Maqedoni

SELA: Struga dhe Gostivari do të na kenë si kryetarë komune

133905427

Nëse më 27 prill u munduan të na vrasin, ju lutem që më 15 tetor mos na vrisni për së dyti duke mos e votuar Arben Taravarin, ka porositur sonte nga tubimi qendror i Aleancës për Shqiptarët në sheshin e Gostivarit, lideri i saj Ziadin Sela.

Ai poashtu ka potencuar se Aleanca do t’i fitojë zgjedhjet prej Likove e deri në Strugë.

Sela publikisht u falënderua për mbështetjen dhe siç tha, tani shqiptarët e dinë se kush i mbron interesat e tyre. Në fjalim përkujtoi se pikërisht Aleanca ka vendosur kryetar shqiptar të Parlamentit, e bëri gjuhën shqipe gjuhë zyrtare dhe se ai ka qenë lideri i vetëm i një partie shqiptare i cili e ka dhënë votën.

“Kur filluam ishim pak dhe nuk frikoheshim prej askujt, por frikoheshim për fëmijët tanë dhe prandaj sot jemi në numër kaq të madh. Kudo ku shkojmë gjejmë mbështetje të madhe, por ajo që më bën krenar është se edhe këtu sonte me ne janë të rinjtë në numër të madh. Ata e karakterizojnë Aleancën për Shqiptarët dhe na karakterizojnë të gjithë ne. Pas 15 tetorit, edhe unë si deputet dhe Arbeni si ministër për fat të keq do të duhet të tërhiqemi prej funksioneve, por Struga dhe Gostivari do të na kenë si kryetarë komune”, tha Sela në Gostivar.

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për kryetar të komunës së Gostivarit, Arben Taravari u falënderua për mbështetjen.

“Me ne sonte është e gjithë elita e Gostivarit dhe njerëzi më të mirë, jo vetëm të Gostivarit por edhe të rrethinës, ndërsa kjo është shumë e rëndësishme. Kështu ishte kur hyra në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atje kisha ekip të mirë dhe pata rezultate të mira. Mua më nevojitet ekip i cili do të më mbështesë dhe do të punojë me mua. Ky ekip është pikërisht në listën e kandidatëve për këshilltarë të këshillit. Në të janë pesë doktorë shkencash, pesë magjistra dhe profesionistë të shquar. Nuk dyshoj se me një ekip të tillë do të jemi më të mirët. Prandaj kur të votoni, votoni për ta”, tha Taravari.

Bartësi i listës së këshilltarëve, Besim Memedi porositi se prej nëntë pikave në programin e tyre, pikërisht e nënta u kushtohet të rinjve, të cilët siç tha do të kenë Ditë për të rinjtë, ndërsa për ta do të ketë edhe qendër për të rinj.

To Top