kemi mjaftueshëm. Vazhdojmë me apelin: Sulmuesi pykë i Shqipërisë? Mungon! /Shqiperia.ch/

Loading...