Më 11 tetor, në Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizuan konferencën shkencore me titull: “Romani shqiptar, fillimi i shekullit XXI”, ku morën pjesë studiues të shquar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës.

Në konferencë, siç thuhet në njoftim, ka marrë pjesë edhe dekani i Fakultetit të Filologjisë, Fatmir Sulejmani nga Universiteti i Tetovës, i cili u prezantua me studimin: “Shpirti shqiptar në petkun e tjetrit”, që ka të bëjë me romanin “Polifonistët”, njërën prej veprave të fundit të mjeshtrit të prozës narrative, Luan Starovës. Në këtë libër trajtohet tema mitologjike e etnogjenezës dhe etnopsikologjisë shqiptare dhe ka për hero këngën polifonike – këtë kod të brendshëm të memories së pavdekshme kombëtare.

Studimi në fjalë u prit mirë nga studiuesit tjerë dhe nga auditori i zgjedhur, që ndoqi punimet e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore.

Përndryshe, kjo ishte konferenca e njëmbëdhjetë e dy akademive shqiptare të shkencave në të cilat merr pjesë aktive, Fatmir Sulejmani.

Loading...