Selia e partisë së Ivanoviqit nën vëzhgimin e kamerave, a u filmua vrasja?

Një kamerë sigurie është e vendosur lartë në katin e dytë të selisë së partisë “Liria, Demokracia, Drejtësia (SDP)” në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, aty ku mëngjesin e sotëm, u vra lideri i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq.
Ndonëse Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetimet intensive përkitazi me vrasjen e rëndë, ende nuk dihet nëse kjo kamerë ka regjistruar krimin, raporton Indeksonline.

Vrasja ka ndodhur sot në orën 08 e 10 minuta vetëm pak metra larg ndërtesës së SDP-së e cila është e siguruar me kamera.

Hetimet në lidhje me rastin ende janë duke vazhduar, por deri më tani askush nuk ka përfunduar në pranga të autoriteteve.

Zv/drejtori i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti ka thënë për Indeksonline se menjëherë pas marrjes së informatës për sulmin e armatosur, njësitet përkatëse të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për vrasjen e ndodhur.

“Aktualisht mund të konfirmojmë se asnjë person nuk është arrestuar në lidhje me krimin”, ka thënë shkurt Hoti.

Pasditen e sotme për rastin ka folur edhe kreu i policisë, Shpend Maxhuni i cili ka thënë se vetura e gjetur e djegur ka qenë pa targa, por policia shumë shpejtë ka arritur të ketë në dispozicion informatat e nevojshme për pronësinë e veturës.

“Ende nuk mund të japim më shumë detaje, por na mjaftojnë që të gjurmojmë edhe më shumë për pronarin veturës”, shtoi Maxhuni.

Drejtori i policisë ka theksuar se me punën momentale që po bënë njësiti i hetimeve, shumë shpejtë do të zbardhet rasti i vrasjes së Ivanoviqit.

Loading...