Shpërbërja e sistemit arsimor dhe shkollës shqipe rrezikon themelet e shtetit dhe identitetit kombëtar

Abdulla Mehmeti

Arsimi dhe shkolla shqipe siç janë sot, nuk janë kombëtare por në shërbim të akulturimit dhe shbërjes së qenies shqiptare.

Sistemi ynë arsimor dhe shkollat shqipe, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, në të gjitha nivelet, kanë nevojë për reforma të thella mbi baza shkencore, duke ndjekur zhvillimet bashkëkohore evropiane dhe botërore, por edhe duke i ruajtur specifikat dhe veçoritë kombëtare.

Çfarë është bërë deri më sot në këtë sferë nga më të rëndësishmet për ndërtimin e shoqërisë sonë, që vlerësohet si shtylla kryesore për ndërtimin e së ardhmes? Gati asgjë e mbarë, e shumëçka mbrapshtë.

Pavarësisht nga darjet politike dhe administrative, së paku arsimi dhe shkolla shqipe duhet të jetë e NJËSUAR, me strategji të përbashkët zhvillimi, me plane dhe programe të njëjta ose të ngjashme, me tekste shkollore të përbashkëta, me organizime të përbashkëta dhe zhvillim të politikave arsimore në nivel kombi, jo të njësive politike e administrative siç ia kanë imponuar rrethanat arsimit shqiptar.

Arsimi dhe shkolla shqipe në radhë të parë duhet të çideologjizohen, depolitizohen, departizohen, dekriminalizohen dhe mbrohen nga ndikimet e huaja. Shkolla shqipe duhet të jetë vatër e dijes, shkencës dhe artit, jo çerdhe e propagandës, nepotizmit, korrupsionit dhe krimit mbi gjeneratën e re.

Sistemi arsimor dhe shkolla shqipe duhet të kthehet në fokusin, interesimin dhe kujdesin e institucioneve më të larta të shtetit, me program të qarta, të studiuar mirë në bazë shkencore dhe sidomos të rriten investimet për arsim sipas nevojave të kohës.

Duhet të rriten investimet për kërkime shkencore dhe studime, pakrahasueshëm me nivelin e investimeve të derisotme, përndryshe asnjë program qeveritar për zhvillim ekonomik dhe shoqëror nuk mund t’i arrijë objektivat e përcaktuara.

Shteti nuk është shtet, as qeveria është qeveri kombëtare nëse nuk angazhohet për reforma thelbësore në fushën e arsimit dhe kërkimeve shkencore, me program kombëtar, planifikim, investime të mjaftueshme, rregull, disiplinë dhe mbarëvatje të punës në shkollat, universitetet dhe institucionet shkencore.

Programi i shkëmbimit të përvojave, kuadrit mësimdhënës, nxënësve dhe studentëve, duhet të intensifikohet dhe zgjerohet sidomos me shtetet me ekonomi dhe industri të zhvilluara, si SHBA, Gjermani, Angli, Japoni etj., por edhe me shtetet tjera në fusha të caktuara, sidomos me Kroacinë, Bullgarinë dhe Italinë fqinje.

Me hapjen e shkollave të huaja, me programe, përmbajtje dhe qëllime të dyshimta, siç janë disa universitete private, kolegjet, fondacionet dhe qendrat arsimore e kulturore turke, iraniane dhe të ngjashme, të cilat veprojnë në trojet shqiptare mbi parime të iniciativave private dhe mbi baza ,,vullnetare” e ,,humanitare” përfiton vetëm pushteti, një grusht oligarkësh, politika ditore dhe politikanët, ndërsa arsimi dhe shkolla shqipe e humbin përfundimisht esencën e tyre, karakterin dhe përmbajtjen kombëtare, me këtë edhe e rrezikojnë rëndë qenien kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe progresin shoqëror. Implikimet tjera në sferën politike, fetare dhe kulturore ndjehen sot dhe do të ndjehen më tepër në të ardhmen, pasi përfundimisht të bëhet bilanci tragjik i sistemit arsimor kombëtar.

Shoqëria shqiptare duhet të largohet sa më parë nga kjo rrugë e mbrapshtë, të mbrohet nga këto ndikime përmes institucioneve të shtetit, kjo çështje të rregullohet qartë përmes ligjit, dhe të kthehet në rrjedhën normale të zhvillimit të arsimit siç e kanë të gjitha shtetet e zhvilluara të botës, e siç nuk e kemi ne sot, meqë politika arsimore e ndjekur deri më sot lirisht mund të vlerësohet si më armiqësore seç kanë qenë politikat e pushtuesve dhe sunduesve të huaj mbi shqiptarët në të kaluarën.

Edhe në periudhat më të pafavorshme, qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë masa dhe veprime konkrete, hapa gjigant për ta ndihmuar arsimin dhe shkollën shqipe, jo vetëm brenda shtetit por edhe në territoret jashtë kufive administrativ të shtetit dhe në emigracion. Çfarë bëhet sot për arsimin dhe shkollën shqipe jashtë shtetit, në trojet etnike dhe në diasporë? Qeveritë shqiptare vrasin miza dhe presin fondacionet e huaja të ndërhyjnë me qëllimet dhe ndikimet e tyre, sigurisht jo për interesat tona kombëtare! Kjo moskujdesje nuk përbën një skandat të thjeshtë, por një turp që nuk do të shpërlahet lehtë me dekada në të ardhmen.

Loading...