BESNIK MURATI

Shqiptarët duke qenë një popull besnik dhe me vlera humane gati në të gjitha rrethanat historike më në fund kur është dashur që çështja të zgjidhet definitivisht janë tradhtuar nga udhëheqësit e vetë nga aleatët e tyre. Në këto momente që mos të na përsëritet historia me vendime negative për shqiptarët, asnjë shqiptarë nuk duhet të jetë indiferent ndaj ngjarjeve në politikën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, sepse politikbërja e keqe len pasoja për të gjithë. Në këto momente historike janë duke ndodhur procese shumë serioze që do të lënë dhimbje dhe humbje të madhe për kombin shqiptarë, nëse nuk jemi të kujdesshëm dhe të vendosur për çështjet shumë domethënëse. Në Shqipëri duhet patur kujdes mbi pretendimet greke për ndryshimin e kufirit detar. Njohësit e mirë të gjeopolitikës ekonomike e dinë mirë se Shqipëria në të ardhmen përveç humbjes territoriale të hapësirës detare do të ketë humbje të mëdha ekonomike prandaj nuk duhet lejuar biseda mbi një çështje të tillë. Pikë tjetër e rëndësisë së veçantë në Shqipëri dhe ndër shqiptarë është investimi në ruajtjen e bashkëjetesës ndërfetare. Sa i përket Kosovës gjithashtu me krijimin e Asociacionit të komunave serbe përveç asaj që duhet të gjithë të jemi të vetëdijshëm se Kosova humb në pavarësinë e saj , ajo humbë territor me vlera të mëdha ekonomike që në të ardhmen pasojat do të jenë të papërmirësueshme si për shembull me krijimin e kësaj ,,zajednice” Kosovës i merren nga administrimi përgjithmonë pasuritë ekonomike si që janë: Minierat e Trepçës, Minierat e Kishnicës, Minierat e Artanës, Liqeni i Ujmanit, Banja e Klokotit, Brezovica dhe shumë objekte – monumente nga historia e lashtë Iliro-Dardane. Hartografët kosovar besoj që e din mirë të vërtetën e territorit në kufi me Malin e Zi, prandaj le të hartojnë hartat si duhet sepse Kosova nuk ka dhe nuk duhet të fal ende nga territori i saj ,në rastin konkret të përcaktimit kufitar me Malin e Zi. Në politikbërjen e Maqedonisë gjithashtu nuk duhet sjellje indiferente ose lërje anash diskutimin në pafundësi të pakënaqësisë me statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve, sepse problemet vetëm do të zvarriten pasi që të gjithë e dinë se shqiptarët në Maqedoni nuk mund të pajtohen dhe nuk pajtohen asnjëherë me statusin e minoritetit në vendin e tyre, por detyrimisht duhet kjo çështje të vihet në tavolinë bisedimesh që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë që shqiptarët në kushtetutë të kenë statusin e kombit në shtetin e përbashkët me kombin maqedon dhe minoritetet tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Bazuar në gjeografinë dhe etnitetin ,shqiptarët detyrimisht duhet të kenë statusin e kombit në aspekt juridiko – kushtetues. Statusi i shqiptarëve i zgjidhur njëherë e përgjithmonë do të reflektonte stabilitetin polik dhe ekonomik të Republikës së Maqedonisë në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj dhe stabilitetin rajonal në përgjithësi.

Loading...