Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmila Shekerinska ndodhet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në SHBA, ku u takua me zv/ndihmësen e Sekretarit të Mbrojtjes Lora Cooper dhe më zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë thuhet se në takimin me zv/ndihmës sekretaren e Byrosë për punë të Evropës dhe Euroazisë në DASH, Elizabeth Millard, Shekerinska shpalosi argumentet në bazë të të cilave Maqedonia meriton anëtarësimin në NATO, rritjen e buxhetit dhe pagave të Armatës, rritjen e numrit të ushtarëve në misionin në Afganistan, si dhe në plan më të gjerë – kthimin e mediave kritike dhe të lira, sundimin e së drejtës, transparencë aktive për të cilët u zotua Qeveria si një ndër shtyllat kryesore kundër korrupsionit.

Përfaqësuesja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Millard tha se vendi ka patur përmirësime dhe ka ecur para pas ngjarjeve të krizës në Kuvendin e Maqedonisë para një viti, dhe potencoi se SHBA është mike e Maqedonisë dhe nga afër ndjek dhe mbështet progresin e vendit.

Në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shekerinska u takua edhe më përfaqësuesin e lartë Matthew Palmer, i cili tha se punët në Maqedoni po rrjedhin shumë shpejtë, dhe se vendi është i gatshëm jo vetëm që të jetë pjesë e NATO-s, por të jetë anëtare e cila është aktive në Aleancë.

Në takimin me Lora Cooper, siç thuhet në njoftim, Shekerinska ka thënë se Ministria e Mbrojtjes dhe Armata e Republikës së Maqedonisë punojnë me seriozitet në implementimin e reformave të nevojshme, duke u fokusuar në strategjinë e mbrojtjes.

“Reformat në Ministrinë e Mbrojtjes, ARM dhe rezultatet tona në zhvillimin e mbrojtjes tregojnë se Maqedonia meriton të jetë pjesë e NATO-s”, tha në takim Shekerinska.

Cooper theksoi se SHBA-të e çmojnë lartë progresin e reformave në Maqedoni dhe përkushtimin e qëllimit strategjik – anëtarësimin në NATO, dhe se me vëmendje ndjekin zhvillimet në muajt e fundit, në prag të Samitit të Aleancës.

Qëllimi i takimeve të Shekerinskës në SHBA është që të sigurojë mbështetje të fuqishme në pritje të samitit të NATO-s.

Loading...