Nuk është e kotë thënia e urtë, pavarësisht vendit dhe kombit ku thuhet ajo: “Mos bëni diçka të mbrapshtë, se ju kthehet!” Për ata të cilët besojnë, versioni i kësaj thënieje është: “Mos e bëj, se ka Zot!” I gjithë zullumi na ka ardhur dhe është duke na ardhur nga hipokrizia dhe jobesimtarët. Kjo nuk do të thotë se nuk ka jobesimtarë të mirë, por jobesim të mirë nuk ka pasur dhe nuk ka!
Këto ditë jemi dëshmitarë të gjërave që “mbështeten” mbi urtësinë e lartpërmendur, respektivisht të asaj që ndodh me emrin e Maqedonisë, e që është diçka e dhimbshme dhe shumë nënçmuese. Por, duhet t’ua përkujtoj atyre që kanë vepruar kështu: A ju kujtohen kohërat kur “revolucionare”, “përparimtare” ishin ndryshimi i emrave, mbiemrave, toponimeve, prishja e avllive, vjedhja, shkatërrimi, uzurpimi i pronave që janë lënë si vakëf, ose për mirësi të njerëzve. Njeriu i rëndomtë të gjitha këto i ka përjetuar me dhimbje, dhe nga frika ka heshtur. Një gjë të tillë e kanë bërë bullgarët, serbët, grekët, po ashtu edhe maqedonasit, që tërë fuqinë e tyre intelektuale dhe shtetërore së pari e kanë shprehur me diçka të tillë, pra, si t’ua ndryshojmë mbiemrat, si do ta pastrojmë historinë nga emrat që kanë pasur një domethënie tjetër. Natyrisht se kjo ka qenë një strategji e planifikuar mirë, por strategji në kundërshtim me natyrën e urtësisë, arsyes dhe kulturës.
Paramendoni se si është vepruar me emrat dhe mbiemrat e njerëzve, dhe cili ka qenë arsyetimi: në gjuhën tona nuk kemi diçka të tillë. Kjo nuk ka qenë e lehtë, dhe qëllimi kryesor i kësaj ka qenë nënçmimi, nënvlerësimi, poshtërimi dhe faktikisht njeriu është detyruar që edhe në mënyrë të pamenduar të gënjejë, të mos e dijë emrin ose mbiemrin. Sa për shembull po e përmend se sa versione ka pasur mbiemri im: Barli, Bardi, Barzi, Bardhi, “Bardovski”, “Bardov”, “Bardakis”, e ti urdhëro rregullo dokumentacionin personal, ose kur të udhëtosh diku trego se çfarë emri ke. Po të mos ishte tragjike do të ishte qesharake.
Eh, nuk është mirë të luhet me dikë në kohën kur është në siklet shteti ku jetojmë. Por, ka Zot! Ku është tani gjithë ajo “mendje”, ajo akademi që ka luajtur në këtë formë?! Këtu nuk i përmend diskriminimin, nënçmimin, talljen me njerëzit e rëndomtë nëpër katedrat universitare, e deri te zyrat e punësimit; e të mos flas për dhomat nëpër spitale e të ngjashme. Kush ka mundësi të veprojë kësisoj? Vetëm ata “të shkolluar” që Zoti nuk ua ka dhënë atë mundësi të jenë të tillë, ose intelektualët jo të natyrshëm, sepse asnjë njeri me mendje të shëndoshë nuk lejon diçka të tillë, e lëre më të jetë pjesëmarrës në të.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për emrin dhe “mbiemrin” e një shteti, por për diçka që e kërkon Greqia, e që nuk është e pranueshme as për tokën e as për nënshtetësitë. Dënimi i tillë nuk mund t’i ndodhë çdokujt, përpos atyre që nuk kanë qenë të kujdesshëm me kishat dhe xhamitë, me pronat e besimtarëve, që jo vetëm që është “intervenuar” në tapitë e tyre, por që ato janë zhdukur dhe nuk janë askund. Asnjëherë nuk është menduar se si e kanë përjetuar njerëzit e zakonshëm këtë. Me sa duket kjo akoma nuk është bërë çështje nga e cila dikush mund të marrë mësim, sepse ne jemi duke e parë qytetin tonë, vendbanimet tona që janë bërë vende tamam për t’u tallur çdokush, dhe kjo është duke u bërë në emër të “demokracisë”, në emër të urdhrave shtetërore. Shikoni se si janë rrugët, lagjet me banues nga etnikumet e tjera (nuk po flas për “Shutkën”). A mos pritni që t’iu paraqitet një “Greqi” që ua ka futur deri në palcë ngërçin plot nënçmim, jo vetëm juve por të gjithë neve qytetarëve të Maqedonisë, e të ndërmerrni diçka pozitive?
Dikush mund të thotë se ja sot na ka ardhur dita për të shkruar diçka të këtillë; por jo, unë nuk mbështetem mbi këtë, por mbi atë se duhet pasur kujdes e të mos talleni me realitetin, me të vërtetat, se duhet të keni kujdes me hakun e njëri-tjetrit, se kurdoherë kjo do t’ju kthehet si bumerang. Dihet mirëfilli se asnjëherë e vërteta nuk humb deri sa ta dëshmojë veten, asnjëherë, pa marrë parasysh mençurinë, pasurinë, pa marrë parasysh pushtetin. E vërteta të gjitha këto i shkel, i kapërcen. Edhe ne sot duhet të mendojmë seriozisht dhe të mos lejojmë diçka të tillë të bëjmë siç kërkon Greqia. Se a është ajo anëtare e natës apo e ditës; ose a do të futemi ne në Evropë apo do të na fusë Evropa, këto janë çështje kalimtare. Mos harroni se Greqia akoma i ka borxh Turqisë dhe vendeve të tjera, dhe më pëlqeu ideja se kërkohet të rishqyrtohet Marrëveshja e Lozanës. Greqia ka të njëjtat probleme, ajo akoma nuk e ka të zgjidhur mosmarrëveshjen edhe me Shqipërinë, pretendimet e saj ndaj tokave shqiptare mundohet t’i “rregullojë” në mënyrë të parregullt, me të vetmen arsye se “e ka” përkrahjen e Evropës. E ne duhet t’i japim fund një gjëje të tillë dhe të mos e pranojmë kërkesën e Greqisë që emri i një shteti të ndryshojë pa bazë; nëse një gjë të tillë “e lejon” shteti, atëherë do të ngrihet çështja se ky shtet i kujt është dhe nga shkon. Dhe, natyrisht, sërish neve askush nuk do të na pyesë asgjë.
Ismail Bardhi
Shkup, 21.05.2018

Loading...