Shqiptarët dhe referendumi

Zeqirja Ibrahimi
Po lexoj dhe po dëgjoj këto ditë se disa shqiptarë, qofshin politikanë, analistë ose qytetarë – duke u nisur nga analizat e tyre, nga patriotizmi ose nga lakmia e tyre për pushtet – bëjnë thirrje që të bojkotohet referendumi ose, thënë më butë, të abstenohet. Dhe, jo se argumentet e tyre nuk janë të qëndrueshme, jo se aspak nuk kanë të drejtë, por mendoj se në këtë rast bëhet një gabim i madh gjatë zhvendosjes së kontekstit të analizës.
Nëse për shqiptarët është e papranueshme që identiteti i ri shtetëror të jetë „maqedonas / qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, me ç’rast nuk dihet saktë nëse grafema „/“ nënkupton „maqedonas OSE qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut“ ose „maqedonas DHE qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, me çka shqiptarët dhe të tjerët sigurisht do të jenë të diskriminuar dhe të vënë nën ombrellën e maqedonasve etnikë, megjithatë ky nuk është argument i mjaftueshëm që të bojkotohet referendumi.
Në dobi të DPMNE-së
Para se gjithash më duhet të theksoj se partia shqiptare, e cila tani disi në heshtje po angazhohet që të bojkotohet referendumi me arsyetime të këtilla, është krejtësisht jokorrekte, sepse ajo para një viti pranoi të bëhet pjesë e pushtetit pa asnjë vërejtje të këtillë. Madje, kur ne (si Lëvizje BESA) bisedonim për ridefinim, për ndryshime kushtetuese dhe ligjore, për afate dhe për mënyrën e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv, ata hynë në Qeveri duke e shkelur edhe Deklaratën e Përbashkët të Partive Shqiptare, madje duke na akuzuar se ne bashkëpunojmë me DPMNE-në e atëhershme. Andaj, mendoj se argumentet e tyre janë të pavlefshme, kanë vetëm qëllime politike ditore, ndërsa në kontekst të referendumit i shërbejnë DPMNE-së, madje edhe disa forcave anti-NATO. Mirëpo, për këtë pak më poshtë.
Këtu dua të shpjegoj se çka do të thotë mossuksesi i referendumit për shqiptarët në Maqedoni. Në kohën kur në skenën botërore po shfaqen dukuri paradoksale politike, kur Ballkani zë fokus të vogël në politikën e jashtme të SHBA-së, ndërsa Rusia çdo ditë e më tepër fiton hapësirë për të ndikuar, mossuksesi i referendumit nënkupton se Maqedonia do të jetë nën ombrellën e Rusisë ose, së paku, do të jetë „zonë e zjarrit“, sepse synimet ruse për ta mbajtur konfliktin sa më afër Evropës Perëndimore (duke i mbrojtur kështu kufijtë e vet lindorë) prekin pikërisht te ne. Jam i sigurt se nuk ka shqiptar të Maqedonisë i cili dëshiron, në këtë rast, të jetë në anën e Rusisë.
Jo se LSDM-ja ka ndonjë dallim të madh ndaj shqiptarëve nga DPMNE-ja (vazhdon ta mbrojë partinë e njëjtë shqiptare që më herët e kanë mbrojtur Gruevski dhe Mijallkovi), jo se nuk janë korrektë me formulimin „maqedonas / qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, për çka ishte dashur të konsultohemi edhe ne shqiptarët, mirëpo opsioni JO ndaj referendumit është shumë herë më i dëmshëm, veçanërisht për shqiptarët, se të gjitha dëmet e tjera të mundshme.
Shqiptarët nga viti 2002 e këtej kanë pasur dhjetëra mundësi për zgjidhjen e „çështjes shqiptare“ në Maqedoni, madje edhe gjatë formimit të qeverisë në vitin 2016, mirëpo gjithnjë më e rëndësishme u ishte diçka tjetër se sa këto kërkesa. Gjatë një takimi në vitin 2016 me një funksionar të lartë të LSDM-së, për mënyrën dhe mundësitë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në pushtet, pasi elaboruam se „zgjidhja e ‘çështjes shqiptare’ në Maqedoni është edhe në interes të shtetit, për stabilizimin dhe hapjen e perspektivave të tjera zhvillimore, se duhet t’i mbyllim të gjitha kontestet, se ekzistojnë disa gjëra të cilat kërkojnë ridefinim, sepse shteti është bërë jofunksional, se prezenca e shqiptarëve në pushtet nuk duhet të jetë vetëm si përqindje, por edhe cilësore, horizontale dhe vertikale në sistem…“, përgjigjja e tij ishte „ju jeni shqiptarët e vetëm që flisni për tema të tilla“. Dhe, epilogu dihet. Për fat të keq!
Zgjedhja më patriotike
Sido që të jetë, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO në këtë moment është akti më patriotik për shqiptarët. Ky, në të vërtetë, ishte edhe shkaku i vetëm që ne u bëmë pjesë e qeverisë. Kur, pas një pritjeje aq të gjatë, kemi arritur në prag për të hyrë në NATO dhe për të shpëtuar nga skenari ruso-serb për Ballkanin, çmimin e të cilit gjithnjë më së shtrenjti e kanë paguar dhe e paguajnë shqiptarët, dhe kur hyrja në NATO nënkupton që prej mbijetesës fizike, deri në mundësinë për realizimin etnik, kulturor dhe çdo lloj tjetër të realizimit, dhe kur – nga ana e tretë – nuk ke kurrfarë opsioni tjetër, hyrja në NATO e nënkupton rrugën e vetme për shqiptarët e Maqedonisë. Nuk ka këtu hapësirë për indiferencë, as për „dënimin e partive politike“, sepse çmimi është tepër i lartë.
Këtu duhet të përmend edhe diçka tjetër. Mbështetja e referendumit nuk nënkupton edhe mbështetjen bllanko për ndryshimet kushtetuese. Do të kemi kohë për to të negociojmë dhe të merremi vesh. Mirëpo, në asnjë rast nuk arsyetohet të jesh kundër referendumit sot. Kjo më ngjan më tepër si agjendë e huaj sesa si interes shqiptar.
Për këtë arsye, edhe pse dua të kem mirëkuptim për disa shqiptarë që mendojnë se „tani është koha t’i zgjidhim nevojat tona“, dua të kem mirëkuptim edhe ndaj atyre politikanëve të cilët kërkojnë shpëtim nga humbja e tyre, po përpiqem t’i kuptoj edhe ata analistë të cilët bëjnë analiza se „tani është koha t’i kërkojmë të drejtat tona“, mirëpo një gjë nuk mund t’ua falë: nëse dështimi i referendumit është dëshirë e politikave ruse në Maqedoni ose e partive proruse në vend, çka kërkojnë ata në këtë qullë? Andaj, kur kështu i shikojmë gjërat dhe kur dëgjojmë se gjithnjë e më tepër medie, madje edhe gazetarë dhe të tjerë, po financohen nga burimet e tilla për dështimin e referendumit, konstatimi është se ata shqiptarë, me ose pa vetëdije, i shërbejnë planit të Rusisë kundër NATO-s në Ballkan.
Dhe, krejtësisht në fund, jo se me hyrjen në NATO te ne gjërat do të shkojnë mjaltë e tëlyen, mirëpo pa hyrjen në NATO kush e di se çka mund të rrjedhë. Sepse, shqiptarët pa NATO janë shqiptarë nën Rusi dhe në shënjestër të Serbisë. Urdhëroni, zgjidhni çka doni!

Loading...