Shkolla të shikojë përpara

Xheladin Murati

Koha ka shtruar para shkollës dhe organizimit të saj pedagogjik e të funksioneve latente nevojën jetike të përballimit të sfidave të gjithanshme të zhvillimit intelektual, psiko-social, moral e shoqëror të personalitetit. Pedagogjisë i takon nderi dhe detyra ta ndihmoje shkollën në këtë drejtim kompleks.
Premisat për të shqyrtuar shkollën si institucion edukativ-arsimor, kulturor, social e zhvillimor janë:
– Shkolla është jë factor me një rrezatim shoqëror të gjerë, sidomos edukativ e kulturor, ajo është bartëse e qytetërimit;
– Shkolla zhvillon një qëndrim më të kujdesshëm e njerëzor ndaj vetë qytetarëve, ajo zhvillon ndjenjën e përgjegjësisë;
– Sado që shkolla kultivon një qëndrim aktiv ndaj jetës, ajo nuk është efikase në ndërtimin e karrierës së nxënësve;
– Mungesa e shanseve për të ardhmen dhe pesimizmi social e devalvojnë rolin e shkollës;
– Suksesi dhe efikasiteti i shkollës varet nga baza arsimore dhe didaktike të përgatitjes së arsimtarëve dhe baza materiale – teknologjike.
Shkolla është një nga institucionet më të rëndësishme të shoqërisë. Kjo rëndësi buron nga domosdoshmëria e arsimimit dhe aftësimit efikas të nxënësit si protagonist i të ardhmes. Koloriti i jetës në shkollë ndërtohet mbi bazë të aspekteve të jetës që lidhen drejtpërsëdrejti apo në mënyrë të tërthorrtë me aftësitë dhe nevojën e nxënësit për t’u afirmuar dhe zhvilluar. Institucioni shkollë mbështetet në tre elemente që ate e bëjnë funksionale e të qëndrueshme: të drejtimit, të organizimit dhe të kontrollit.
Shkolla është pjesë e jetës dhe në funksion të jetës. Marrëdhëniet midis shkollës dhe jetës janë të rëndësishme. Ato reflektohen në mbizotërimin e jetës mbi shkollën dhe kontrolli i fortë mbi shkollën si dhe ndikimet e ndërsjella që ato ushtrojnë në njëra tjetrën dëshmojnë aftësitë integruese.
Pedagogjia e ka në qendër të vëmendjes rolin, misionin dhe funksionin e shkollës. Këtu shtrohet pyetja: Cilat janë kompetencat e saj ndaj shkollës? Po njëherit edhe pyetja: në ç’masë shkolla u nënshtrohet këtyre kompetencave zhvillimore? Përgjigjen e këtyre pyetjeve e kemi dhënë disa herë dhe ate vazhdojmë ta kërkojmë në zhvillimin cilësor të shkollës. Shkolla është një “organizëm” i gjallë që u përshtatet ndryshimeve dhe i nxit ndryshimet. Nisur nga ky konceptim edhe rolin e shkollës e shikojmë në lëvizje mbi bazë të kompetencave.
Pedagogjia në fakt ka përpunuar dy linja të trajtimit të zhvillimit të shkollës dhe ndikimet e saj në shoqëri. Linja e parë është ajo tradicionale, ndërsa e dyta ajo bashkëkohore.
Gjithsesi mund të thuhet se problemi i shkollës, kësaj bashkëkohore, është për pedagogjinë bashkëkohore një çështje e hapur. Ajo mbështetet në strategjitë pedagogjike të zhvillimit dhe të organizimit.
Mësuesit, arsimtarët janë profesionist të nevojshëm dhe të pakontestueshëm në shoqëri. Ato kanë atribute pedagogjike, edukative, profesionale e organizative dhe duhet të shmangen nga kushtëzimi politik. Shkolla ka nevojë për pavarësi institucionale, jo t’i nënshtrohet vijës partiake, direktivave dhe manipulimeve politike, siç është realiteti sot.
Mësuesit në drejtimin e procesit edukativ-arsimor dallohen me rolin e tyre parësor: karakterin e fortë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë për punë edukative me nxënës. Misioni i shkollës dhe mësuesit është patriotizmi dhe vënia e tij në shërbim të vendit, shoqërisë, kombit.
