Shkencëtari francez thotë se ka zbuluar një tjetër portret prapa “Mona Lisës”

Londër, 9 dhjetor – Shkencëtari francez Pascal Cotte pretendon se prapa “Mona Lisës” së Leonardo da Vinçit ka zbuluar një tjetër portret.

Cotte ka thënë se ka kaluar më shumë se 10 vjet duke përdorur teknologji me reflektim të dritës për ta analizuar pikturën. Ai deklaron se portreti prapa kryeveprës së Da Vinçit është më i hershëm. Rikonstruksioni shpalos një tjetër imazh të dikujt që shikon anash.

Muzeu i Louvreit nuk ka pranuar të komentojë rreth deklaratave të Cottes, sepse, sipas tyre, “ai nuk ishte pjesë e ekipit shkencor”. Deklaratat e Cottes janë kontroverse dhe ekspertët e Da Vinçit kanë opinione të ndara rreth kësaj çështjeje, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e BBC-së.

Është e zakonshme për një artist të punojë më shumë versione të një imazhi, njëjtë siç ndodh me veprat e porositura kur klienti i kërkon artistit t’i bëjë disa ndryshime. Prandaj nuk është e çuditshme se ekzistojnë ato nënshenja në pikturën e “Mona Lisës”. Ato që nxirren me anë të hulumtimeve duke përdorur këso teknologjie janë të hapura për diskutim, por duhet të analizohen dhe të vërtetohen nga komuniteti akademik dhe kuratorial dhe jo nga një individ i vetëm. Vendimi i Muzeut të Louvreit që të mos komentojë në këtë rast tregon shumë.

Shkencëtari i cili është bashkëthemelues i “Lumiere Technology” në Paris, ka marrë leje që të punojë në pikturë që nga viti 2004. Ai ka qenë i pari që ka përdorur teknikën e quajtur “Layer Amplification Method” (LAM), të cilën e përdori për ta analizuar “Mona Lisën”. Cotte ka thënë se ajo punon duke “projektuar një seri të ndriçimit të fortë” në pikturë. Ai po ashtu ka thënë se më pas kamera merr masat e reflektimit të dritës dhe nga ato matje, më pas është në gjendje që të rikonstruktojë se çfarë ka në mes të shtresave të ngjyrës. “Mona Lisa” ka qenë subjekt i shumë ekzaminimeve shkencore për më shumë se një gjysmëshekulli. Teknikat e fundit përfshijnë rrezet infra të kuqe dhe skanimet multi-spektrale. Por Cotte pohon se teknika e tij është në gjendje që të depërtojë shumë më thellë në pikturë.

“Tani mund të analizojmë saktësisht se çka ka brenda shtresave të ngjyrës dhe mund të zhveshim të gjitha shtresat e pikturës. Mund të konstruktojmë krejt kronologjinë e realizimit të pikturës”, ka thënë Cotte.

Besohet se Leonardo ka punuar në këtë pikturë në mes të viteve 1503 dhe 1517, fillimisht në Firence e më pas në Francë. Është debatuar gjatë edhe rreth identitetit të Mona Lisës. Por për shekuj me radhë është besuar se ajo është Lisa Gherardini, gruaja e një tregtari mëndafshi nga Fiorentina. Por Cotte thotë se zbulimet e tij e sfidojnë këtë teori. Ai beson se imazhi i krijuar nën sipërfaqen e pikturës origjinale të Leonardos dhe portreti i cili për 500 vjet njihej si “Mona Lisa në fakt është i një gruaje tjetër.

“Rezultatet thyejnë shumë mite dhe ndryshojnë përgjithmonë vizionin tonë rreth kryeveprës së Leonardos”, ka thënë Cotte. Ai ka thënë se ka gjetur dy imazhe nën sipërfaqen e pikturës: konturën e hijezuar e një portreti me kokë, hundë, buzë e duar më të mëdha. Imazhi tjetër, sipas tij, është i stilit Madonna siç dallohen në stilin e flokëve të zbukuruar me margaritarë.

Por profesori i historisë së artit në Universitetin e Oxfordit, Martin Kemp, nuk është i bindur.

“Imazhet e Cottes janë interesante, ku tregojnë se çka mund të ketë menduar Leonardo. Por ideja se aty ka një tjetër pikturë të fshehur nën sipërfaqe është e pabazë. Nuk besoj se këto janë fazat diskrete që përfaqësojnë portrete të ndryshme. Me shumë e shoh si proces i vazhdueshëm i zhvillimit. Jam absolutisht i bindur se Mona Lisa është Lisa”, ka thënë Kemp.

Historiani i artit Andrew Graham-Dixon ka realizuar një dokumentar që titullohet “The Secrets of the Mona Lisa”, teksa ka studiuar dokumentet historike që lidhen me pikturën, në mesin e tyre edhe gjetjet shkencore të Cottes.

“Pa dyshim se kjo është një prej historive të shekullit”, ka thënë Graham-Dixon. “Me siguri se do të ketë kundërshtime nga autoritetet e Louvreit që t’ia ndryshojnë titullin pikturës, sepse kjo është ajo për të cilën po flasim: lamtumirë ‘Mona Lisa’, mirë se vjen dikush tjetër”, ka shtuar ai.

Loading...