Prokurorët amerikanë kanë thënë se janë duke kërkuar miratim për të dënuar me vdekje personin e akuzuar për të shtënat në një sinagogë në shtetin e Pensilvanisë, që ka rezultuar me 11 persona të vrarë.

Prokurori amerikan, Scott Brady ka thënë më 28 tetor se ai ka nisur procesin për të fituar miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions në rastin kundër Robert Bowers, që pritet të dalë para gjykatës më 29 tetor.

Sessions tashmë ka dhënë shenja se mund të miratojë dënim që mund të rezultojë ndëshkim me vdekje.

Bowers, i cili ka postuar deklarata anti-semitike në faqe online të së djathtës ekstreme, është akuzuar për hyrje në një sinagogë në Pitsburg më 27 tetor dhe për nisje të të shtënave me armë zjarri, teksa ka bërtitur “Të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin”.

Duke iu përgjigjur këtij sulmi, policia ka plagosur Bowersin dhe ka arrestuar atë.

Më shumë se 2,000 persona kanë qenë pjesë e një ceremonie për të përkujtuar të vdekurit derisa mijëra të tjerë kanë qëndruar jashtë objektit për nderuar viktimat.

Kjo tragjedi është dënuar nga politikanët amerikanë nga të gjitha partitë dhe liderët e Kanadasë, Gjermanisë, Francës, Kombeve të Bashkuara dhe vendeve tjera.

Një fushatë bamirëse nga dy grupe myslimane amerikane ka mbledhur afër 80.000 dollarë për t’iu ndihmuar familjarëve të viktimave.

Në këtë sulm janë plagosur edhe gjashtë persona të tjerë, duke përfshirë katër zyrtarë policorë.

Loading...