Sela: Ndryshimi i Qeverisë nuk ua ka përmirësuar jetën shqiptarëve, jetojmë në monizëm

Ndryshimi i Qeverisë në Maqedoni nuk ua ka ndryshuar pozitën shqiptarëve që jetojnë atje. Madje, shqiptarët jetojnë tash e 16 vite në monizëm në Maqedoni.

Kështu thotë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe deputeti në Parlamentin e Maqedonisë, Ziadin Sela, sipas të cilit fatkeqësisht pritjet që kishin shqiptarët edhe me qeverinë e re nuk po realizohen.

Në një intervistë për KosovaPress, deputeti Sela thekson se shqiptarët vazhdojnë të jenë të margjinalizuar në Maqedoni, edhe me qeverinë e re, sepse sipas tij, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, ku gjysma e Qeverisë është e re derisa gjysma tjetër e vjetër.

Sela thotë se në qeveri vazhdon të jetë një parti shqiptare, BDI-ja, e Ali Ahmetit, e cila ka qenë pjesë e problemeve të qeverisjes së Nikolla Gruevskit, e cila prej 16 vitesh fiton zgjedhjet, por nuk ndryshon pozita e shqiptarëve në Maqedoni.

“Shqiptarët fatkeqësisht jetojnë në monizëm tani e 16 vite dhe kur them këtë kam parasysh që ka mbi 16 vite që BDI-ja fiton zgjedhjet në Maqedoni, jo e vetme, kuptohet, ka përkrahjen e strukturave të pushtetit pa marrë parasysh kush është pjesë e pushtetit, a është LSDM-ja, a është VMRO-DPMNE-ja. Kur them shqiptarët kanë mbi 16 vite që jetojnë në monizëm, besoj se kam thënë të gjitha për pozicionin që kanë shqiptarët në Maqedoni”, tha Sela.

Premtimi më i madh në zgjedhjet e fundit ishte ligji për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, çka bëri që edhe kryeministri, Zoran Zaev të marrë votat e shqiptarëve, por, i njëjti ende nuk është funksionalizuar dhe as s’është shpall në gazetën zyrtare.

Për këtë Sela thotë se derisa shumicën e Qeverisë e bënin ata si Aleancë për Shqiptarët që ishin pjesë e Qeverisë, ata kushtëzuan Qeverinë me disa kushte dhe u miratua ligji për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Tani kur Aleanca për Shqiptarët nuk është më pjesë e Qeverisë, ka ngecje në implementimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk është shpallur në gazetën zyrtare. Me këtë dua të them që të drejtat shqiptarët i marrin në momentin që kanë një subjekt politik që i përfaqëson në mënyrë të denjë dhe dinjitet në Qeveri, që janë këmbëngulës dhe serioz për premtimet që kanë bërë, dhe hë për hë ky seriozitet dhe ky subjekt politik që mund t’i përfaqësoj shqiptarët është Aleanca për Shqiptarët. Në qoftë se do të ishte për BDI-në, ligji për gjuhet do duhej të ishte votuar, po them, prej 2002-it e tutje. Mos të harrojmë se korniza e marrëveshjes së Ohrit duhej plotësuar në vitin 2004. BDI-ja gjithçka që ka bërë është se e ka vonuar mbi 14 vjet këtë ligj”, shtoi ai.

Sela tregon edhe arsyen pse Aleanca për Shqiptarët u larua nga qeverisja, ani pse e dinin se ligji për gjuhën shqipe ende nuk ishte bërë funksional.

“Pse u largua Aleanca nga qeverisja. Ne ishim para dy zgjidhjeve, të rrimë në Qeveri me turp dhe të bëhemi gaz i botës si pasoj e lojërave të përgatitura nga dy partnerët tjerë të koalicionit, ose ta lëshojmë koalicionin me dinjitet. Ne zgjodhëm të dytën sepse besojmë shumë në procesin politik që kemi nisur. Në një proces politik i cili ne e dimë që do të jetë i gjatë, ne e dimë që do të jetë i lodhshëm, ne e dimë që duhet sakrificë dhe në kuadër të Aleancës për Shqiptarët janë këta njerëz që janë të gatshëm të sakrifikojnë për të arritur atë që ka qenë pikësynim i shqiptarëve në Maqedoni”, theksoi Sela.

