Nga Fadil LUSHI

Shpesh bën vaki që një kryefamiljar kokëkrisur ta kthejë shtëpinë përmbys, bën vaki që kalamajtë në mungesë të prindërve të bëjnë “gjullurdinë”, bën vaki që nga pahiri a nga pakujdesia të përmbysësh muhabetin në kuvend të burrave, ndodh që në të pamë a në mort ta shkërmoqësh heshtjen, bën vaki që gëzimin e jetimit ta përdhosësh a ta shndërrosh në hidhërim…, bën vaki që kur nuk mbyll gojë të t’i thyejnë hundët e turinjtë, bën vaki që të rrënosh nga themelet diçka që është vendosur a ndërtuar më parë (është humane të shkatërrosh zakonet prapanike a edhe teoritë e gabuara e të vjetruara), bën vaki që pahiri po edhe nga padija të përmbyten rrjedhat e ngjarjeve…, por ama të shembësh a të përmbysësh djallëzisht marrëdhëniet e mëparshme familjare, marrëdhëniet miqësore mes fqinjësh, lidhjet e ndërsjella mes shokësh dhe njëkohësisht të përmbysësh sofrën, aty ku dikur ke ngrënë bukën e fëmijëve fukarenj, për hir të kryeplakut të lagjes, për qejf të partisë politike, për hir të kryeparit të saj, për mungesën e votave deliberative, për hir të zgjedhjeve vendore, për hir të zgjedhjeve parlamentare, për hir të një kandidati (sojsëz dhe jokonsensual) për president shteti, për referendumin dhe për të tjera zgj(i)edhje të drejta a të gabuara, fare nuk është në përputhje me rregullat e me normat e vendosura nga shoqëria dhe me parimet e moralit shoqëror. Të katandisesh si mos më keq dhe më pas të përmbysësh vlerat themelore të shoqërisë, mua lëre që nuk ma mbush rradaken, por edhe nuk ma bën pjellore. E gjithë kjo katrahurë prej provincia-lizmi, e gjithë kjo frymë militante, ky ton patetik dhe ky fanatizëm i tërbuar karshi zaptimit të drejtës të secilit për të shfaqur mendimin e tij të lirë, ndodh vetëm te ne…, dhe lëre që kjo duket këtejpari, por fatkeqësisht edhe përsëritet “andejpari oborreve të feudalëve politikë shqiptarë, të cilët sabah e aksham pretendojnë të vënë prapanicat në minderin me lecka të pushtetit ekzekutiv dhe të pushteteve të tjera”.

Mua sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk më vjen inat pse “shoku” im nga fëmijëria ngeli përgjithmonë me fiqirin “eksiq”. Nuk më vjen inat pse “shoku” im nga fëmijëria jonë ngeli me gishtin në gojë dhe me gishtin tjetër, aty ku nuk duhet ta ketë vendin…, nuk më vjen inat pse “shoku” im nga fëmijëria jonë dikur bënte tarafllëkun politik në këmbim të një pjate dhe luge prej druri…, nuk më vjen inat pse “shoku” ynë dikur bënte miqësinë e sajuar e të sëmurë me armikun, përkundrazi, më vjen inat pse nuk injoroi gjuhën e gabuar dhe prej shovinisti të “dostit” të tij, më vjen inat pse e anashkalon gjuhën shqipe! Nuk më vjen inat pse “shoku” nga fëmijëria jonë dikur bënte punët e ministrit prej NN, nuk më vjen inat e nuk më ha palla që pensioni i tij është trefishi i timit, nuk më vjen inat e nuk më ha palla se në vaktin kur mbante hundët lart harxhonte pa terezi, ani se punët nuk i kishte me tamam, ani se jetonte më mirë se unë dhe shumë të tjerë si unë, nuk më vjen inat pse dikur çunat dhe gocat e tij lazdrake, makinën e “dovletit” e shfrytëzonin për punë private, ama hiç fare nuk më vjen inat që lekët e “hyqymatit” dhe ca ndihma të tjerë dedikuar fukarenjve të mëhallës së tij, lëre që i bëri toptan rrush e kumbulla, por edhe me asnjeri nuk i qëroi hesapet…, aman miku, më beso, mua hiç fare nuk më vjen inat që ky “shoku” im nga fëmijëria, dikur moti për inatin tim dhe të tjerëve si unë, për kokërr të qejfit kishte shprehur dëshirë që ta “shihte Stambollin me sy hapur”, mua hiç fare nuk më vjen inat pse atij iu plotësua dëshira…, që “e pa nga larg Kostandinopojën sy ndër sy, ashtu ashiqare”…, ashtu thjesht dhe bardhë e zi!? Sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk tërbohem nga inati hiç fare pse ky “shoku” ynë prej ish-ministri, dikur nuk na i kthente “selamet” dhe ato pak përshëndetje të ftohta që na i përcillte ishin njësoj si ajo mimika e të sëmurit rëndë! E dinim fare mirë pse nuk na i kthente. Detyrohej të zbatonte me përpikëri urdhrat e padiskutueshme të tutorit a shefit të tij politik: “Assesi përgëzime për ata që nuk janë me ne dhe që nuk këndojnë duanë e nuk bëjnë amin për ne”…, nuk më vjen inat pse ky trutrashë kishte merakun të mbathte këpucët “allafrënga”… dhe, kur i thoshim pse nuk i lidhte këpucët, ai na thoshte: “Ore, ç’flisni kështu…, po këto nuk janë opinga dhe gjalma opingash!” Fatkeqësisht, ky “shoku” nga fëmijëria jonë asnjëherë nuk bëri dallimin e mbathjeve për të rritur, për çuna e çupëlina, për femra e për meshkuj, për fukarenj, për bujq dhe për politikanë…, kujtonte se ishin njësoj si opingat e gjyshit të tij!

