Shqipëria po mbytet me drogë, kapen mbi 1.5 ton lëndë narkotike afër Vjosës

Policia e Shtetit ka arritur të sekuestrojë plot 1.5 ton drogë të llojit kanabis sativa pranë Vjosës. Droga sa duket kishte kohë që ishte në të njëjtin vend, për shkak se kishte nisur që kohët e fundit të dekompozohej. Në njoftimin policor thuhet se në lidhje me rastin, materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprën penale të prodhimit të lëndëve narkotike.

Njoftimi:

Memaliaj

Operacion Policor i koduar “Vjosa”, sekuestrohet një arsenal armësh si dhe një sasi lënde narkotike

Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit, trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të trafikimit të armëve të zjarrit, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë të Stacionit të Policisë Memaliaj në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Narkotikët pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin e koduar “Vjosa”.

Si rezultat, në afërsi të fshatit Leshnje, Bashkia Memaliaj, në një zonë mes shkurresh e pemësh, në afërsi të shtratit të lumit Vjosa janë konstatuar të fshehur dhe të mbyllur me celësa dy furgona të bardhë të markës ‘Mercedes Benz’ me targa të falsifikuara.

Gjatë kontrollit grupi hetimor konstatoi se në brendësi të furgonave kishte pako me lëndë narkotike dhe armë zjarri dhe konkretisht:

16 armë zjarri (1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu).
1 ton e 463 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa (prodhuar më herët, një pjesë e ngurtësuar drejt dekompozimit)
Si rezultat i presionit të kontrollit të ushtruar javët e fundit në atë territor nga shërbimet e Policisë për evidentimin e personave që mund të mbajnë armë e lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj, personat që dispononin lëndën narkotike dhe armët e zjarrit i kanë fshehur në pyll me qëllim shmangies së kontrollit.

Operacioni ndiqet me metoda speciale dhe për këtë arsye nuk mund të jepen të dhëna të tjera.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për hetim të mëtejshëm, për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit“ dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve sportive dhe të gjuetisë” parashikuar nga nenet 283/1, 278 dhe 280 të Kodit Penal.

Loading...