Shqipëri kaotike dhe pa ide, mundet 2-0 nga Skocia

“Hampden Park” rezulton hijerëndë për Shqipërinë, që 3 ditë  pas fitores me Izraelin në “Elbasan Arena” mundet 2-0 nga Skocia falë sulmuesit të Hearts, Naismith, që tregohet i ftohtë me dy gola me kokë, që ndëshkojnë kuqezinjtë, duke i zbritur nga froni i grupit, por duke mos zbehur ende gjithsesi mundësitë e një kualifikimi në Europian në Nation League, edhe pse për momentin skuadra duket ende një ekip në ndërtim e sipër. Në Glasgow, mbrojtja reziston për 45 minuta, falë dhe fatit, ndërsa pasaktësia përpara portës bën të sajën, sidomos në intervalin mes golit të parë dhe atij të dytë.

Në “Hampden Park” shqiptarët megjithatë bëjnë të ndihet ende pa rënë vërshëllima e parë prania e tyre, falë tifozëve që shpalosin një flamur gjigant në tribunë, ndërkohë që në fushë Panucci surprizon me Ndojin nga minuta e parë. Fillimi është paksa i turbullt, ashtu si qielli i Glasgow-t, me Strakoshën që i kërkohet që në fillim që të bëhet protagonist në pritjet ndaj Mcgregor dhe Robertson (4’,10’). Skocezët janë dominues në minutat e para dhe në të 17-tën topi kalon gjithë pasqyrën e mbrojtjes sonë pa u devijuar për fat nga askush, ndërsa në të 20-ën nevojitet ndërhyrja e Hysajt për të shfryrë tensionin. Në të 22-tën Shqipëria më në fund del përpara me Lilajn, që godet fortë, por jo saktë, ndërsa në të 24-ën kuqezinjtë duken si të puthur nga fati, kur Naismith një top që mund ta përplasë vetëm në rrjetë e dërgon mbi shtyllë. Skocezët, gjithsesi, diktojnë ritmin dhe në të 34-ën është sërish qendra e mbrojtjes që ngre murin përpara portës së Strakoshës. Mbrojtja tregohet në lartësinë e duhur dhe në të 41-tën, kur nxjerr jashtë loje Naismith, që topin e dërgon në rrjetë, por nga pozicioni i parregullt. Fundi i pjesës së parë mbyllet me një mundësi të mirë për Memushajn, që nuk i mungon dëshira, por saktësia. Nga pushimi kuqezinjtë nuk kanë as kohën për t’u organizuar, sepse Naismith zhbllokon rezultatin me kontributin e Gjimshitit, por dhe kryesorit Jug që nuk vlerëson pozicionin jashtë loje të sulmuesit skocez.

Goli duket sikur shkund Shqipërinë, që fillon e shfaqet e rrezikshme, aq sa pas vetëm 2 minutash (49’) Balaj rrezikon, por Mcgregor del shpejt, duke ndalur shkodranin. Sulmuesi në të 51-tën nuk shfrytëzon as një pasim perfekt të Xhakës, me Mcgregor që përgjigjet me këmbë, ndërsa në të 53-tën është radha e Lilajt për të vendosur në provë portierin skocez. Gjithsesi, rastin e ndeshjes e ka Balaj në të 66-tën, por devijimi i shkodranit përballë portës, nuk është i duhuri.

2 minuta më pas vjen goli që i vë vulën takimit, me të njëjtin autor, Naismith, që shfrytëzon një vendosje të gabuar të mbrojtjes, për të ndëshkuar për herë të dytë Shqipërinë.

2 minuta më pas nevojitet trupi i Prengës për të na shpëtuar nga goli i 3-të. Në fund (92’) debuton me fanellën e Shqipërisë dhe Enea Mihaj. 2-0 është rezultati përfundimtar, që bie si një dush i ftohtë mbi Shqipërinë e që na zgjon pas asaj fitoreje me Izraelin.

Loading...