“Shpërthen” Ministri Koka: Krisja me PS! Kanabisi ishte sheshit, nuk mund të heshtnim

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i ftuar në “Koha për t’u zgjuar” në News24 foli për fushatën e tensionuar mes PS dhe LSI-së këto ditë, si dhe kur nisi krisja mes koalicionit.

Ministri i LSI-së, Koka tha se krisja mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, nisi pas deklaratës së policia e shtetit ishte bërë njësh me krimin në Durrës si dhe kanalizimi i vendit.

“Heshtja do të thoshte të bëheshe palë me atë që po ndodhte. Pati eksponentë të PS-së, që e keqkuptuan mesazhin tonë. Besoj koalicioni do të ishte i shëndetshëm nëse do të mirëkuptoheshim, dhe PS do të pranonte kritikat,” u shpreh Koka.

Fushata elektorale

Lefter Koka: Një absurd që e ka shoqëruar fushatën është retorika e PS dhe kryeministrit, që sipas tij fajin për gjërat që nuk kanë shkuar si duhet në këto 4 vite e ka pasur partia në koalicion LSI.

Në vitin 2013 kemi konsideruar të jemi një ekip, jemi paraqitur me dy programe, dhe më pas t’i njësonim. Më vjen keq që në 4 vite është heshtur dhe tani flitet kundër LSI-së.

A ka pasur në qeverisje pakënaqësi të shprehura vite më parë?

Lefter Koka: Sigurisht ka patur, LSI ka reaguar në maj të këtij viti. Unë kam kërkuar të evidentoj atë që shihnin të gjithë qytetarët e Durrësit, ku policia e Shtetit ishte bërë palë me grupet kriminale. Heshtja do të thoshte të bëheshe palë me atë që po ndodhte. Pati eksponentë të PS-së, që e keqkuptuan mesazhin tonë. Besoj koalicioni do të ishte i shëndetshëm nëse do të mirëkuptoheshim, dhe PS do të pranonte kritikat. Më shqetësues ka qenë mbulimi që i ka bërë Kryeministri disa eksponentëve të tij, kur dukej hapur fare që kanabisi ishte sheshit. Shqipëria në këto 4 vite iu nënshtrua Rilindjes Urbane, e cila ka dhe disa gjëra të mira.

Por s’flasim dot që Durrësi, qytet shumë i vjetër 3000 vjeçar të kthehej në qytet eksperimental sipas disa dëshirave të disa personave. Durrësi ka histori. Nuk mund t’i ndryshohet identiteti i tij. Të shpenzohet para nga qeveria për të dëmtuar një qytet, kjo është papërgjegjshmëri. Vetëm në Durrës mund të ndodhë që një kryeministër flet për reformën në drejtësi, dhe kryetari i bashkisë pjesë e PS-së, nuk respekton vendime gjykate. Mujo Ulqinaku pas përballjes me italianët në kohët e hershme, përballjen e dytë e ka me Vangjushin. Sot, rrugët po bëhen shtigje në qytetin e Durrësit.

Fushata me pakënaqësi e garanci të kërkuara nga PD e që përfundoi me marrëveshje me PS, dhe incidentet me LSI

Lefter Koka: Ka pasur një tension. Në Durrës kemi pasur disa raste. Ne kemi kërkuar të flasim dhe me eksponentë të PS-së për t’i thënë që të qetësohen, dhe për t’i thënë se në politikë ekziston dhe humbja jo vetëm fitorja. Dhe kur bën gabime ndëshkohesh me votë, s’mund të kërkosh të fitosh me këtë presion të administratës publike. Unë kam qenë në shumë takime ku punonjësit apo mësuesit dhunohen për të marrë pjesë në miting.

Pritshmëria e LSI në Durrës?

Lefter Koka: Jo vetëm në Durrës, rezultati do jetë spektakolar në të gjithë Shqipërinë. Sondazhet janë totalisht të manipuluara, më vjen keq dhe për ata që ushtrojnë këtë detyrë. Do jetë rasti i fundit që do i shohim, se po nxjerrin për LSI-në rezultate krejt të paparashikueshme. LSI në Durrës është forcë e parë, është bërë një punë shumë e mirë derë më derë.

Loading...