Shkëlzen Doli sjell “perlat e muzikës shqiptare”

Nga Valeria Dedaj

Violinisti Shkëlzen Doli rikthehet me violinën e vitit 1736 në Teatrin Kombëtar të Operës së Baletit në Tiranë. Kësaj here për të plotësuar ëndrrën e tij të fëmijërisë, duke interpretuar muzikën e tabanit, “Perlat e muzikës shqiptare”. Është ajo muzikë shqiptare, nga të gjitha trevat; Jug-Veri dhe Shqipëri e Mesme, me të cilën është rritur gjatë fëmijërisë së tij në Gjakovë. Axhornimi i muzikës së tabanit në mënyrë më bashkëkohore, e realizuar tashmë nga Doli, duke ia prezantuar edhe publikut perëndimor, është diçka që duhet të bëhet edhe më tepër nga artistët. “Jam rritur me muzikën populloren në Gjakovë dhe kam pasur fatin të dëgjoj muzikë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo më ka dhënë dorë, që edhe muzikës klasike t’i afrohem shumë gjatë interpretimit”. E teksa tregon se për këtë i duket vetja si kameleon, shton se ndoshta kjo është edhe arsyeja për të cilën është futur në Filarmoninë e Vjenës. “Kam aftësi që të thith mënyrën e duhur se si duhet të interpretohen veprat e Moxartit, Çajkovskit etj., sepse është e domosdoshme që një pjesë të interpretohet ashtu siç ka dashur kompozitori”.

Bashkëpunimi me Ansamblin e Valleve dhe të Këngëve

Nesër, ora 20.00 në TKOB Shkëlzen Doli vjen në bashkëpunim me Ansamblin e Valleve dhe të Këngëve Popullore. Këtë bashkëpunim ai e quan realizimin e një ëndrre të fëmijërisë, sepse në Gjakovë është rritur me këtë ide. “Ka qenë si një formë dritareje e kulturës dhe artit shqiptar, të Shqipërisë. Të gjitha ngjarjet që ndodhnin atëherë ne i kemi përcjell në Gjakovë, jemi rritur jo vetëm me muzikën, por dhe me filmat shqiptarë. Jam rritur me këngët e Shqipërisë së Mesme, të Jugut dhe të Veriut. Për këtë arsye ndihem shumë i lumtur”, tregon violinisti. Sipas tij, që të jesh artist klasik nuk mjafton vetëm violina klasike, por edhe shpirti popullor si artist. “Është veçori e rrallë që një klasik të luajë edhe pjesë popullore të tabanit, por për mua kjo ka rëndësi, sepse një artist duhet t’i njohë dhe t’i ndiejë gjatë interpretimit veprat e vendit të tij”.

Doli gjatë këtij bashkëpunimi ka vënë re edhe punën e bërë nga Ansambli, që sipas tij është duke ecur në rrugën e duhur, përsa i përket nivelit artistik. “Unë besoj se kanë ndodhur ndryshime. Ilir Kerni (drejtor i TKOB-së) dhe Gerti Druga (drejtor Artistik i Ansamblit) po bëjnë një punë, që ka dhënë rezultate. Është një frymë e re dhe një nivel komplet tjetër, prandaj besoj se do të ketë investime të tjera në këtë drejtim, duke realizuar bashkëpunime edhe me shtete të tjera. Sigurisht që vëmendja ndaj kulturës popullore dhe traditës duhet të vazhdojë, sepse duhet ta ruajmë kulturën tonë popullore”. Shkëlzen Doli pas koncertit në Tiranë do të vazhdojë me koncerte të tjerë.  “Kam një turne në Itali më Filarmoninë e Vjenës, më pas në Spanjë dhe në Gjermani. Pastaj vjen Festivali në Salzburg”.

Gerti Druga:  Ja si lindi bashkëpunimi me Dolin

Drejtori Artistik i Ansamblit Popullor të Valleve dhe Këngëve, Gerti Druga, nuk bashkëpunon për herë të parë me violinistin Shkëlzen Doli. Fillimisht ai na tregon se kanë bashkëpunuar me Orkestrën e Madhe të TKOB-së dhe më pas me Orkestrën e RTSH-së, për pjesët arbëreshe. Këtu e ka zanafillën edhe ky koncert që interpretohet nesër mbrëma në TKOB. “Pasi përfunduam bashkëpunimin e fundit menduam që të bëjmë një koncert të madh. Gjëja më e bukur ishte që ta bënim nëpërmjet Orkestrës së Ansamblit, e cila është më tipikja për të bërë një koncert të natyrës popullore, por tashmë të trajtuar dhe pak në mënyrë klasike. Kështu që bëmë një lloj përzgjedhjeje, duke e ndarë programin në dy pjesë”.

