Shpërthen Edi Rama-Për dy minuta shkarkon të gjithë drejtorët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një mbeldhje gjatë ditës së sotme, e cila nuk ka zgjatur më shumë se dy minuta,  ka shkarkuar nga detyra të gjithë drejtorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Zemërimin për performancën e dobët në dogana, që i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 150 milionë euro, kryeministri Rama e ka zbrazur tek drejtorët e Departamenteve dhe të Drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Makina e tij hyri në orën 7.55 në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Rama ka qëndruar pa lëvizur brenda saj plot 10 minuta.

Në orën 8:05 ai ka dalë prej saj dhe ka hyrë në sallën e mbledhjeve, prej të cilës ka dalë në orën 8:07. Rama nuk ka pranuar as të ulet dhe nuk ka lejuar të ulen as të pranishmit në mbledhje, përfshirë Ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, Pranvera Fagu.

Burime brenda mbledhjes thanë për lapsi.al se sapo hyri, pa e fshehur zemërimin, ai u është drejtuar drejtorëve të departamenteve duke u thënë: “Mos u ulni. Jeni një turp. Jeni të gjithë të shkarkuar. Çdo muaj, tre kryetarët e doganave me performancën më të ulët do të ikin. Zoti Ministër, zonja Drejtoreshë, merrni masat. Mirupafshim”.

Kjo sjellje e pazakontë e kryeministrit i ka befasuar të gjithë të pranishmit në mbledhje. Asnjëri prej tyre nuk ka patur kohë as t’i përgjigjet, pasi, menjëherë pas kërcënimit të hapur ndaj drejtuesve të doganave, Rama është drejtuar për në Novoselë, për të prezantuar projektin e qeverisë në bashkëpunim me BE –në për rimëkëmjen nga përmbytjet.

Rama është kritikuar vazhdimisht nga opozita për dështim në dogana, në menaxhimin e të cilave qeveria e tij po ndihmohet (kundrejt pagesës) nga britanikët e Croën Agents.

Ai i ka hedhur poshtë deri tani akuzat për kontrabandë dhe favorizim të klientëve qeveritarë. Por sjellja e tij e sotme dhe kërcënimi për të monitoruar rreptë drejtorët dhe për t’i ndëshkuar çdo muaj 3 drejtuesit me performancë më të dobët, janë dëshmi e fortë e problemeve në dogana.

Loading...