Shfaqja “Kërkohet kloun plak” ,  nesër në Qendrën Teatrore për Fëmijë

Shfaqja luhet në Qendrën Teatrore për Fëmijë (Çarshia e Vjetër) më 15.10.2016 me fillim në ora 20. Hyrja është falas. Komedia “Kërkohet kloun plak” flet për tre kloun, kolegë të afërt, të cilët pas një kohe të gjatë takohen përsëri, por tani duke u paraqitur si konkurrentë ndaj njëri tjetrit, të cilët në vend të bashkëpunojnë, përpiqen t’i bëjnë lajka dhe dredhi njëri-tjetrit për të siguruar punë për veten e tyre. Shfaqja është bashkëkohore dhe aktuale duke u referuar në shumë ngjarje aktuale që kanë të bëjnë me situatën në të cilën shoqëria jonë gjendet, si dhe ka lidhshmëri të përgjithshme me mentalitetin tonë shqiptar dhe ballkanik. Me vetë faktin që aktorët që janë të angazhuar në këtë shfaqje vijnë nga thuajse gjitha trojet shqiptare, apo nga tre shtete të ndryshme (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni), shfaqja fiton edhe një dimension tjetër, atë nacional. Kjo shfaqje është realizim i bashkëpunimit të tre produksioneve dhe atë, Teatri i një aktori – Shkup, Teatri i Qytetit – Gjilan dhe “Butrinti 2000”. Kjo njëkohësisht paraqet edhe një orvatje për ta realizuar qëllimin e Bajrush Mjakut për ta unifikuar kulturën tonë teatrore me idenë për tu paraqitur si një kulturë dhe identitet teatrorë. Me mos realizimin e një projekti të tillë unifikues, deri tani teatrot e ndryshme shqiptare janë prezantuar si pjesë të kulturave të ndryshme duke garuar mes vete nëpër skenat e teatrove dhe festivaleve ndërkombëtare e botërore. Shfaqja është kamertale dhe bazohet kryesisht në lojën e aktorëve, pa u ngarkuar me efekte auditive dhe vizuale. Kështu, shfaqja paraqet një përpjekje për ta liruar teatrin nga të gjitha elementet dhe efektet skenike deskriptive. Në shfaqje luajnë Sabedin Shahiqi (KS), Bajrush Mjaku (MK), Alfred Bualoti (AL) dhe Beqir Nuredini (MK), kurse skenografia dhe kostumet janë të Enes Dearit.

Loading...