Xherdan Shaqiri është bërë ankth për Serbinë. Zbarkimi i futbollistit kosovar në Beograd javën që vjen po bën bujë më të madhe sesa vetë vizita e gjigantit Liverpool në Serbi, ku do të luajë me Crvena Zvezdën të martën që vjen. Futbollisti nga Zhegra është i vetëdijshëm se në “Marakana” e presin vërshëllima dhe fyerje, por ai nuk e ka fort problem këtë punë, pasi thotë se është i fokusuar vetëm në futboll. Trajneri Muharrem Sahiti beson se Xherdani di t’i menaxhojë mjaft mirë këto situata dhe shton se ato mund ta motivojnë edhe më shumë të shpërthejë përfaqësuesin zviceran, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Serbët nuk do ta harrojnë kurrë 22 qershorin e vitit 2018. Në atë mbrëmje populli serb e përjetoi një goditje të dyfishtë. Përpos që e pësuan golin e dytë dhe të humbjes në minutën e fundit, më shumë u “dogji” festimi i golit që e bëri Xherdan Shaqiri, duke e formuar me duar shqiponjën dykrenore.

Prej atij momenti Shaqiri, por edhe Granit Xhaka, i cili festoi në mënyrë identike pas golit të shënuar atë natë, u bë njeriu më i urryer në botë për serbët.

Dhe, si për ironi të fatit, futbollisti shqiptar nga Zhegra e Gjilanit do të hyjë në “gojë të ujkut” vetëm pak më shumë se tre muaj më vonë.

Shaqiri me shokët e skuadrës së Liverpoolit do të zbarkojnë mesjavën tjetër në kryeqytetin serb, ku do të përballen me Crvena Zvezdën, vendëse në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, shkruan “Zëri”

Shaqiri ishte njeriu i ndeshjes në takimin e parë, e cila u zhvillua javën e kaluar në Angli, ndërsa loja e kthimit me serbët pritet të jetë shumë më e nxehtë.

Shaqiri pret vërshëllima dhe fyerje

Zbarkimi i Xherdan Shaqirit në Beograd të hënën që vjen po pritet me shumë bujë. I vetëdijshëm për atmosferën e nxehtë dhe aspak miqësore është edhe vetë futbollisti kosovar.

Mirëpo, ai zotohet se do të koncentrohet vetëm në fushën e blertë dhe se nuk e ka problem nëse kontestohet nga tifozët. Përfaqësuesi zviceran bën thirrje që sporti të mos përzihet me politikë.

Por, duke i njohur serbët, një gjë e tillë duket e pamundshme të ndodhë javën që vjen. “Nuk kam frikë”, ka deklaruar fillimisht Shaqiri pas ndeshjes së parë me Zvezdën.

“Unë kam parë disa artikuj në lidhje me këtë temë. Një lojtar ka thënë diçka në lidhje me këtë, por më të vërtetë mua nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit”, ka shtuar Shaqiri pas deklaratave të futbollistëve serbë, të cilët thonë se Shaqiri nuk e di as prej nga është për faktin se familja e tij është nga Kosova, por që ai e përfaqëson Zvicrën. “Unë po shkoj atje për të luajtur futboll dhe nuk ka të bëjë fare me politikën. Asgjë tjetër nuk më intereson, unë po shkoj atje për ndeshje futbolli”, ka shtuar Shaqiri, i cili më tej i ka komentuar edhe fishkëllimat e tifozëve të Crvena Zvezdës, të njohur me emrin “Delia”, të cilat pritet të ndodhin. “Më ka ndodhur edhe në Kupën e Botës, por nuk paraqet asnjë problem”, është shprehur më tutje Shaqiri, i cili kishte asistuar në golin e Mohamed Salah në ndeshjen e parë me ekipin serb, shkruan “Zëri”

