Shfaqja ‘Tjetri’, një terapi shpirtërore për publikun kumanovar

Është e vërtetë e patjetërsueshme se njeriu i të sotshmes, gjithnjë e më tepër po huajsohet nga ngjarjet kulturore – artistike, sepse në arealet tona jetësore, ai vazhdimisht po ndrydhet nga problemet stresuese ekonomiko-politike. Gjatë kësaj, njeriu i rëndomtë i përditshmërisë tonë sikur mezi po ngopet me bukë e sallam, përderisa ushqimi shpirtëror i tij (me kulturë e art), gjithnjë e më tepër po i transformohet në luks.

I hutuar në këtë udhëkryq të përmbysjes së sistemit të vlerave, ai sikur nuk dëshiron të shikojë filma apo shfaqje teatrale me elemente dramatike, sepse vetë jeta e tij sot është shndërruar në një dramë të vërtetë! Njeriu vdektar sot ka nevojë më së shumti për disponim, për qeshje, për humor, paçka se ai ndonjëherë është groteskë, humor i dhembshëm i cili rrëshqet pikllueshëm nëpër luginën e lotëve!

Një rast të këtillë për shijimin e një ‘terapie shpirtërore’ e kishte publiku kumanovar më datë 05.12.2015 (ditë e shtunë), kur pati mundësinë ta përjetojë një lloj ‘katarze përmes komikes’, me ç’rast e shpërlau shpirtin e lodhur nga sistemet e pashpirtta politike, të cilat atij çdo ditë po ia ngulfasin frymimin human.

Dashamirët e artit skenik të Kumanovës pra, kishin kenaqësinë e veçantë ta ndjekin premierën e shfaqjes teatrale të zhanrit groteskë ‘Tjetri’ nga autori amerikan Terrence McNelly, të retushuar mjeshtërisht nga Aktori dhe Regjisori i dëshmuar kumanovar Nehat Memeti. Ndërkaq, për mbajtjen e tensionit teatral dhe trazimin e emocioneve të publikut u kujdes muzika e Alisan Memeti-Çunit. Personazhe kryesore të kësaj melodrame ishin aktori shkupjan me origjinë kumanovare Ylber Murtezi, i cili u paraqit në rolin e pacientit, regrutit ushtarak Merrion Cheever, si dhe aktorja e re tetovare Elmedina Ameti, e mishëruar në rolin e psikiatres ushtarake, Zonjës Teech.

Duke filluar nga momenti i hyrjes së publikut në sallë, u pa qartazi se bëhet fjalë për një çfaqje jokonvencionale, ekstravagante, antiklisheike, sepse Regjisori e kishte planifikuar që publiku të mos ulej në sallë, por në skenë, në amfiteatrin e improvizuar, fare pranë aktorëve dhe melodramës ngashëruese që zhvillohej aty.

Shfaqja teatrale ‘Tjetri’ në fakt paraqet një ‘rekonstruksion psikoanalitik’ të Regjisorit Nehat Memeti, të ushtruar ndaj skenarit të autorit amerikan Terrence McNelly, i cili në kohën e tij kishte qenë ish oficer i armatës amerikane, në periudhën e luftës në Vietnam. Intenca e kësaj komedie groteske qëndron në demaskimin e fytyrës së shëmtuar të sistemit politik dhe mutacionin mizor të aparatit shtetëror të pamëshirshëm, i cili në momente të caktuara ‘jetike për shtetin’, i rekruton edhe qytetarët e vet, të cilët megjithëse janë të paaftë për jetë, ai i përgatitë për luftë të padëshiruar!

Gjatë kësaj në skenë dalin situata tragjikomike, skajshmërisht groteske, të cilat sikur të mos ishin të dhembshme, do të ishin vërtetë qesharake. Aty shihet se si rekruti ushtarak Zotëri Cheever, maltretohet psiko-moralisht nga psikiatrja ushtarake Zonja Teech, e cila duhet ta përgatisë Raportin mjekësor për (pa)aftësinë e kandidatit të lartpërmendur. Përndryshe, Zotëri Cheever është një burrë pa sherr të cilin e ka lodhur jeta e vështirë, një dyzetvjeçar i dëshpëruar nga politika, një qytetar i revoltuar nga partiokratizmi, i cili me gjithë ato sëmundje që i bartte, shpresonte ndonjë pension invalidor, por se do të rekrutohet ushtar në frontin e luftës – kurrë jo.

Përmes dialogjeve melodramatike në mes të Psikiatres Zonja Teech dhe vet Zotit Cheveer, shihen qartë thyerjet e tij të brendshme, ku gufojnë komplekset, stresi, anksioziteti, histeria, frika, inferioriteti etj. Kështu në skenë dalin situata sociologjike dhe psikanalitike, sepse përderisa Zotëri Cheveer e pyet Zonjën Teech: A është ai vërtetë i aftë për jetë?, Psikiatrja Zonja Teech e pyet pacientin e tij: si thua Ti, jam e aftë për dashuri Unë apo jo?!

Kjo  situatë për një moment t’i sjell ndërmend të gjitha dilemat dhe shqetësimet e modernitetit, të cilat njeriun e kanosin vazhdimisht, pa e lënë të marr frymë, mu sikur ajo shpata e Demoklit.

Bazuar në premisat e mësipërme, mund të konkludojmë se shfaqja teatrale ‘Tjetri’ e realizoi 100 % pritshmërinë e saj si një art i angazhuar sepse, përveç që arriti t’i drejtojë shigjetat kritike ndaj thundrës së pamëshirshme të establishmentit etatist, ajo pretendon ta zgjojë nga kotja oportuniste edhe masën popullore të hipnotizuar me rahati të rrejshme. Kështu, konsideroj se shfaqja në fjalë tek shikuesit e përçoi një mesazh të fuqishëm filozofik, sepse arriti t’i pëshpërisë publikut me humor: Carpe Diem, jetoni çastin, çmojeni atë që e keni!

Shpresojmë që shfaqje të tilla teatrale do të shohim edhe në të ardhmen e afërme.

Nga Prof.Dr. Sunaj Raimi, Sociolog i kulturës dhe artit

 

 

 

Loading...