Shpresat e Shqipërisë për datë të negociatave me BE-në varen nga marrëveshja Maqedoni-Greqi

Shqiptarët tepër herët janë gëzuar me rekomandimin e Komisionit Evropian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Pak janë marrë me analiza e më shumë me fushata se kush ka merita për këtë. Ka shumë arsye pse Shqipëria nuk ka gjasa të mira që në fund të qershorit të ketë vendim nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave. Shumë prej tyre nuk kanë të bëjnë në mënyrë direkte me Shqipërinë. Por sikur të kishte më shumë kujdes, dëshirë dhe patriotizëm të vërtetë nga forcat politike në Shqipëri, pozita dhe opozita, gjasat do të ishin më të mira. Tash e vetmja mundësi që Shqipëria të ketë një dritare shprese është nëse Maqedonia e zgjidh kontestin e emrit me Greqinë dhe BE-ja i jep asaj datën e pritur 8 vjet, e nga kjo mund të përfitojë edhe Shqipëria

Augustin Palokaj
Si duhet të sillet një opozitë që ia do të mirën vendit? Duhet të jetë kritike ndaj qeverisë brenda shtetit dhe të mbrojë interesin e shtetit jashtë. Nuk duhet që për inat të qeverisë t’i gëzohet dështimit të shtetit. Kjo vlen sidomos për vendet që janë në proces të integrimit në Bashkimin Evropian. Zakonisht në vendet e tilla ka konsensus rreth qëllimit të përbashkët, që është edhe interes vital kombëtar, dhe si pasojë koordinohen edhe veprimet e përbashkëta. Duke pasur parasysh se në BE, sikur edhe në shtetet anëtare, vendimet politike shpesh varen edhe nga interesat e partive politike, është e domosdoshme që një vend i cili dëshiron anëtarësim në BE të ketë mbështetje të gjerë nga spektri politik evropian dhe ai në vendet anëtare.
“Ne kemi problem mes vete në vend, por kemi konsensus kombëtar rreth anëtarësimit në BE. Tash kur ne largohemi nga pushteti kërkojmë nga ju që me qeverinë e ardhshme, që është kundërshtar yni politik në rrafshin nacional, të bashkëpunoni edhe më shumë sesa me ne”, kishte thënë në vitin 2004 kryeministri atëherë në largim i Kroacisë, Ivica Raçan.
Por Kroacia mbeti ndër vendet e rralla ku konsensusi për anëtarësim në BE dhe lobimi për arritjen e këtij qëllimi u bënë nga të dy partitë e mëdha, socialdemokratët nga qendra e majtë dhe konservatorët e HDZ-së nga ajo e djathtë. Kjo nuk ishte arsyeja e vetme pse vetëm Kroacia deri tash ka arritur të përmbyllë ciklin e plotë dhe të bëhet anëtare e BE-së para 5 vjetësh, por gjithsesi kjo ka ndihmuar. E për qërim hesapesh në fushëbetejën politike partitë kryesore në Kroaci kanë gjetur tema të tjera, më afër qytetarëve. Në procesin e anëtarësimit të Kroacisë në BE janë ndërruar hiç më pak se gjashtë qeveri.
Shqipëria ka qenë një shembull i kundërt. Grindjet e brendshme politike janë bartur shpesh në fushën e integrimeve evropiane. Madje ka pasur raste kur Brukseli, dhe disa kryeqytete të tjera në BE, janë bërë adresë e ankesave të opozitës ndaj Qeverisë dhe shpesh edhe me kërkesa që të mos ketë lëvizje pozitive për shtetin derisa “ata” të jenë në Qeveri. Kjo ka bërë që Shqipëria të jetë aq prapa edhe rajonit në këtë proces, duke lënë prapa vetëm vendet që nuk e kanë të përmbushur ende shtetësinë si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina.
Nuk ka ndryshuar shumë në Shqipëri as tash kur ka pasur gjasa që, duke respektuar rekomandimin e Komisionit Evropian, vendet anëtare të BE-së në takimin e radhës të Këshillit Evropian më 28 dhe 29 qershor t’i japin Shqipërisë një datë për nisjen e negociatave. Përderisa Qeveria bën çmos që t’i bindë të gjitha vendet anëtare se Shqipëria e meriton një vendim të tillë, opozita sikur i gëzohet mundësisë që kjo ndoshta të mos ndodhë. Dhe pastaj këtë ta shfrytëzojë në betejën e brendshme politike dhe jo vetëm politike.
