Shkëndija kthen sytë kah Austria dhe përballja me kampionin e këtij vendi Red Bull Salzburg. Ashtu si The New Saints i Uellsit tanimë edhe kampioni i Moldavisë, Sheriff Tiraspoli i takon të së kaluarës për kuqezinjtë, që kaluan dy pengesat e para të eliminatoreve të sivjetshme të Champions League. Rivali i tretë është emër i madh në futbollin austriak dhe europian, gjysmëfinalist i edicionit të kaluar të UEFA Europa League. Sfidë e vërtetë për kuqezinjtë që presionin kërkojnë ta kthejnë në motiv, pasi përballë Salzburgut nuk kanë çka të humbasin.

Në këtë frymë stafi teknik me futbollistët zhvillojnë përgatitjet për takimin e parë që do të luhet të mërkurën (8 gusht) në Austri, ndërsa trajnerit Qatip Osmani i shtohet një zgjidhje shtesë me Gledi Micin që fiton të drejtë loje. Mbrojtësi i majtë u bashkua me kuqezinjtë pak para sfidave me Sheriff Tiraspolin, ndërsa regjistrohet për raundin e tretë eliminatorë ku Shkëndija përballë ka Salzburgun. Ekipi do të punojë në Tetovë edhe paraditën e të hënës, që më pas në mbrëmje ekspedita të udhëtojë drejt Austrisë.

Loading...