 Programi

Programi është ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është pjesa klasike dhe e dyta është ajo popullore e mirëfilltë. Te pjesa e parë, Druga na tregon se janë këngë në nivelin e “Bareshës”, disa këngë shkodrane, si “Margjelo”, “Më ka shkuar mendja me u feju”, “Pranvera fillon me dal” etj. “Pastaj vazhdojmë me pjesën e dytë ku ka motive çame, motive nga Shqipëria e Mesme, motive nga Jugu, Kaba etj. Jemi munduar që të përfshimë të gjitha zonat e mundshme me gjërat më tipike në këtë drejtim”. Pjesa e parë zgjat 30 minuta, po ashtu dhe pjesa e dytë. I gjithë koncerti me “Perlat e muzikës shqiptare” zhvillohet në 1 orë e dhjetë minuta.

Muzika e tabanit

Druga mendon se kjo është e vetmja formë për të ruajtur muzikën tonë të tabanit. “Të flasësh për muzikën popullore është shumë e sikletshme në këto momente, të paktën në kohën që ne jetojmë sot. Jemi përballë një fakti që muzika popullore duhet të jetë e pastër edhe e painfluencuar nga pjesa tjetër e natyrës që muzika ka sot. Merr edhe jep midis zonave edhe muzikës tjetër që është pjesa universale. Kështu që është e vështirë. Por, nga ana tjetër unë nuk jam më brezi i mjeshtërve të mëdhenj, që kanë krijuar atë muzikë. Unë jam një brez, që përfaqësoj një tjetër kohë, një tjetër frymë, që bashkë me Shkëlzen Dolin jemi munduar që ta pastrojmë dhe t’i japim një energji të re, por pa e dëmtuar dhe pa e bërë pis, të gjithë atë pjesë të mrekullueshme tonën”.

Këngët e fëmijërisë

“‘Bareshën’ e kam shumë përzemërt, “Pranvera filloi me dal”, sidomos trajtimi që i kam bërë, është pikërisht ajo që kam pasur si evokim nga e kaluara ime. Po ashtu edhe konceptimi i muzikës veriore, që është pak larg zonës sime, sepse unë vij nga Jugu (Kuçova) dhe e kisha pak të sikletshme këtë pjesë. Ndonjëherë duhet ta duash edhe të flesh me atë që bën, nuk është gjithmonë kaq e lehtë, por edhe në këtë drejtim kemi bërë maksimumin”.

Ansambli

Ansambli Popullor po punon për ta sjellë gjithçka që i përket tabanit, edhe vallet po i koncepton jo në mënyrë tradicionale, por në një formë më moderne. “Kështu që Ansambli sot është një nga formacionet më interesante në Shqipëri sot. Ansambli mbetet një bibliotekë lëvizëse, sepse me të, ke mundësinë që të zbulosh gjithçka për veprat shqiptare. Ke mundësinë që t’i trajtosh me një grup instrumentistësh, të cilët janë të gatshëm për çdo gjë”, përfundon Druga.

Biografia

Violinisti Shkëlzen Doli (1971) ka lindur në qytetin e Elbasanit. Mësimet e para për violinë nisi që t’i merrte në moshën 9-vjeçare në Gjakovë (Kosovë). Pjesëmarrja edhe vlerësimi me disa çmime bëri që në vitin 1986 të regjistrohen në gjimnazin e Muzikës në Novi të Sadit në ish-Jugosllavi. Nën udhëheqjen e Imre Jambor dhe Csaba Szima. Në moshën 17-vjeçare fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Muzikës për të rinjtë në ish-Jugosllavi dhe u regjistrua në klasën e Ewgenia Tschugaeva-s në Akademinë Muzikore të Novi Sadit. Më 1995 karriera e Shkëlzen Dolit si muzikant shënoi një sukses të ri shumë të rëndësishëm.

Ai filloi të luante në Orkestrën Filharmonike të Vjenës. Pjesëmarrja në ansamble të ndryshme filharmonike të muzikës së dhomës, si p.sh. te “Toyota Master Players”, “Virtuozët Vjenezë” dhe Rene Staars “Ensemble Wiener Collage”, “The Philharmonics”, e ndihmoi Dolin të zinte një vend të përhershëm dhe të suksesshëm në skenën muzikore vjeneze. Ka qenë në shumë turne, si solist dhe anëtar i grupeve të muzikës së dhomës në shtete të ndryshme evropiane, në Amerikën Veriore, Afrikë, Izrael dhe Japoni. Ai bën pjesë edhe në një grup të muzikës së dhomës, në ansamblin “Philharmonisches Ensemble – Wien”.

Loading...