Sonte në kuadër të “Verës së Shkupit” në Fakultetin e arteve figurative – Suli Han, do të shfaqet drama “Dashnori” e Harold Pinter, me të cilën do të shënohet 66-vjetori i premierës së një shfaqjeje të parë teatrore në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Në këtë datë, që është mjaft e rëndësishme për kulturën shqiptare në përgjithësi, e veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë, në vitin 1950 në Teatrin shqiptar të Shkupit, atëherë i quajtur “Teatri Populluer i Pakicave”,  është shfaqur komedia “Martesa” e N.V. Gogolit.

Shfaqja “Dashnori” është në regji të Besfort Idrizit, me skenografi të Enes Dearit, ndërsa luajnë aktorët Amernis Nokshiqi dhe Fisnik Zeqiri.

skene-nga-dashnori_1468320387-3237768

“Dashnori” paraqet kontrastin mes raporteve familjare borgjeze dhe epshit seksual. Pinter e çon publikun të besojë që ekzistojnë tre personazhe në dramë: bashkëshortja (Amernis Jovanovska Nokshiqi), bashkëshorti (Fisnik Zeqiri) dhe dashnori. Por, zbulohet se dashnori i cili vjen në orët e pasdites është vet bashkëshorti i cili luan rolin e dashnorit. Ai luan dashnorin për bashkëshorten e tij, ndërsa ajo luan laviren për të.

Shfaqja trajton dëshirën për të ikur nga realiteti dhe pamundësinë për ta bërë këtë në ndonjë mënyrë tjetër pos duke u shtirë dhe duke luajtur karaktere/role të tjera në jetën private, madje në çastet më intime.

“Dashnori” është shfaqje kamertale e fokusuar në lojën e aktorëve dhe gjendjen e personazheve të cilët i interpretojnë.

Loading...