Shkolla, të mësojë nga e ardhmja!

Xheladin Murati

 

Qasja në trajtimin e problemit mbështetet në tri premisa themelore:

  1. Shkolla është institucioni më i mirë në shërbim të njeriut.
  2. Shkolla është më e ekspozuar ndaj ndryshimeve sepse në te pasqyrohen të gjitha ndjesitë e së ardhmes.
  3. Shkolla është ambient jetese dhe krijon perspektivë jetese.

1.Shkolla si jetë e nxënësve

Eshtë e sigurt, se nuk ka ecje përpara pa vlerat themelore e të qëndrueshme që krijojnë ndryshime qenësore në jetë. Shkolla është ajo që ofron dhe jep vlera dhe si e këtillë bëhet institucion jetësor i nxënësve. Kjo, jo vetëm për faktin se në edukim buk ka një formulë të vetme apo edhe rregulla të veçanta sipas të cilave duhet të sjellet nxënësi, por edhe për faktin se edukata që në familje, në shkollë është reagim, manifestim në raport me kërkesat e edukatorit dhe si e tillë rezulton me ose pa sukses.

Protagonistët e shkollës janë nxënësit. Aty ata e arrijnë dhe përvetësojnë karrierën e dijes e të ardhmes së tyre. Por partner në shkollë janë nxënësit, mësuesit dhe prindërit  e nxënësve.

Shkolla është një urë lidhëse e kultures së vjetër me kulturën e re, e të djeshmes me të sotmen, është një rikthim i çliruar nga pengesat objektive dhe ato subjektive për të edukuar një personalitet, që i përket periudhës së digjitalizimit. Shkolla është e para që ka përqafuar trendet më të reja të organizimit të mësimit, por edhe e para që sjellë kulturën e organizimit të jetës në shoqëri, në familje dhe në institucione. Kjo na obligon që shkollën gjithnjë ta ngrem në lartësi për të mirën tonë personale dhe shoqërore. Shkolla është pasqyrë e çdo kombi e shoqërie.

Cfarëdo që është thënë dhe sido që është përkufizuar edukata, ajo gjithmonë ka mbetur ashtu, edukatë, e caktuar me rregulla nëpër të cilat duhet të ec nxënësi dhe ato ti pranon.

2.Roli i shkollës në të ardhmen e jetës së nxënësit

Shkolla, padyshim, që kontibuon në drejtimin e mendimit të njeriut, të nxënësve duke i  përgatitur nxënësit të përballen me realitetin e ri shoqëror, që gjithsesi demonstrohet ndryshe dhe më komplekse se sa që është në realitet.

Ndërtimi i shkollës së ardhshme është filozofi që nuk krijohet për 3 apo 6 muaj, por krijohet për vite, prandaj duhet të analizohet se si ta shpëtojmë shkollën nga rrëmuja në të cilën gjendet. Mendoj që gjëja e pare që duhet bërë për shkollën dhe arsimin është të ndalen ndërhyrjet e shumta pa analizë objektive e arsyetime shkencore – pedagogjike. Ndërtimi i shkollës së ardhme duhet të bëhet mbi bazë të planeve e strategjive për të funksionuar për ardhmëri.

Shkolla, një institucion modern i së ardhmes, por edhe i së kaluarës është prestigjioze që evidenton arritje të veçanta sa i përket njeriut, shoqërisë, kombit. Në fakt, shkolla nuk kufizohet vetëm për të ruajtur të tashmen, por është një institucion modern i së ardhmes, pasi merr pjesë aktivisht në rregullat e lojës që e menaxhojnë të ardhmen. Sfidat në këtë proces të përballjes me të ardhmen janë të jashtëzakonshme. Në fakt shtrohet pyetja:kush do ta bëjë diferencën në ballafaqimin me të ardhmen?

Pse e theme këtë?  Sepse duhet një shkollë larg asaj tradicionales, klasikes. Sepse shkolla e ardhshme nuk është një institucion ku thjesht dhe vetëm mësohet, por ku mbi të gjitha bëhet zhvillimi, projektohet ardhmëria. Unë  kujtoj, gjithsesi, se shkollat janë bërë të sikletshme, por pa to nuk mundet. Prandaj ato duhet të modernizohen.

Nuk mund të them me saktësi çka e dallon shkollën bashkëkohore, po do të them se dështimi i bashkohores është përpjekje për të bërë shkollë të qëndrueshme si kjo e sotmja. Shkolla do të dallon nga ndryshimet që do të ndodhin në te: eksplorimi i hapësirës, funksionit dhe formës, kodet dhe normat arkitektonike-pedagogjike të saj, teknike-teknologjike, metodologjike, kurrikulare dhe nga dimensioni pedagogjiko-menaxherial. Të mësojmë nga e ardhmja sepse gjithë ëndërrojmë të ardhmen. Dhe pikërisht e ardhmja ka gjithnjë e më shumë mundësi. Shkolla në këtë kontekst synon dhe ka si detyrim aftësimin e nxënësve për të ardhmen duke zhvilluar aftësitë artikuluese, duke zhvilluar mprehtësinë intelektuale dhe aftësitë parashikuese me qëllim që ato të përdoren për të mirë. Thjesht udhëtimi në kohë është një ëndërrë e mire e sfiduese. Në fakt, sa më shumë mësojmë nga e ardhmja, aq më shumë lëvizim drejt  saj. Këtu është edhe pikëtakimi i shkollës me të ardhmen dhe titulli i këtij eseu.

