Shkupi shqiptar e Nju-Jorku bëhen bashkë me ekspozitën “Jeta nëpërmjet kujtimeve”

Mbrëmë (e diel – 01.07.2018) në Qendrën Kulturore të Maqedonisë në Nju-Jork u hap ekspozita “Jeta nëpërmjet kujtimeve”, që i kushtohet familjeve katolike shqiptare të Shkupit. Kjo ekspozitë realizohet në kuadër të Javës kulturore shqiptare në SHBA, që organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) me mbështetje të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë, si dhe të organizatave dhe qendrave të ndryshme në SHBA. Gjatë kësaj jave do të promovohen disa libra, ndërsa do të rrjedhë edhe ekspozita me fotografi të familjeve katolike shqiptare të Shkupit “Jeta nëpërmjet kujtimeve”, e përgatitur nga ITSHKSH.
Në hapje të kësaj ekspozite drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, theksoi se: “Kjo ekspozitë po vjen në SHBA, bashkë me librin kushtuar familjeve katolike në Shkup, që ta kryejë detyrimin kombëtar për ndriçimin e historisë kombëtare shqiptare në Shkup”. Ndërkaq, meqë ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, mbrëmë – në hapjen e ekspozitës – fjalë rasti pati edhe këshilltari i ministrit të Kulturës, Dr. Zeqirija Ibrahimi, i cili – pasi i përshëndeti të pranishmit në emër të ministrit të Kulturës, Asaf Ademi, theksoi se: “Kjo ekspozitë është përpjekje për rilidhjen e historisë shqiptare në Shkup, si dhe orvatje për ta ruajtur kujtesën kolektive për praninë e elementit shqiptar katolik në Shkup.”
Ekspozita do të jetë e hapur disa ditë, ndërsa pas mbylljes, fotografitë e ekspozuara do t’i dorëzohen kishës katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju-Jork.

Loading...