Aktuale

Shkupi u zbukurua duke harruar nevojat esenciale të qytetarëve

skopje-nova-godina-604x272

Shumat e majme për përmendoret e projektit “Shkupi 2014” dhe ankesat e komunave në Maqedoni për neglizhencën e pushtetit qendror në ndihmesën e tyre për zhvillimin e politikave lokale është tregues se projekti nuk ka plotësuar as nga afër nevojat që janë në interes të përgjithshëm.

Komuna Qendër- Shkup ka analizuar në përpikëri mënyrën se si është realizuar projekti “Shkupi 2014” nga Qeveria VMRO-DPMNE dhe BDI nëpërmes ish kryetarit të komunës Qendër Vlladimir Todoroviq.

Katerina Canevska Arsovska, nga komuna Qendër për gazetën Lajm pohon se vlera e projektit  “Shkupi 2014” është ende e panjohur.  “Për prokurimet e disa përmendoreve është bërë revizion nga ana e Komunës Qendër- Shkup dhe çdo prokurim dhe çmimore mund ta merrni nga ana e komunës Qendër www.opstinacentar.gov.mk”, sqaroi Canevska Arsovska.

Sipas saj, komuna Qendër gjatë këtij mandati prej 3 vjetëve e gjysmë nuk ka realizuar asnjë ndihmë nga Qeveria.

“Shkollat, çerdhet, rrugët, rinovimi i shkollave dhe çerdheve, rikonstruimi i fasadave, rrugët, rrjeti i kanaleve dhe ujësjellësit… Dhe, kulmi i gjithçkaje, komuna Qendër, është e vetmja komunë e cila nuk e ka marrë tokën e pandërtuar nga Qeveria edhe pse 3 vjet e gjysmë e kemi kërkuar”, tha Canevska.

Nga Analiza e komunës Qendër rreth procedurës  së projektit “Shkupi 2014” janë konstatuar shumë parregullsi, ndër to; Komuna Qendër nuk ka pasur kompetenca për realizimin e këtij tipi të objekteve; Komuna nuk ka pasur kompetencë për vendosjen e përmendoreve në lumin Vardar; Është rrënuar funksionimi i shtetit të së drejtës, respektivisht sundimi i së drejtës si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror; Realizimi i projektit ka krijuar hapësirë për parregullsi dhe keqpërdorim të mjeteve buxhetore.

Edhe qytetarët vlerësojnë se përpara se të fokusohej në zbukurimin e qytetit, projekti duhet të ishte përqëndruar në segmente tjera vitale për interesin e përgjithshëm.

“Projekti ‘Shkupi 2014’ për mua personalisht, por edhe për shumicën e qytetarëve është projekt inovativ i ‘larjes’ të parave të qeverise kriminogjene të VMRO-së dhe BDI-së. Gjithashtu, duhet të ceket se synimi i këtij projekti ishte rindërtim i nje imazhit të ri (plagjijator) të qytetit me traditë mijëvjeçare. Ky projekt kontraverz i prek dhe i ngacmon ndjenjat etnike dhe historike të etnive tjera që përbejne rreth 40% të popullatës, sepse historia e popujve tjerë të R.M. nuk është as shqyrtuar në këtë projekt. Pothuaj se është evidente tentimi i fshirjes së dhunshme të kontributit të popujve tjerë në historinë e Shkupit”, theksoi për gazetën Lajm Denis Ismaili.

“Në periudhë të krizës socio-ekonomike ky projekt i thithi mbi 700 milion euro të buxhetit publik. Me këtë sasi të parave mëse evidente është se shumë projekte më të rëndësishme -vitale në dobi të shoqërise do të ishin realizuar! Infrastruktura rrugore, ndërtimi dhe rindërtimi i shkollave, spitaleve, çerdheve, parqeve, zhvillimi i turizmit, prezervimin e flores dhe faunes, investime këto, të cilët do ishin influks i zhvillimit ekonomik të vendit”, përfundoi ai.

Për politikologun Viktor Taleski, t’i jepet prioritet zbukurimit e t’i mbyllin sytë para problemeve esenciale të qytetarëve është papërgjegjësi.

“Në Tetovë e Prilep qytetarët me vite ballafaqohen me probleme të ujit të pijshëm, rrugë të paasfaltuara, kushte mizore në shëndetësi. Kjo do të thotë papërgjegjësi në harxhimin e parave të qytetarëve dhe mospasjen kapacitet për zgjidhjen e problemeve”, deklaroi për gazetën Lajm Taleski.

“Çmimi i pamjes së re të Shkupit, shikuar në Bazën e të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga 80 milionë euro ka kaluar në mbi 560 milionë euro, derisa në ndërkohë në të njëjtën kohë nga Qyteti i Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, thonë se vetëm 30% e Shkupit është mbuluar me kanalizim atmosferik”, përfundoi Taleski.

Ndryshe, afër lumit Vardar janë ngre shumë përmendore, ndër to edhe ajo e Gjorgija Puleskit. Nga të dhënat e analizës së BIRN skulptura prej bronzi e Gjorgjija Puleski, pjesë e projektit Shkupi 2014 është punuar nga autori Sretko Jovanovski. Sipas llogaridhënies së ish kryetarit të Qendrës, Vlladimir Todoroviq, autori i skulpturës është paguar 60 mijë euro. Në këtë shumë hynë edhe honorari autorial prej 16 mijë eurove, ndërkaq pjesa e mbetur për harxhime tjera. Skulptura e Puleskit është vendosur në anën e majt të lumit Vardar afër Urës së Gurit. Gjithsej për objektin janë harxhuar 138.054 euro. Është ky srgument se pusheti qendror më shumë ka investuar në pamjen e jashtme se sa në nevojat thelbësore të qytetarëve.

Kujtojmë se mungesa e kanalizimit adekuat në qytetin e Shkupit ishte shkak që vërshimet të jenë tragjike dhe me pasoja për qytetarët.

(Ky tekst është në kuadër të projektit “Shkupi në sytë e qytetarëve të vetë të padëgjuar”, financiarisht i përkrahur nga CIVICA MOBILITAS, projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS nga Danimarka dhe MCMS)

 

 

To Top