Abdulla Mehmeti

Deklaratat e ditëve të fundit të disa zyrtarëve, politikanëve dhe analistëve shqiptarë dhe të huaj se, nëse Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, si pjesë e natyrshme e së cilës ka qenë gjithmonë, do ta nxit edhe rebelimin dhe shkëputjen, siç thonë ata, të Tetovës dhe Gostivarit nga Maqedonia, janë spekulime dhe nuk janë pjesë e asnjë agjende politike të shqiptarëve në Maqedoni dhe as të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.
1. Rajoni i Pollogut (Tetova dhe Gostivari) dhe rajoni i Shkupit në Maqedoni, me shumicë të popullsisë shqiptare, përbëjnë mbi 50% të popullsisë së përgjithshme të këtij shteti, prandaj, çdo ide për shkëputjen e këtyre territoreve nga Maqedonia duhet të kosiderohet si spekulim, manipulim dhe propagandë në dëm të popullit shqiptar vendës, me të cilën shërbehen agjentuarat e huaja për minimizimin e faktorit shqiptar në Maqedoni, ose përdoren pavetëdijshëm nga disa politikanë dhe analistë që nuk kanë njohuri elementare mbi të kaluarën dhe të sotmen e këtij vendi dhe të rajonit.
2. Shqiptarët në Maqedoni mund të përkrahin çfarëdo përpjekje të faktorëve politikë vendës dhe ndërkombëtarë për arritjen e një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme, e cila do të përfundojë me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë; e përkrahin gjithashtu fuqishëm moscënimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës, ndërsa zgjidhjen përmes shkëmbimit të territoreve e shohin si spekulim, manovër politike, blerje kohe dhe mjegull propagande që zakonisht ngrihet para çdo marrëveshje të rëndësishme mes shteteve.
3. Presidentët e shteteve përkatëse, qeveritë dhe faktorët e tjerë mund të bisedojnë edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, por absolutisht nuk janë faktorë vendimmarrës për ndryshimin e kufijve mes këtyre shteteve, sidomos në rajonin e trazuar të Gadishullit Ilirik, me shumë probleme të trashëguara nga e kaluara, sidomos për çështje të territoreve.
4. Shqiptarët në Maqedoni kanë synimet e tyre dhe strategji për të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë, me Shqipërinë, Kosovën dhe shtetet tjera në kuadër të Ilirikut (Ballkanit) Perëndimor, për integrimin e këtij shteti në NATO dhe BE, por asesi nuk janë të preokupuar dhe nuk mund të manipulohen përmes zgjidhjeve territoriale të imponuara nga jashtë, siç spekulohet gjatë ditëve të fundit, sidomos me variantet e fabrikuara në kuzhinat e Akademisë serbe (SANU), dhe Akademisë maqedonase (MANU), si dhe të agjentuarave të huaja dhe qendrave të propagandës serbe dhe ruse në rajon.
5. Shqiptarët në Maqedoni, aktualisht janë të preokupuar për integrimin e këtij shteti në NATO dhe BE, për integrimin e plotë të Maqedonisë në bashkësinë e shteteve të Ilirikut (Ballkanit) Perëndimor, për ndërtimin e një shteti modern, demokratik dhe ligjor, për perspektivë evropiane dhe euroatlanike, për ndërtimin e konceptit të ri të shtetit të Maqedonisë Veriore, si shtet i përbashkët i shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve që jetojnë në këtë shtet, si dhe në bashkëpunim, fqinjësi të mirë dhe mirëkuptim edhe me shtetet tjera fqinje, Bullgarinë dhe Greqinë, për rruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, si dhe të sigurisë ndërkombëtare.

(31 gusht 2018)

Loading...