Qytetarët, sipas tij, janë të zhgënjyer me këtë Qeveri sepse edhe votat partia e kryeministrit, Zoran Zaev ia ka marrë tek shqiptarët me premtimet për realizimin e të drejtave të tyre. Ndonëse Sela thotë se edhe zhgënjimi në dy partitë shqiptare, BDI-në e PDSH-në, ka bërë që një numër i votave të shkojë tek LSDM-ja e Zavit.

“Natyrisht qytetarët janë të zhgënjyer por Qeveria ka arritur që të kamufloj gjithë zhgënjimin e vet për premtimet që ka dhënë para elektoratit, nëpërmjet asaj që quhet marrëveshje me Greqinë dhe zgjidhja e kontestit të emrit, dhe kjo është vetëm sipërfaqja e cila është një tip aure e cila e mbron Qeverinë nga keqpërdorimet jo që nuk janë ndalur krahasuar me qeverisjen e kaluar por kanë marrë akoma më shumë hov. Një ditë kjo aurë patjetër se do të largohet dhe do të dal realiteti, dhe do të shihet që në Maqedoni vazhdojnë të montohen proceset e montuara politike edhe pse disa kanë gjetur zgjidhje, të tjerat po montohen. Mos të harrojmë rastin e Almirit katër vjeçar i cili u vra me qëllim nga ana e një qytetari maqedonas dhe u rikualifikua vepra në aksident trafiku me rrezikshmëri të lartë. Barra natyrisht që bie mbi Qeverinë e tanishme”, ka thënë Sela.

Sela ka përmendur edhe dënimin e shqiptarëve për lagjen e trimeve, që sipas tij, ishin dënime shumë të larta qindra vjeçare dhe që nuk kanë ndodhur asnjëherë që në Maqedoni të ketë dënime aq të larta. Madje, thotë se as në luftën e dytë botërore nazistët nuk kanë marrë dënime kaq të larta.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët ka përmendur edhe mospajtimet që ata kanë sa i përket marrëveshjes me Greqinë, ndonëse e quan të duhur zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Fatkeqësisht anashkalohet komplet identiteti shqiptar në këtë marrëveshje dhe do të varet se si do të bëhen marrëveshjet e radhës ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së, e partnerëve tjerë të koalicionit. Është shumë e qartë që periudha deri në formimin e qeverisë së re ku zgjati 6-7 muaj, derisa u plotësua me parti të reja politike shqiptare ka pasur për qëllim që t’iu mbyllet goja shqiptarëve në lidhje me këtë marrëveshje të re e cila po propozohet. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë lidhur me këto tema. Maqedonia nuk mund të jetë e maqedonasve dhe e qytetarëve të tjerë. Maqedonia është shtet multi-etnik dhe kjo duhet të reflektoj edhe rregullimin kushtetues të Maqedonisë dhe ne kemi vërejtjet tona sa i përket nacionalitetit”, u shpreh Sela.

Sela thotë se kanë edhe vërejtje tjera sa i përket gjuhës, sepse nuk përmendet askund gjuha shqipe për t’u regjistruar në kombet e bashkuara si gjuhë zyrtare, por vetëm gjuha maqedonase.

Pas arritjes së kësaj marrëveshje, Maqedonia mori ftesën nga NATO për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm të sigurisë. Por Sela thotë se kjo marrëveshje është me kushte sepse duhen plotësuar kriteret e marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve.

“Ftesa ishte më tepër një ofertë edhe një herë e NATO-s për Maqedoninë. Maqedonia duhet t’i plotësojë ato kritere të cilat janë marrë vesh me Greqinë, do të thotë referendumi, ndryshimet kushtetuese. Pastaj komisionet që do të bëhen ndërmjet dy shteteve për t’i rregulluar edhe disa çështje tjera që kanë të bëjnë siç duket edhe me tekstet mësimore sa i përket historisë, të hiqen gjëra të tjera që janë nëpër tekste shkollore në të cilat shprehet qartazi pretendimet territoriale të Maqedonisë ndaj Greqisë e të tjera. Pastaj, pas një viti Maqedonia mund të bëhet anëtare e NATO-së, kjo është e kushtëzuar me implementimin e marrëveshjes me Greqinë”, ka deklaruar Sela.

Deputeti Sela ka komentuar edhe vizitën e kryeministrit Zaev në Kosovë, të parën në histori të shtetit maqedon, duke thënë se Maqedonia duhet t’i ruajë raportet me fqinjët e saj, sidomos me Kosovën, sepse brenda saj ka 30 për qind të popullatës autoktone shqiptare.

Loading...