SHBSH: Sulmet ndaj LOGOS-A të motivuara politikisht

Reagon edhe Shoqata  e Botuesve Shqiptarë ndaj sulmeve të Shtëpisë Botuese Logos-A, duke shprehur indinjatën për aksionin e fundit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe duke e vlerësuar këtë veprim si krejtësisht të paarsyeshëm dhe të motivuar politikisht në këtë periudhë të vakumit institucional, njofton Shenja.

“Presionin dhe ndëshkimin ndaj Shtëpisë Botuese ‘Logos-A e konsiderojmë si sulm mbi gjithë esnafin botues dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Prandaj, i bëjmë thirrje pushtetit që mos të abuzojë me institucionet e shtetit për të kënaqur manitë dhe inatet politike të individëve të caktuar që i drejtojnë ato institucione”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

SHBSH gjithashtu kërkon që për programin botues për këtë vit, gjegjësisht për 2017-tën Ministria e Kulturës ta anuloj krejtësisht  sepse është gati tërësisht i ngjashëm me atë të viteve të kaluara, ku nuk janë respektuar kriteret dhe vlerat e vendosura nga vetë Ministria e Kulturës, për çka ata si shoqatë botuese e kanë ngritur zërin dhe reaguar vite me radhë.

“Kërkojmë nga Ministria e Kulturës që të anulojë gjithë Programin botues dhe Programin ndërkombëtar për vitin 2017. Sa i përket veprimtarisë botuese, konsiderojmë se përparësi duhet të kenë shtëpitë botuese tanimë të dëshmuara me veprimtarinë e tyre, me librat e botuar dhe me paraqitjet nëpër panairet e ndryshme vendore e rajonale”, thuhet gjithashtu në reagim.

Kurse sa i takon veprimtarisë ndërkombëtare, ata gjykojnë që Republika e Maqedonisë duhet të ketë përfaqësues të denjë në panairet ndërkombëtare të librit.

Shtëpisë Botuese të Shqiptarëve, Ministria e Kulturës nuk ia ka besuar punën për të përfaqësuar vendin në panairet ndërkombëtare të librit, në Frankfurt, Stamboll dhe Paris. Ndërsa për të njejtën i  është besuar veprimtarive botuese që janë fare të reja në treg.

Loading...