Një moment historik apo një propozim që mund të sjellë luftë? Kur bëhet fjalë për shkëmbimin e territorit mes Serbisë dhe Kosovës, varet se kë pyet.

Gjatë kësaj kohe po spekulohet, se të dy vendet po mendojnë të shpalosin zyrtarisht këtë ide, që këtë të premte, kur presidentët e tyre do të takohen në Bruksel. Ideja duket e thjeshtë. Lugina e Preshevës në jug të Serbisë, ku popullësia është më së shumti shqiptare, do të bashkohet me Kosovën. Në këmbim, Serbia do të rikthejë kontrollin e plotë mbi zonën e populluar nga serbët në veri të lumit Ibër, i cili kalon përmes Mitrovicës.

Zgjidhje për konfliktin?

Idhtarët e kësaj ideje thonë se një këmbim i territoreve, potencialisht, mund t’i japë fund bllokimit që ekziston mes dy vendeve prej 10 vitesh, që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në mënyrë të njëanshme.

“Ndryshimi i kufijve, mund të duket i papëlqyeshëm, por shumë e kanë konsideruar si një zgjidhje praktike”. shprehet James Ker-Lindsay, specialist për Ballkanin në London School of Economics.

“Nëse do të ketë një marrëveshje konsensuale mes palëve, kjo do të hapte rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe do të lejonte Kosovën të bëhej më në fund, anëtare e Kombeve të Bashkuara”.

Por, përpara se kjo ide të shpaloset plotësisht, ka nisur të kritikohet ashpër. Ballkani Perëndimor, kaloi përmes ndryshimeve të mëdha të kufijve në vitet 90′. Më shumë se 100 mijë persona humbën jetën dhe miliona të tjerë u dëbuan, për shkak të konflikteve etnike.

Një recetë për konflikt?

Paddy Ashdown, ishte dëshmitar i shkatërrimit në Bosnje, si Përfaqësues i Lartë Ndërkombëtar. Ai është bashkë-autor i një apeli, drejtuar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogjerini, për të ndalur të gjitha bisedimet që përfshijnë këmbimin e territoreve.

“Lëvizja e kufijve nuk do të zgjidhë ndarjet, por do t’i thellojë ato”, thuhet në letër, ku paralajmërohet se politikanët nacionalistë, mund ta përdorin këmbimin e territoreve, për të nisur edhe ndarjen e Bosnjes.

“Paqja e qëndrueshme, mund të vijë vetëm kur të mësojmë të jetojmë në komunitetet multi-etnike, në vend që të ri-vizatojmë kufijtë për të krijuar komunitetet mono-etinike. Nuk ka asnjë politike tjetër më të mundshme se kjo, që mund të rikthejë ndarjen dhe konfliktin në Ballkan”.

Mogherini është një “lojtare” kyçe. Ajo drejton bisedimet për normalizim mes Presidentit Serb, Aleksandar Vuçic, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ajo nuk e ka përmendur drejtëpërdrejtë një shkëmbim territoresh, por ka shtyrë të dyja palët që të sheshojnë diferencat.

“Ka ardhur koha që ky konflikt të mbarojë”, u shpreh ajo ditën e hënë. “Jam besimplotë se presidentët Vuçiç dhe Thaçi, do të arrijnë një marrëveshje ligjore për normalizimin e mardhënieve dhe kjo marrëveshje, do të jetë konform ligjit ndërkombëtar dhe do të ndihmojë për stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha Mogherini.

Gjermani ka qenë e prerë për kundërshtinë ndaj ndryshimit të kufijve, por nuk ka mbështetje nga vendet e tjera të BE-së. Ndërsa Britania, mbetet e angazhuar për këtë ide.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka folur për “një moment historik”, për Serbinë dhe Kosovën. Megjithatë, mbeten shumë shqetësime. Nacionalistët në Serbi dhe Kosovë, nuk do të pranojnë një marrëveshje që duket se i jep palës tjetër fitore. Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë dhe kryeministër i sotëm, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar idenë, duke thënë se ndryshimi i kufijve mund të sjellë luftë. Ndërkohë, serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, janë të shqetësuar se do të braktisen, nëse veriu i kalon Serbisë.

Roli i Thaçit

Një diplomat europian, i tha BBC-së, se këmbimi i territorit ishte një ide shumë “serioze nga pala serbe”, por i mungonte dakordësia në Prishtinë, gjë që mund të krijojë probleme.

“Thaçi po vepron i vetëm deri tani – ai nuk ka paraqitur argumenta që njerëzit t’i bashkohen. Mund të jetë një propozim i mirë, por ai duhet ta shesë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë deklaruar se nuk do të pengojnë një marrëveshje bilaterale. Qëndrimi i Rusisë, është më i vështirë për t’u kuptuar. Presidenti Putin do të vizitojë Beogradin, muajin tjetër.

Loading...