Duke e përfunduar pjesën e parë të këtij teksti të shkruar e të “bezdisshëm”, do të them se më vjen inat pse pikërisht këtë e kishim ‘shok’ prej vaktit kur ishim kalamaj…, më vjen inat pse pikërisht ky ‘shoku’ ynë prej ushtari partiak, për një gradë prej tetari i ulej në gjunj “sovranit”. Habitemi se ku e gjeti guximin që ta nëpërkëmbte dhe, më pastaj, toptan ta përmbyste miqësinë dhe shoqërinë e vjetër me katundarë dhe shehërlinj…, mes fisit, mes mëhallësh, mes vëllezërve shqiptarë, mes intelektualësh, mes…, e gjithë kjo në emër të votave parlamentare, atyre vendore dhe presidenciale…, më vjen inat pse pikërisht ky ‘shoku’ ynë prej provincialisti, prej kokëkrisuri e prej mendjemadhi, që kur u emërua “ministër fuqiplotë”, filloi të “pshurret mënjanë”…, na vjen inat pse pikërisht ky ‘shoku’ ynë nga fëmijëria e jonë nuk vinte te ne për ngushëllime, për gëzime apo edhe për të qarë hallet tona…, më vjen inat pse pikërisht ky ‘shoku’ ynë nga fëmijëria, si për inatin e tij homerik, asnjëherë nuk na e “futi” gjegjësisht nuk na bëri asnjë të vetmin nder…, nuk erdhi te ne sepse nuk mori votat tona vendimore, pse ne asokohe kishim të drejtë të mendonim ndryshe…, mua sot e gjithë ditën më vjen inat që asnjëherë nuk e kuptova shokun nga fëmijëria, pse e kishte për qejf të mbathte çorapet e bardha prej leshi dhe ato të qëndisura …, e të tjera inate të pashfryra. Ky ‘shoku’ ynë nga fëmijëria një ditë qe detyruar ta braktisë fushën e betejës politike…, në vaktin kur sovrani a shefi i tij kishte hetuar fytyrën e tij prej kleptomani dhe dallaveraxhiu, ia kishte futur gishtin dhe shkelmat në bythë duke e sikterisur njëherë e përgjithmonë nga partia…, dhe ‘shoku’ ynë iku ashtu kokulur dhe i turpëruar! Asnjëherë nuk e pamë këtejpari lagjes sonë! ‘Shoku’ ynë nga fëmijëria sot na duket njësoj si ajo puna e “dinsëzit dhe imansëzit” në vaktin e mbretërisë së Ahmet Zogollit…, që kur i qe errësuar ndërgjegjja politike (hiq mënjanë ndërgjegjen kombëtare dhe atë atdhetare) kishte hequr dorë nga mbjellja e farës së ngatërresave me shokët e tij…, kishte pushuar së kërkuari votat vendore dhe parlamentare, në këmbim të “… xhamisë pa hoxhë dhe pa minare, ku do ta falte namazin, dhe të kishës pa prift dhe pa altar, ku do rrëfehej për mëkatet që i kishte bërë!” Fatkeqësisht, ‘shokët’ e tij nga fëmijëria nuk gjetën kësisoj faltore prej myslimanësh dhe prej të krishterësh!

Miku im i dashur! Unë do degdis në Stamboll që ta shoh nga afër dhe jo nga larg, sepse ta “shohësh” Kostandinopojën nga “distanca”, lëre që nuk të bën nder, lëre që nuk të bëhet për “nijet”, por edhe të bën të “dyshimtë!”

Loading...