Një biznesmen i pasur në Indi ua ka dhuruar 90 shtëpi njerëzve të pastrehë, në vend se të shpenzonte para për dasmën e vajzës së tij.

Ajay Munot, një tregtar i pasur në distriktin Aurangabad të Indisë, kishte planifikuar të shpenzonte më shumë se 100,000 euro për vajzën e tij.

Në vend të kësaj, Munot vendosi që paratë t’i shpenzonte për ta ndihmuar rajonin e varfër, transmeton Gazeta Express.

Biznesmeni ndërtoi 90 shtëpi në 2 akra tokë dhe zgjodhi me kujdes se kush do të hyjë në to, thuhet sipas gazetës Free Press.

Raportohet se ai vendosi tri kritere për të përcaktuar se kush mund të hyjë në to. Ata që mund të hynin në to duhej të ishin të varfër, të jetonin në një lagje të varfër dhe të mos vuanin nga ndonjë varësi.

Vajza e sapomartuar e biznesmenit, Shreya, thuhet se e mbështeti plotësisht vendimin e babait të saj, dhe pas dasmës, ajo dhe burri i saj raportohet se ua dhanë çelësat e shtëpisë të pastrehëve.

Shreya tha për ANI News se vendimin e babait të saj e konsideroi si “dhuratën më të madhe për dasmën e saj”.

Loading...