Urrejtja e serbëve ndaj shqiptarëve e arriti kulmin në vitin 2014

Shqiptarët dhe serbët kanë pasur probleme të kamotshme, por urrejtja e madhe e serbëve ndaj shqiptarëve ka dalë në pah sërish në vitin 2014, respektivisht më 14 tetor në ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikimet e Evropianit 2016. Ajo ndeshje ishte ndërprerë pasi huliganët serbë ishin futur në fushë për t’i sulmuar futbollistët shqiptarë pasi një dron po fluturonte mbi stadium me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Serbët kanë vazhduar me pankarta të ndryshme kundër Kosovës dhe shqiptarëve nëpër stadiume të ndryshme, duke e konfirmuar urrejtjen patetike, ndërsa kanë marrë shpesh edhe dënime nga UEFA e FIFA.

Dhe, serbët pritet ta shfaqin urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve, respektivisht ndaj Shaqirit javën që vjen në stadiumin “Marakana”, i cili pritet të jetë i stërmbushur.

Javën që shkoi drejtori i Zvezdës, Bojan Dimic, e ka vizituar zhveshtoren e Liverpoolit, ndërsa është ndalur te vendi ku ndërrohet Shaqiri, duke ia përmendur emrin e tij, me çka demonstron se gjilanasi do të jetë shënjestër e serbëve në ndeshjen e kthimit.

Sahiti: Vërshëllimat dhe fyerjet do ta motivojnë Xherdanin

Muharrem Sahiti e ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës duke luajtur në Evropë. Dhe, trajneri kosovar e di se çka do të thotë presioni dhe se si menaxhohet ai. Ndihmëstrajneri i Përfaqësueses së Kosovës mendon se Shaqiri do të jetë caku i fyerjeve në Beograd, por beson se futbollistin kosovar përkundrazi do ta motivojë ky fakt dhe se mund ta tregojë vlerën e tij në fushën e blertë. “Duke e njohur karakterin e Xherdanit, mendoj se atij i konvenon ta vërshëllejnë, sepse është mësuar me presione. Nuk është hera e parë që përballet me Serbinë dhe ai i ka përballuar me sukses këto situata. Rasti i fundit ka qenë në Kampionat Botëror, një situatë e njëjtë ku ka qenë cak i sulmeve nga serbët, por edhe nga rusët. Mirëpo ai e menaxhoi mjaft mirë situatën dhe arriti madje të shënonte në minutat e fundit”, thotë Sahiti për “Zërin”.

Sipas tij, ka lojtarë te të cilët ndikon negativisht presioni, por që në këtë rast beson se Shaqiri është tipi i karakterit që e motivojnë edhe më shumë provokimet, edhe prej një kundërshtari politik. “Shaqiri do të jetë gjithmonë në shënjestër, por kam besim se ai do t’i përballojë provokimet dhe se do të reflektojë me angazhim”, nënvizoi Sahiti.

Sa i përket sigurisë, ai thotë se autoritetet serbe janë të obliguar ta krijojnë sigurinë për kontingjentin e Liverpoolit, pasi kjo lojë mund të konsiderohet me rrezikshmëri të lartë.

Por, a do të ishte mirë ndoshta që Shaqiri të mbetet në bankinë dhe të mos angazhohet fare për t’iu shmangur problemeve eventuale? “Veç pse mund të ketë vërshëllima nuk është e thënë që një lojtar të lihet në bankinë. Në fund vendimi i takon trajnerit Kloop dhe çdo vendim i tij duhet të përkrahet, por duke i parë performancat e fundit të shkëlqyeshme mendoj se Xherdani e meriton të luajë”, ka përfunduar Sahiti.

Sidoqoftë, e marta pritet të jetë një natë e zjarrtë në Beograd. Serbët mezi e kanë pritur një rast të tillë për t’iu “hakmarrë” Shaqirit për plagët që ua hapi gjatë verës në “Botërorin 2018”. Mirëpo, Xherdani është profesionist dhe do të mundohet t’ua mbyllë gojën tifozëve serbë me paraqitje bravuroze në fushën e blertë e pse jo edhe me ndonjë gol ose asistim./Zëri

Loading...