Serbia vazhdon ta rrezikojë paqen në Ballkan

Abdulla Mehmeti

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq u arrestua pasditën e të hënës në veri të Mitrovicës.

Pushteti serb dje e cënoi integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, nuk nxiti një incident të thjeshtë.

Serbia angazhohet për zgjidhje territoriale edhe përkundër garantimit të të drejtave të serbëve në Kosovë, mbi nivelin që garantojnë konventat ndërkombëtare për pakicat.

Planeve djallëzore serbe për Kosovën duhet t’u ndalet hovi një herë e përgjithmonë. Për këtë çështje të gjitha partitë politike dhe institucionet e shtetit duhet ta shprehin qartë qëndrimin e tyre dhe të veprojnë, duke bërë të qartë se çështjet partiake janë dytësore përballë rrezikut që i kanoset Kosovës nga shteti fqinj i saj, Serbia.

Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të anulohen urgjentisht të gjitha marrëveshjet e fshehta mes krerëve të Kosovës dhe të Serbisë, pa miratimin e Kuvendit dhe pa dijeninë e qytetarëve të Kosovës. Dialogu i filluar mes dy shteteve të vazhdojë vetëm me ndërmjetësim ndërkombëtar, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të SHBA dhe NATO-s.

Të lagrohen pa kusht nga territori i Kosovë të gjitha grupet kriminale dhe paramilitare serbe që me vite e terrorizojnë popullatën vendëse, shqiptare dhe serbe, në Mitrovicë dhe komunat tjera në pjesën veriore të Kosovës. Të përcaktohet një afat optimal kohor për largimin e tyre, në të kundërtën të kërkohet ndërhyrje ndërkombëtare për neutralizimin e këtyre bandave kriminale, duke i cilësuar me emrin e vërtetë sipas veprimtarisë që ushtrojnë: grupe terroriste që e rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe pronat e tyre, si dhe paqen e sigurinë ndërkombëtare.

Organet e sigurisë, policia dhe FSK të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në tërë territorin e shtetit të Kosovës, në zbatim të Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare.

Organet e pushtetit duhet të jenë transparente ndaj qytetarëve të Kosovës për tendencën e grupeve kriminale me mbështetje të pushtetit të Beogradit për themelimin e entitetit të veçantë serb në Kosovë dhe të mos e minimizojnë në çështje të incidentit të thjeshtë, si kalim pa leje të kufirit nga disa funksionarë serbë, siç ndodhi ditën e djeshme, por si plan të pazareve të fshehta politike për krijimin e njësisë së veçantë territoriale, fillimisht si bashkësi e komunave, të cilën tenton ta realizojë pushteti serb në Kosovë.

Problemi është më serioz seç e paraqesin organet e pushtetit në Kosovë dhe mediat e kontrolluara prej tyre.

(27.3.2018)

Loading...