Autobusët e vjetër që qarkullojnë për më shumë se 30 vite nëpër Shkup janë një nga ndotësit më të mëdhenj në qytet. Me vite qytetarët kërkojnë ndrrimin e tyre, ndërsa Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) dhe Qyteti i Shkupit para gjashtë muajve premtuan se ato do të hiqen nga përdorimi. Sipas informatave që siguroi Portalb.mk, NQP e ka filluar fazën përfundimtare të furnizimit me 40 eko-autobusë të cilët drejtori i ndërmarrjes Kristijan Çushkov i paralajmëroi para gjashtë muajve.

Zëdhënësja e Ndërmarrjes Qarkulluese Publike në Shkup, Despina Trajkovska Dimova, thotë se procesi për prokurimin e 40 eko-autobusëve me gaz është në fazë përfundimtare, më saktësisht të pritjes së vendimit nga institucioni ndërkombëtar kreditor për kredinë me të cilën do të bëhet furnizimi. Ndërkaq ajo njofton se menjëherë pas lëshimit të eko-autobusëve në qarkullim do të largohen nga përdorimi autobusët vjetër urban, njofton Portalb.mk.

“Procesi për furnizimin e autobusëve të rinj është në rrjedhë, më saktësisht procedura është në fazë përfundimtare për detyrim të NQP Shkup, para institutit ndërkombëtar për kredi. Ky institucion do ta nënshkruaj tenderin për prokurimin e autobusëve të rinj. Pas mbarimit të tenderit, duke marrë parasysh ofertën më të volitshme, do të dihet saktë sa automjete, me çfarë çmimi, nga cila kompani dhe nga cili vend do të furnizohet. Pas furnizimit me autobusët e rinj presim që automjetet e tipit më të vjetër të cilat përkohësisht jemi të detyruar ti lëshojmë në qarkullim, do të hiqen përfundimisht nga linjat e rregullta”, tha për Portalb.mk, zëdhënësja e NQP-së.

Nga Qyteti i Shkupit vlerësojnë se zëvëndësimi i autobusëve të vjetër urban me eko-autobusë, do ta ndihmojë qytetin në mënjanimin e problemit me ndotjen e ajrit. Nga atje thonë se do ta përshpejtojnë procedurën për tenderim, me qëllim që qyteti të ketë transport publik më ekologjik.

“Jemi duke punuar që këto procedura të mbarojnë sa më shpejt që mundet, pasi që është në interes ë qytetit dhe të qytetarëve që të kemi transport publik më ekologjik. Autobusët e vjetër gjithsesi se do të ndërrohen me eko-autobusë të rinj pasi që e dimë se sa ndotin ambientin kurse me mënjanimin e tyre do ta zgjedhim problemin që qytetit e ka me ajrin e ndotur, tha zëdhënësi Valon Salihu.

Autobusët ekologjik konsumojnë dy herë më pak karburant sepse punojnë me gaz natyror, kurse përveç kësaj prodhojnë më pak thërrime të dëmshme për shëndetin e njeriut PM10.

Projekti në fjalë është premtuar para gjashtë muajsh nga kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov dhe drejtori i NQP-së Kristijan Çushkov.

Me prokurimin e 40 eko-autobusëve do të plotësohet dhe një nga shumë kërkesat e qytetarëve për transport ekologjik dhe ambient të pastërt në vend, në rast të dështimit të furnizimit qytetarët do të duhet të kërkojnë përgjegjësi nga Qyteti i Shkupit dhe NQP.

Loading...