“SHBA-të dhe BE-ja përkrahje të madhe për referendumin në Maqedoni”

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur përkrahje të fuqishme për suksesin e referendumit të ardhshëm, të caktuar për më 30 shtator në të cilin qytetarët duhet të votojnë për Marrëveshjen e Prespës dhe hapjen e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të vendit.

Intensifikimi i aktiviteteve diplomatike vazhdon. Dje në Maqedoni qëndruan përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Përbashkët të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe ndihmës sekretari shtetëror për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Wess Mitchell.

Ata u takuan me funksionarë të lartë shtetëror, ndërsa porosia që e transmetuan ishte – qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike që vendi i tyre të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Mitchell e përsëriti përkrahjen e fuqishme të SHBA-së për Marrëveshjen e Prespës, në të cilën shikojnë mundësi që Maqedonia të bëhet vend anëtar i 30-të i NATO-s.

“Maqedonia është para mundësisë historike, opozita t’i inkurajojë qytetarët të votojnë. Sot porosinë e njëjtë e transmetova deri te të gjithë banorët e Maqedonisë, me të cilët u takova. Maqedonia kohë të gjatë ishte në rrugën drejt perëndimit dhe tani është koha të gjithë banorët e Maqedonisë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, të jenë përgjegjës të votojnë për këtë mundësi historike. Tani është koha ta tregoni mendimin e juaj”, tha dje Mitchell.

Ndërsa sipas Mogherinit, megjithatë, çelësat e të ardhmes sonë janë në duart tona, ndërsa BE-ja është e hapur për ne.

“Mbani mend, më 30 shtator kur të shkoni në vendvotime të votoni për referendumin se Ju jeni ata që i mbani çelësat e ardhmërisë suaj në duart tuaja. Çelësat nuk janë në duart e askujt tjetër, përveç Jush. Mos lejoni dikush tjetër ta bëjë atë për Ju. Ju lutem, mos heshtni para ardhmërisë suaj, nuk mund të lejoni t’ju ikë kjo mundësi sepse Ju jeni përgjegjës për të ardhmen tuaj. Këto nuk janë zgjedhje, as nuk është diçka e lidhur me politikën. Duhet të jeni të sigurtë dhe të bindur se kur të zgjoheni të hënën tjetër, përkatësisht më 1 tetor, se keni bërë zgjedhjen e cila i përket të ardhmes suaj, të ardhmes së vendit tuaj dhe të fëmijëve tuaj”, deklaroi Mogerini.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së në Shkup arriti së bashku me kryeministrin Zaev me aeroplanin e njëjtë, pasi ai paraprakisht kishte fjalim para Parlamentit Evropian.

Kjo ishte hera e parë që kryeministri i Maqedonisë të mbajë fjalim në gjuhën maqedonase në PE.

“Për popullin tonë të Maqedonisë ky është moment historik. Kjo është rruga e parë, një kryeministër i vendit tonë të mbajë fjalim para Parlamentit Evropian, në gjuhën e tij amtare”, tha Zaev.

Kryeministri Zaev eurodeputetëve dhe anëtarëve të Komisionit Evropian të pranishëm në sallë ua sqaroi vlerën për Maqedoninë nga lidhja e Marrëveshjes së Prespës, duke iu falënderuar edhe homologut të tij grek, Aleksis Cipras.

Në Shkup dje ka qëndruar edhe shefi i Diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati.

Ai pas takimit me homologun e tij të Maqedonisë, ministrin Nikolla Dimitrov potencoi se Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë ka rol të jashtëzakonshëm për stabilitetin demokratik në rajon dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.

Gjatë ditëve të ardhshme deri në mbajtjen e referendumit, pritet që edhe zyrtarë tjerë evropian dhe të SHBA-së ta vizitojnë Maqedoninë.

Loading...