Ky koncert ishte nën përkujdesjen e profesoreshës Sihana Badivuku.
Në mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë në objektin e Filarmonisë së Kosovës është mbajtur një koncert recital i dy artistëve, Visar Kuçi në violinë dhe pianisti nga Tetova Shkëlzen Baftiari.
Gjithçka nisi në pjesët solo të Kuçit, ku nuk kishte si të mungonte kompozitori gjerman Bach, e më pas në formacion erdhi edhe pianisti nga Tetova.
Në një prononcim për KultPlus, Kuçi u shpreh mjaft i kënaqur nga ajo se çka ndodhi në skenë.
Ai mes tjerash theksoi se një kohë të gjatë nuk ka bërë koncert recital dhe se është kënaqësi të performosh një program të tillë me kolegun Shkëlzenin.
“Brenda 2 muajve jemi parë 6-7 herë me Shkëlzenin dhe kemi punuar intensivisht sa herë jemi takuar për të arritur këtu ku jemi”, thotë Kuçi.
Përndryshe, Visar Kuçi është i ngazëllyer dhe shumë falënderues që audienca e ka pritur shumë mirë. Por, ai theksoi që gjithmonë duhet diçka më shumë.

“Me audiencën jam shumë i kënaqur dhe i falënderoj shumë, por asnjëherë nuk është mjaft dhe kurrë nuk duhet të ndalemi, të mos heqim dorë nga ëndrrat tona”, pohon Kuçi.
Për Baftiarin, i cili tanimë e ka Prishtinën destinacion të preferuar muzikor, publiku është i mrekullueshëm.
“Shumë mirë ndjehem në mesin e publikut të Kosovës. Nuk është hera e parë që gjendem këtu, vitin e kaluar kam pasur edhe koncerte solistike dhe gjithçka ka shkuar mirë”, tha për KultPlus Shkëlzeni.
Ai gjithashtu e vlerëson shumë punën e Visarit dhe premton edhe bashkëpunime tjera.
“Me Visarin njihemi moti por sa i përket kësaj sfere është bashkëpunimi i parë por jo i fundit, mendoj të vazhdoj me këtë ritëm ngase Visari është me të vërtet një artist që çdokush do të kishte dëshirë që të ishte pranë tij në skenë”, përfundoi Shkëlzen Baftiari.
Ravel, Debussy e Franck po ashtu erdhën në meloditë dhe instrumentet e dyshes.

Një numër i madh spektatorësh ishin të pranishëm për ta parë e dëgjuar atë se çka kishin për të servuar dyshja.
Ky koncert ishte nën përkujdesjen e profesoreshës Sihana Badivuku.
Pas një ore e gjysmë performance sa zgjati koncerti të pranishmit u ndanë shumë të kënaqur duke e përgëzuar Visarin, që njëherësh është edhe profesor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, në Degën e Muzikës

Loading...