Puna e shkollës niset nga tre objektiva të veçanta që i japin asaj karakter pedagogjik, human, social e zhvillimor. Këto objektiva janë: vërtetësi, objektivitet dhe realizëm.
Gjithë veprimtaria që realizohet në shkollë si institucion edukativ-arsimor i shërbejnë një qëllimi pedagogjik. Ky qëllim buron nga misioni i shkollës dhe përthyhet sipas detyrimeve dhe funksioneve që kryen ajo në shoqërinë multietnike. Kjo ka aq më tepër rëndësi po të kemi parasysh dimensionin dhe rrezen mjaft të gjerë të veprimtarisë së shkollës në aspektet intelektuale, morale, estetike, fizike, social-emocional e të ngjashme.
Shkolla realizon imperativa, ndanë përgjegjësi historike e shoqërore, tregohet rigoroze, ajo ka modele të organizimit (totalitar, demokratik e të ngjashme). Me rëndësi është që shkolla të kuptohet si një model dinamik, jo statik, që ndryshon në varësi të kohës dhe të rrethanave.
Shkolla ka dimensione sociale. Këto dimensione rrjedhin natyrshëm prej transformimit dhe ndryshimet që ndodhin, duke zëvendësuar modelet e më parshme mësimore e të mësimdhënies me modele të reja në përputhje me kushtet e reja teknologjike dhe të organizimit të shoqërisë. Avancimi i shkollës demokratike dhe të zhvillimit e cila ka koncept për promovimin e diturive mbetet objektiv i shoqërisë tonë bashkëkohore.
Tradicionalisht veprimtaria e shkollës sado që distancohet nga e kaluara, ka elemente të trashëguara që barten brez pas brezi. Por shkolla ka tendencë e gatishmëri të natyrshme për të qenë bashkëkohore, të ec në hap me kohën gjithnjë duke kërkuar vlera më të larta e më të merituara.
Zhvillimet e hovshme teknike-teknologjike dhe shoqërore imponojnë zgjerimin e bazës sociale, pedagogjike dhe metodologjike të shkollës, domethënë zëvendësimin e sistemit të mbyllur të vlerave me sistem të hapur apo do të thoshim të të nxënit aktiv dhe mësimdhënie interaktive.
Sot shkolla nuk është si dje dhe nesër nuk do të jetë si sot. Shkolla ripërtërihet në konceptim, në mision e funksion, në përbërje, në strukturë e kurrikulë, në potenciale e kapacitete, në procese e jo duke vendnumëruar. Tek ajo mbizotëron gjithnjë e më tepër arsyeja e racionalizimi, rregulli dhe synimi.
Kontributi i shkollës në jetën e shoqërisë dhe njeriut në fushën e edukimit vjen drejtpërsëdrejti jo nëpërmjet rrugëve të tërthorrta. Pjesëmarrja e saj në ndërtimin e jetës së njeriut dhe të shoqërisë realizohet nëpërmes formave të ndërhyrjes, jo të largimit.
Sa më shumë që roli pedagogjik e arsimor i shkollës zgjerohet brenda shoqërisë, aq më shumë mësuesit dhe pedagogët e gjejnë veten të përfshihen në procesin e edukimit. Në këtë kontekst, pjesëmarrja aktive e shkollës në jetën shoqërore reflekton në përparimin e modeleve të reja të drejtimit të jetës dhe të vendosjes së marrëdhënieve të adaptuara me shvillimin, shpreh edhe arsyen dhe nevojën për edukimin e të rriturëve.
Këto cilësi e atribute dhe të tjera që mund të përmendim formojnë një unitet vlerash për rolin e shkollës në shoqërinë bashkëkohore, e cila artikulon interesat zhvillimore të nxënësit dhe funksionet pedagogjike. Duke pranuar rolin e padiskutueshëm të fitoreve dhe disfatave të shkollës në historinë e arsimit dhe në tërë zhvillimin e shkollës, atributi më i arsyeshëm që mund t’ia shtojmë është transformimi përmbajtësor dhe arkitektural i saj.
Shkolla si institucion edukativ mbetet laborator i reformave arsimore, aty përthehet cilësia, vlera dhe progresi. E ardhmja e shkollës qëndron mbi themelet e reformave të mirëfillta pedagogjike.

Loading...