3.Perspektiva

Përfundimisht çfarë mund të thuhet për shkollën e ardhshme? Kjo na çon të bçjmë shumë pyetje, ashtu siç kanë bërë pyetje edhe në të kaluarën me ose pa sukses. Shkolla nëse   do të arrijë jo vetëm ta kufizojë zhvillimin e nxënësit por edhe ta drejtojë nxënësin, dhe nëse do të jetë në gjendje t’i përgatis nxënësit për sfidat aktuale dhe të ardhme strategjike do të ishte e suksesshme.

Shkolla e së ardhmes do të jetë një sfidë e vështirë, por ne duhet ta fitojmë atë sfidë sepse e këtillë na duhet. Prandaj gjykoj se ndihma tradicionale për sfidat moderne të shkollës janë të domosdoshme. Ajo do të jetë një shkollë në lëvizje, me orare fleksibile, me lëndë dinamike, klasë jo  statike, me nxënës me performansa të ndryshme, me arsimtar shumëdimensional, me liri lëvizëse të madhe. Ajo do të ndryshoj si në përmbajtje ashtu edhe në formë, strukturë dhe arkitekturë, në qëllime dhe objektiva, në synime e strategji mësimi.

Stili modern, eleganca e formave të punës mësimore dhe harmonia në klasë personifikojnë karakterin e pastër dhe produktiv të shkollës. Përpos kësaj mësimi ka karakteristikat   e veta. Aty spikatin punimet e nxënësve, të cilat i zgjedh mësuesi me shumë kujdes. Mësuesi mendon për kornizat e punës dhe pozicionin e nxënësve në klasë kurse nxënësit bëjnë detajet e saj. Klasa pasurohet edhe me elemente të tjera. Prandaj mësuesi është arkitekt i mësimit. Ai shkollën nuk e sheh vetëm si vendndodhje por edhe si vlerë shoqërore e pedagogjike. Shkolla është një shtëpi moderne edukimi, por njëkohësisht shpreh identitet pedagogjik në çdo skaj të saj.

Mësuesi e sheh të nevojshme të bën ndërhyrje në gjeometrinë e klasës për një riorganizim të hapësirës në mënyrë që të lejojë shikimin e drejtpërdrejt. Klasa duhet të jetë ambient i hapur e i komunikueshëm. Pra konfiguracioni i klasës, duhet të jetë hapësirë e krijuesit e të perceptohet  si një e tërë dhe e ndarë në zona mësimore, por tërësisht e digjitalizuar sepse gjenerata e ardhshme e nxënësve kanë lind në kohën digjitale.

Organizimi i klasës së tillë reflekton në disa drejtime:  përmirëson funksionin mësimor, njohës e logjik;  rrit aktivitetin intelektual dhe vlerësues të nxënësit;   përmirëson komunikimin pedagogjik dhe  ofron aktivitete të nduarnduarta.

Mësuesit nuk duhet të bëjnë kompromis me cilësinë dhe madhështinë që ka shkolla  e që ka  detyrim të përmbush ajo, përkundrazi, duke e përforcuar fuqinë e edukimit e të shkollës ta rrit madhështinë e njeriut, dinjitetin e tij.

Prandaj, edhe e transformuar me arkitekturë tjetërfare duhet kthyer nga ardhmëria. Ajo duhet vlerësuar, propaganduar e ngritur lart në dobi të individit, shoqërisë dhe qytetërimit.

Nuk ka shkollë që mund të jetë imune ndaj ndryshimeve dhe të ardhmes, prandaj edhe shkolla e ardhmërisë do të ballafaqohet me probleme, mangësi dhe anomali. Në këtë kontekst mund të konkludoj me sa vijon: (1) Nuk ka kompromis me cilësinë e mësimit e të shkollës dhe madhështinë që duhet ta përmbush shkolla e ardhshme. Thjesht ta shikojmë ardhmërinë e cila rrëshqet shpejt dhe shkollës ti japim ndihmën tradicionale për të përballuar sfidat moderne. (2) Shkolla e ardhshme nuk është e idealizuar apo utopi. Përndryshe mund të flitet gjithë kohës për shkollë të ardhme. (3) Ardhmëria e shkollës domosdo të jetë imperativ i shoqërisë.

 

Loading...