Shqiptarët e Maqedonisë janë populli më i diskriminuar në Evropë

Analisti dhe publicisti i njohur nga Kosova Ernest Luma në një intervistë ekskluzive për portalin ExPress.mk ka folur për pushtetin e deri tanishëm të Ali Ahmetit dhe BDI-së, rastin e Kumanovës dhe për aktulaitetin politik në Maqedoni. Ai thotë se BDI dhe Ahmeti janë ata që e dinë krejt të vërtetën për “Kumanovën” dhe që duhet ta thonë atë. BDI nuk duhet të hesht.

Destan JONUZI

ExPress.mk: Si e vlerësoni pushtetin e deri tanishëm të BDI-së dhe Ali Ahmetit?

Ernest Luma: Në fazën e parë ka qenë premtues, në periudhën e paskonfliktit 2001. Mosimplementimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Ohrit, është deshtimi më i madh i tij. Shqiptarët e Maqedonisë edhe sot janë më të diskriminuarit nga pushtetet dhe qeveritë atje. Pastaj, një hije e zeze BDI dhe Ali Ahmetit i bie edhe nga koketimi i tepruar me Gruevskin, mosdistancimi nga qëndrimet e hapura antishqiptare të ish-ministres Jankullovska etj. Me një fjalë, në fazat vijuese të paskonfliktit 2001, pushteti i Ahmetit dhe BDI-së e ka djegur për interesa meskine një faturë të shtrenjtë që shqiptarët e paguan dhe krijuan me saktificën e vitit 2001.

ExPress.mk: Ka punuar mjaftueshem ai për shqiptarët e Maqedonisë?

Ernest Luma: Jo. Ngritja e disa përmendoreve të atdhetarëve shqiptarë dhe heronjve, prej Skënderbeut deri te Hasan Prishtina e Isë Boletini, dhe hapësira veç sa 1/4 e flamurit maqedonas për flamurin shqiptar në Maqedoni, nuk mund të jenë të arriturat me të cila mund të krenohet BDI. Këto janë veç të drejta elementare për secilën pakicë në Evropë, por jo edhe krejt ajo që i takon një populli shtetformues, siç duhet të trajtohen shqiptarët në Maqedoni.

ExPress.mk: Kumanova dhe BDI?

Ernest Luma: Kumanova është rast specifik. Realisht ka qenë edhe vendbeteja kryesore e vitit 2001. Jorastësisht shpërthen aty edhe në 2015. Larg konspiracioneve dhe legjendave rreth saj, BDI dhe Ahmeti janë ata që e dinë krejt të vërtetën dhe që duhet ta thonë atë.

Sopoti, Brodoci etj duhet të zbardhen. Ashtu si dhe Kumanova. BDI nuk duhet të hesht. Aq më shumë, pas shumë “bombave” të Zoran Zaevit.

ExPress.mk: Angazhimi i BDI-së për të burgosurit shqiptarë të Kosovës?

Ernest Luma: Mbetet të shihet. Deri tsh është vetëm lojë fjalësh dhe një heshtje qe shënon padrejtësinë më të madhe ndaj atyre që vërtetë janë bartës të luftës së vitit 2001.

ExPress.mk: Si e vlerësoni rolin e PDSH-së dhe Menduh Thaçit në politikë bërjen shqiptare në Maqedoni?

Ernest Luma: Poltikisht, në krejt këtë periudhë, PDSH nuk ka qenë e fortë dhe me pushtet sa edhe BDI, andaj, po aq është meritore dhe përgjegjëse kjo parti për situatën e shqiptarëve në Maqedoni.

ExPress.mk: A ka shpresë te ai për shqiptarët e Maqedonisë?

Ernest Luma: Këtë më së miri do ta vlerësonin shqiptarët e Maqedonisë. Por, e vërteta është se shqiptarët në Maqedoni, nga popull shtetformues janë shndërruar në pakicë, me status, në pakicën më të diskrimunuar në Evropë. Për këtë është direkt përgjegjëse politika shqiptare atje, pa dallim.

Në emër të sakrificës së tyre ka avancuar veç statusi social e shoqëror i atyre qe janë thirrë në emër të shqiptarëve, janë krijuar milonerë dhe njerëz me ndikim. Sa më parë qe bëhet shkëputja e rrjeteve mafioze atje, dallimi midis tyre dhe Gruevskëve, aq më parë do të kthjellohet skena politike në Maqedoni, dhe do të dihet s c’do të ndodhë me shqiptarët.

 

Loading...