Pa dyshim se gjithmonë përgjegjësinë për dështime dhe meritat për sukses i ka ai që është në pushtet. Dhe për dështimin eventual që Shqipëria të mos e marrë datën e negociatave tash nuk duhet fajësuar opozitën. Por PD-ja e Lulzim Basha kanë mundur të ndihmojnë më shumë, sidomos duke e ditur se PD-ja është pjesë e familjes më të madhe politike në Evropë, EPP-së. Nuk kemi ndonjë dëshmi që PD-ja të ketë kërkuar seriozisht nga partnerët e saj në EPP që Shqipërisë t’i japin datën. Të ketë kërkuar që të mos i marrin grindjet e brendshme politike si arsyetim për ta dënuar një shtet dhe një komb duke mos i dhënë një datë, të cilën krahasuar me vendet që tashmë negociojnë si Mali i Zi dhe Serbia pa dyshim e meriton.
Por edhe Qeveria, e sidomos kryeministri Rama, kanë mundur më mirë ta bëjnë punën e tyre. Është dashur me kohë ta kishin të qartë se as mediat e as parlamentet në vendet kyç të BE-së nuk funksionojnë sikur në Shqipëri. Shembulli më i mirë sesi kanë bërë gabime është qasja ndaj Gjermanisë, shtetit pa dyshim kryesor në vendimmarrjen e BE-së. Është dashur ta kenë ditur në Shqipëri se takimet e kryeministrit Rama dhe “fotooportunitetet” me kancelaren Merkel nuk mjaftojnë për të siguruar vendime pozitive, edhe pse ato ndihmojnë në ndërtimin e një imazhi tek publiku. Është dashur ta kenë ditur se kur një shef i Komisionit të Bundestagut Gjerman, Gunther Kirchbaum, për marrëdhënie me BE shpreh një qëndrim rreth Shqipërisë, kjo ka peshë, edhe pse mediat nga Shqipëria mund të sjellin artikuj kundër tij me fyerje sikur bëjnë edhe për kundërshtarët në vend. Në Gjermani nuk mund të ndodhë që kancelarja t’i ngrejë veshin një deputeti nga partia e saj dhe të vendosë vetë. Në Sofje, Merkel e konfirmoi edhe një herë se për vendimin për Shqipërinë dhe datën e nisjes së negociatave duhet të vendosë ajo në bashkëpunim me Bundestagun. Pra, nëse Kirchbaum do të jetë kundër në emër të komisionit në krye të të cilit është, atëherë Merkel nuk do të ketë mandate që të mbështetë një vendim të tillë për Shqipërinë. Kur kësaj i shtohet se as në Holandë, Francë dhe Belgjikë nuk ka në këtë moment gatishmëri që Shqipërisë t’i jepet data e nisjes së negociatave, atëherë mund të vijmë në përfundim se gjasat janë shumë të vogla që edhe Shqipëria të ketë dyert e hapura për nisjen e negociatave.
Shqiptarët tepër herët janë gëzuar me rekomandimin e Komisionit Evropian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Pak janë marrë me analiza e më shumë me fushata se kush ka merita për këtë. Ka shumë arsye pse Shqipëria nuk ka gjasa të mira që në fund të qershorit të ketë vendim nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave. Shumë prej tyre nuk kanë të bëjnë në mënyrë direkte me Shqipërinë. Por sikur të kishte më shumë kujdes, dëshirë dhe patriotizëm të vërtetë nga forcat politike në Shqipëri, pozita dhe opozita, gjasat do të ishin më të mira. Tash e vetmja mundësi që Shqipëria të ketë një dritare shprese është nëse Maqedonia e zgjidh kontestin e emrit me Greqinë dhe BE-ja i jep asaj datën e pritur 8 vjet, e nga kjo mund të përfitojë edhe Shqipëria.
Ata që janë kundër një vendimi pozitiv për Shqipërinë, disa për shkak se mendojnë se ka shumë korrupsion dhe lidhje të politikës me krimin, disa pse u pengon anëtarësia e Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike, e disa pse thjesht janë kundër secilit vendim pozitiv në procesin e zgjerimit, nuk shohin nevojë t’u arsyetohen shqiptarëve por vetëm holandezëve, gjermanëve apo francezëve, dy të tretat e të cilëve janë edhe ashtu kundër zgjerimit të BE-së. Rastet e humbura janë humbje për tërë vendin dhe nuk përfiton në një afat të gjatë as opozita. Sepse qeveritë do të shkojnë e vijnë e procesi do të vazhdojë, duke qenë, për fat të keq, për Shqipërinë shumë i gjatë. Për këtë askush nuk do të duhej t’i gëzohej humbjes së edhe një rasti që duket se do të ndodhë në fund të muajt qershor në Samitin e Brukselit.

Loading...