Kosovë-Shqipëri

Serbia po provokon luftë, thotë Zëvendëskryeministri i Kosovës

tanku-780x439

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj është shprehur i shqetësuar nga mungesa e
reagimit të komunitetit ndërkombëtar ndaj lartësimit të kriminelëve të luftës nga ana e
liderëve të Serbisë.

Në një postim në Twitter, Hoxhaj thotë se duke i mbrojtur kriminelët e luftës dhe duke i ikur
fajësisë për krimet e kryera, Serbia po provokon tensione që e dëmtojnë pajtimin shoqëror në
Ballkan.
“I shqetësuar nga lartësimi dhe rehabilitimi në rritje i kriminelëve të luftës nga qeveria e
Serbisë dhe mungesa e reagimit/dënimit nga komuniteti ndërkombëtar. Duke mbrojtur
kriminelët e luftës dhe duke i ikur fajësisë për krimet e kryera, Serbia po provokon direkt
tensione që do t’i kushtojnë pajtimit në Ballkan”, ka shkruar Hoxhaj.

Nga kabineti i Hoxhajt thonë se ky reagim i zëvendëskryeministrit vjen pasi që ministri i
Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin ka lavdëruar ish-gjeneralin, Vladimir Lazareviq, i cili
është i dënuar me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në Kosovë, për
mizoritë e kryera nga trupat serbe në Kosovë, gjatë goditjes kundër shqiptarëve në vitin 1999.
Po kështu thuhet se ndaj këtij veprimi ka reaguar vetëm ambasadori amerikan në Beograd, të
cilin pastaj e ka kundërshtuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke i thënë të mos
përzihet në punët e brendshme të Serbisë.

“Vulin, i cili ka qenë edhe pjesë e kabinetit qeveritar të qeverisë së Millosheviqit gjatë luftës në
Kosovë, së bashku me presidentin e tanishëm të Serbisë, Vuçiq, si dhe kryediplomatin Daçiq,
është i njohur për veprime të tilla. Vetëm disa muaj më parë, ai ka vendosur kurora lulesh tek
përmendorja e Millosheviqit në Serbi. Vulin e ka quajtur gjeneralin Lazareviq ‘njeri i nderuar
dhe trim dhe nuk ka ushtri në botë, që do të hiqte dorë nga ai’”, thuhet në këtë artikull të
stafit të zëvendëskryeministrit Hoxhaj.

To Top